Ka dështuar sërish që të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, për shkak të mungesës së kuorumit.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se kjo është e papranueshme.
“U bënë gati 6 mbledhje të kryesisë që për arsye të ndryshme nuk po mbahen. Kjo është e papranueshme e padrejtë që të mos ketë takim të kryesisë dhe kjo të ndryshojë në moment të fundit për shkak se dikush nga anëtarët e kryesisë nuk mund të vij. Është e domosdoshme që kjo të ndryshohet sa më shpejt që është e mundshme”, tha Tahiri.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka akuzuar mazhorancën për papërgjegjësi për funksionim të Kuvendit.
“Kemi hyrë në një seri të dështimeve të një pas njëshme si të seancave ashtu edhe të mbledhjeve të Kryesisë. Kjo mazhorancë siç duket ka hyrë një krizë që duket se nuk është e lehtë. Është e papërgjegjshme mos me u njoftu grupet parlamentare që mbledhja është anuluar”, ka thënë Tahiri.
Ai ka shtuar se para vetes kemi një agjendë të rëndësishme, që në pikat e saj ka Gjykatën Kushtetuese, projektligje të tjera ndërkombëtare që lypin trajtim.
“Këtë papërgjegjësi kaq të madhe në historinë parlamentare të Kuvendit nuk e kemi parë asnjëherë. Një mazhorancë me numra kaq të fuqishëm dhe me dështime kaq të mëdha nuk kemi parë asnjëherë”, tha Tahiri. /Telegrafi/