Gjykata Themelore në Ferizaj ka vendosur që t’ia zëvendësojë masën e sigurisë ushtarit të FSK-së, Azem Kurtaj, i cili dyshohet për plagosjen e dy të rinjve serbë.
Nga paraburgimi ai është dërguar në arrest shtëpiak. Vendimi është marrë në seancën fillestare të mbajtur këtë të enjte.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar avokati mbrojtës i tij, Naim Ferati, i cili ka bërë të ditur se klienti i tij para trupit gjykues është deklaruar i pafajshëm.
“Sot është mbajtur seanca fillestare. Klienti im është deklaruar i pafajshëm për akuzat të cilat i vihen në barrë. Mbrojtja ka parashtruar kërkesën që të ndërpritet masa e paraburgimit sepse kanë pushuar kushtet ligjore për çka është vendosur e njëjta. Në bazë të propozimit të mbrojtjes, gjykata ka vendosur që masa e paraburgimit të ndërpritet dhe të njëjtit i është vendosur masa e arrestit shtëpiak”, ka deklaruar Ferati në një prononcim për Telegrafin.
Ai tutje ka thënë se brenda afatit ligjor, mbrojtja do të parashtrojë kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të paraqitura nga Prokurori i Shtetit.
Azem Kurtaj, ish-pjesëtar i FSK-së, akuzohet se më 6 janar ka plagosur dy të rinj serbë, një 11 dhe një 21-vjeçar, në fshatin Gotovushë të Shtërpcës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri me dashje, me përdorim të armës, ka shkaktuar rrezik të madh për jetën dhe trupin e njerëzve, në atë mënyrë që përderisa ka qenë duke drejtuar veturën e tij në drejtim të Brezovicës, me të arritur në fshatin Gotovushë, ka hasur në një grup të qytetarëve të cilin e kishin penguar, ia kishin pamundësuar lëvizjen e lirë të automjetit derisa të rinjtë e komunitetit serb ishin duke festuar. /Telegrafi/