Deputeti i Partisë Demokratike Asllan Dogjani këtë të enjte është paraqitur në parlament në një mënyrë të pazakontë. Ai ka shkuar me një çadër plazhi me vete, duke iu “kundërpërgjigjur” një deklarate të bërë, më herët nga deputetja Olta Xhaçka.
Dogjani tha se gjuha diskriminuese që i ndan shqiptarët “ në të malit dhe të fushës” nuk është e ndaluar vetëm për deputetët, por për të gjithë shqiptarët dhe sipas tij, kjo është një vepër që duhet dënuar
“Unë në mënyrë simbolike kam marrë një çadër plazhi për të dënuar gjuhën diskriminuese, diskredituese, dhe jo etike të një deputeteje e cila doli në një media dhe deklaroi se “ne i kemi vjedhur 11 mijë metra katrorë tokë”, të marrë në mënyrë të kundraligjshme, për të cilën ne si deputetë të opozitës kemi kërkuar që t’i hiqet mandati. Por ajo u justifikua me faktin që “mos të vijnë ata nga mali të hapin çadrën në plazh”.
Kjo gjuhë diskriminuese, duke i ndarë shqiptarët në të malit, të fushave apo të kodrave nuk është etike, jo vetëm për një deputete, por për të gjithë qytetarët shqiptarë. Ne jemi shqiptarë dhe ne si shqiptarë nuk duhet të përdorim gjuhë të tillë. Gjuha diskriminuese jo vetëm është e ndaluar, por është vepër penale. Kjo gjuhë urrejtje që i ndan shqiptarët në të malit e të fushës është e dënueshme edhe nga kodi penal dhe nga kushtetuta e Shqipërisë.
“Plazhin e duam që mos të na vijë dikush nga mali të na vër çadrën aty”, ishte fraza që deputetja socialiste përdori teksa u fliste për investimit e bashkëshortit të saj në Himarë dhe fraza të cilën deputeti Dogjani ironizoi këtë të enjte. /Telegrafi/