Futbollisti i Panathinaikos, George Baldock është gjetur mbrëmë (e mërkurë) në gjendje të pajetë në pishinën e shtëpisë së tij në Athinë dhe mediat greke tashmë po sjellin detaje se çfarë dhe si ka ndodhur situata dje gjatë ditës dhe mbrëmë gjatë natës.
Sipas Gazzetta dello Sport, bashkëshortja e Baldock, e cila jeton në Angli me fëmijën e tyre, ka tentuar dje gjatë ditës të kontaktojë me të pa sukses dhe një numër i madh telefonatash kanë mbetur pa përgjigje.
Gruaja më pas telefonoi pronarin e shtëpisë ku qëndronte i shoqi dhe e pyeti nëse ai mund të dinte diçka më shumë. Pronari më pas shkoi në adresë dhe gjeti trupin e Baldock në pishinë.
Ambulanca është thirrur në orën 22:29 dhe automjeti me ekipin mjekësor ka mbërritur tashmë në vendin e tragjedisë në orën 22:38 dhe ka qenë në gjendje të konfirmojë vdekjen.
Sipas Gazzetta dello Sport, në trupin e Baldock nuk ka pasur lëndime apo gjurmë dhune.
Kur vdekja ndodh në një shtëpi, është e nevojshme, sipas ligjit grek, që trupi të nxirret në prani të mjekut ligjor, ndaj i gjithë procesi mori kohë.
Ndërkohë, bashkëlojtarët dhe trajnerët e tij nga Panathinaikos, së bashku me disa anëtarë të drejtuesve dhe tifozë të klubit, u mblodhën para shtëpisë ku banonte Baldock.
Edhe pse policia ka hapur një hetim për vdekjen e reprezentuesit grek, pak do të dihet derisa publiku të informohet për rezultatet e autopsisë. /Telegrafi/