Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, në një reagim ka thënë se ka pritur me shqetësim të madh, paralajmërimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për rritjen e çmimit të rrymës për 15%.
Në reagimin e tyre thuhet se ky vendim konsiderohet se është bërë pa konsulta të duhura me bizneset dhe pa një analizë të duhur për pasojat që mund të sjellë kjo rritje tek prodhuesit vendës, transmeton Telegrafi.
“Rritja e serishme prej 15%, po ndodh vetëm dy vjet pasi një rritje e tillë ishte bërë nga ZRRE dhe pasojat e saj vazhdojnë të jenë të pranishme tek bizneset. Një ngritje e tillë e çmimit, e bënë sektorin privat në Kosovë më të pafavorshëm ndaj konkurrencës që vjen nga jashtë dhe kjo mund të përcillet me pasoja të tjera, siç janë: ulja e prodhimit dhe e numrit të punëtorëve”, vijon reagimi.
Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë (ZRrE) njoftoi të premten se ka propozuar ngritjen e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind muajin e ardhshëm.
Lajmi u bë i ditur të premten përmes publikimit të raportit konsultativ për të hyrat maksimale të lejuara, ku parashihet shtrenjtimi i tarifave të rrymës.
Sipas njoftimit të ZRrE-së, publikimi i raportit u jep mundësinë palëve të interesuara që të shqyrtojnë dhe të japin komente mbi propozimin e rritjes së tarifave. Afati për dorëzimin e komenteve është deri më 28 mars.
ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.
Kjo rritje vjen pas kërkesave të tre kompanive të sektorit të energjisë në Kosovë – KOST, KEDS dhe KESCO – të cilat thonë se nevoja për shtrenjtimin e rrymës lidhet me kostot e larta të importit të energjisë elektrike. /Telegrafi/