Site icon Telegrafi

Dezinformatat në kohë fushate zgjedhore, Kreshnik Gashi flet për kontaminimin e informacionit në Kosovë

‘Përballje Podcast’ sjell ekspertë për të diskutuar sfidat e dezinformatave në zgjedhje: Përvoja nga Kosova dhe mësimet për të ardhmen.

Në episodin e dytë të sezonës së dytë në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com është diskutuar për rëndësinë e verifikuesve të fakteve gjatë kohës së zgjedhjeve dhe rolin e rrjeteve sociale.

Rrjetet sociale janë mundësi për komunikim me qytetarët, por fatkeqësisht edhe për keqinformim. Gjatë periudhave zgjedhore, kjo dukuri bëhet edhe më e theksuar, duke ndikuar perceptimin publik dhe ndonjëherë edhe rezultatin e zgjedhjeve.

Në këtë episod, është diskutuar për dezinformatat, rolin e platformave online si dhe hapat që mund të ndërmarrim për të ruajtur një diskurs të shëndetshëm dhe integritetin e procesit zgjedhor.

Kreshnik Gashi, kryeredaktor në Kallxo.com ka deklaruar se në këto zgjedhje kemi një fushatë e cila në aspektin e komunikimit dhe në aspektin e përballjes ka shënu dhjetë hapa mbrapa.

“Pra nëse ne kemi pas një shtet Kosovës i cili ka avansu shumë në demokracinë dhe në vlerat demokratike që imponohem për shkak të debatit të përballjes të verifikimit të fakteve etj., në këto zgjedhje kemi dhjetë hapa mbrapa për shkak se partia e cila është në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka vendos që me iu shmang debatit edhe me zhvillu fushatën pa pasë përballje me kundër-kandidatët”, ka deklaruar Gashi në “Përballje Podcast” me kryredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu.

Gashi ka deklaruar se vendimet për të mos marrë pjesë në debate zgjedhore do të ketë pasoja në shoqëri pasi që sipas tij nuk do të ketë mundësi të përballen programet.

“Kemi parë zgjedhjet në SHBA, ku është vlerë e demokracisë debati mes kandidatëve për president. Në Kosovë nuk e kemi përballjen e kandidatëve për kryeministra”, ka shtuar Gashi.

Ai thotë se është shumë e rrezikshme tentativa për të ndikuar te qytetarët që të mos  informohen nga mediat.

“Nëse liderët politikë vazhdojnë të kenë komunikim njëdrejtimësh i cili nuk ka alternativë, dhe nga ana tjetër kemi qytetarin që nuk ka mendim kritik, vijmë në një situatë ku qytetari beson atë që që i thotë lideri politik”.

Verifikuesi i fakteve ka potencuar edhe rrezikun dhe ndikimin që kanë rrjetet sociale në fushatën zgjedhore.

“Na nuk e kishim pas problem nëse kishim pas liderë politikë, të cilët fushatën e kishin bërë mbi faktet, mbi të dhënat të sakta, mbi prova të sakta, mbi hulumtimet të cilat i kishim pas në këtë drejtim. Fatkeqësisht, liderët tonë janë prodhues të dezinformatës, por ma e keqja ata shpeshherë janë viktima të dezinformatës, ajo çka na duhet me konstatu është që edhe materialet shtetërore të Kosovës, edhe librat, edhe dokumentet zyrtare janë të stërmbushura me dezinformata. Ne kemi kontaminim masiv të informacionit të cilën na e publikojmë”, ka thënë ai.

Gazetari thotë se është për keqardhje që edhe informacioni shtetërorë ka plotë dezinformata.

“Është faktuar që edhe komunat gjatë raportimit kanë dërguar në shtet informacione të pasakta. Ne kemi verifikuar postimet e komunave në rrjetet sociale. Prej 400 postimeve që i kanë bërë kryetarët e komunave në rrjete sociale, më shumë se 20 për qind e tyre kanë dalë se kanë përmbajtje dezinformuese”.

Gashi thotë se gjatë gjithë kohës politika është duke bërë shtrembërim të fakteve.

“Investimet promovohen më shumë se që janë. Impakti i investimeve qeveritare apo mekanizmave tjerë promovohen më shumë se që e ka masën reale. Ne si shoqëri e kemi dezinformatën në thelb”, ka deklaruar tutje verifikuesi i fakteve./Telegrafi/

Exit mobile version