Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhsK) në Hagë të hënën ka filluar dëshminë Halil Çadraku i cili përfaqësohet nga avokati Arianit Koci në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Dëshmitari Halil Çadrak, është pyetur lidhur me një letër që ai i kishte dërguar shoferit të Bislim Zyrapit, ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Në këtë letër, ai shpreh pakënaqësinë e tij ndaj qasjes së komandantit të Zonës së Pashtrikut, Ekrem Rexha, i njohur si “Drini”.
Çadraku tha se kishte kundërshtime për metodat defensive të eprorëve të tij, të cilat, sipas tij, nuk përputheshin me qasjen e tij në luftë.
“Perceptimi im për luftën dhe ai i eprorëve me karrierë ndoshta kanë ndryshuar. Unë kisha një shpirt iniciative dhe më pengonte qasja defensive e tyre. Kërkova nga Shtabi i Përgjithshëm që të ndikonte për të përshpejtuar dhe përmirësuar cilësinë e organizimit”, tha Çadraku.
Prokurori James Pace lexoi një artikull të datës 9 mars 2017, të shkruar nga Çadraku dhe shpërndarë në Facebook nga Sadik Halitjaha.
“Këtij artikulli i qëndroj prapa në çdo pikë dhe presje,” theksoi dëshmitari. Artikulli përshkruante muajin mars të vitit 1999 si një periudhë të përgjakshme dhe trajtonte një dezertim të një ish-anëtari të FARK-ut, Sylejman Kollçaku, ish-zëvendëskomandant në Zonën e Pashtrikut.
Në artikull, Çadraku akuzonte FARK-un për mungesë angazhimi në luftë.
“Mungesa e tyre, e punës dhe ndihmës së tyre, ishte e ndjeshme. Kishim nevojë për çdo ndihmë, qoftë edhe për transport armësh. Ndërsa mbi 5,000 pjesëtarë të FARK-ut qëndronin në Tiranë dhe nuk hynin për të ndihmuar”, tha ai.
Tutje foli edhe për rolin e Hashim Thaçit.
Çadraku, duke dëshmuar në Hagë, deklaroi se për 25 vite e ka konsideruar Hashim Thaçin si një “gjigant” për rolin dhe drejtimin politik që i dha luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ai e bëri këtë deklaratë pasi iu prezantua një video nga një intervistë e mëparshme, ku kishte thënë: “Zoti lart, ndërsa Thaçi poshtë”, duke nënvizuar se Kosova nuk do të ishte ajo që është sot pa ish-presidentin.
“Kosova jonë ka qenë e okupuar për mijëra vjet dhe gjithmonë ka pasur luftëtarë. Lufta e fundit ishte shumë mirë e orientuar falë drejtimit politik të udhëhequr nga Thaçi dhe shokët e tij si Xhavit Haliti, Bardhyl Mahmuti, etj. Thaçi ka meritat më të mëdha dhe e falënderoj në emër tim, të familjes sime dhe të popullit tonë për punën gjigante që ka bërë”, tha Çadraku.
Ai gjithashtu konfirmoi se deri më 1 prill 1999, shefi i tij ishte Kadri Veseli. Çadraku foli për një fotografi të bërë në mars 1999 në Nishor, ku ishin të pranishëm Kadri Veseli, Mensur Zyberi, Adem Grabovci dhe ai vetë, ku kishin diskutuar për marrëveshjen e Rambujesë.
I pyetur nga prokurori James Pace nëse informacioni ishte i saktë, dëshmitari u përgjigj me “po”.
Në lidhje me UÇK-në në Prizren, Çadraku tha se Brigada 125 ishte stacionuar aty, nën drejtimin e Nehat Bashës. Ai foli edhe për Kimete Krasniqin, të cilën e kishte takuar pas luftës. Sipas tij, ajo ishte sjellë nga Drenica për të ndihmuar në zbardhjen e një rasti kriminal të ndodhur në atë zonë, që kishte lidhje me rrethinën e Prizrenit.
Kur u pyet për mosmarrëveshjet mes Ferat Shalës dhe Kimete Krasniqit, Çadraku tha se nuk kishte informacion për to, pasi ato ishin çështje private.
Seanca kaloi disa herë në seancë të mbyllur, për të mbrojtur palët e përfshira. Prokuroria kërkoi dhe mori leje për të vazhduar me pyetjet edhe në seancën e nesërme, duke përfunduar kështu dëshminë e sotme të Halil Çadrakut, i cili përfaqësohej nga avokati Arianit Koci.