Keith Kellogg, i dërguari special i Trump për Ukrainën, ka hedhur poshtë mundësinë që Ukraina të rifitojë statusin e saj si një fuqi bërthamore.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky sugjeroi këtë javë se nëse Shtetet e Bashkuara nuk janë të gatshme të mbështesin anëtarësimin e Ukrainës në NATO, ajo mund të sigurojë një garanci alternative të sigurisë në formën e armëve bërthamore.
Kellogg e bëri të qartë se një skenar i tillë është jorealist gjatë një interviste dhënë për Fox News, transmeton Telegrafi.
“Mundësia që ata t’i kthejnë armët e tyre bërthamore është diku mes të pakta dhe aspak. Le të jemi të sinqertë në lidhje me këtë, ne të dy e dimë se kjo nuk do të ndodhë”, shtoi Kellog.
Zelensky deklaroi se nëse Ukraina nuk pranohet në NATO, ajo duhet të pajiset me armë bërthamore si një pengesë kundër Rusisë.
Megjithatë, Kellogg theksoi se riarmatosja e Ukrainës me armë bërthamore nuk është një zgjidhje.
“Mos harroni, presidenti tha se jemi një qeveri e arsyes së shëndoshë. Kur dikush thotë diçka të tillë, shikoni rezultatin ose potencialin”, shtoi Kellogg. /Telegrafi/