Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi duke i komentuar faturat e fundit nga KEDS-i, tha se edhe ata si deputet kanë marrë një mori ankesash nga qytetarët rreth kësaj çështje.
Thaçi tha se në rast të dyshimeve për faturim jo të saktë, qytetarët do të duhej t’i drejtohen KESCO-s në këtë rast si furnizues e më pas Zyrës së Rregullatorit për Energji apo ZRRE-së, që të dihet se çfarë ka ndodhë në të vërtetë.
“Ka qytetarë që na thonë se i njëjti konsum është sikurse muajin paraprak, porse faturat kanë pësuar ndryshim të madh”, tha Thaçi, për RTK.
Se a ka vend për krijimin e një komisioni hetimor parlamentar, Thaçi tha se si deputet do ta bëjnë punën e tyre dhe angazhimin që ta ftojnë ZRRE-në për raportim në komision dhe të pyetet saktësisht se çfarë ka ndodhur me gjithë këto ankesa.
Duke mos përjashtuar formimin e një komisioni hetimor parlamentar Thaçi tha se gjithmonë ka vend për një komision të tillë.
“Gjithmonë ka vend për formim të një komisioni të tillë duke e marrë për bazë edhe privatizimin e distribucionit në 2013. Ne të gjithë e dimë se vlerësimet e aseteve të distribucionit në vitin 2012 kanë qenë 240 milion euro, ndërsa është shitur për 26.3 milion euro”, tha ai.
Ndonëse sipas tij, është propaganduar se pas privatizimit të distribucionit po qeveritë e kaluar apo sjellin investitorë të rinj që do të investojnë mbi 300 milionë euro, dhe duke e analizuar kemi ardhur në përfundim se asnjë centë këta investitorë nuk e kanë bërë me paratë e veta.
“Ne në komisioni parlamentar e kemi konstatuar me fakte dhe argumente që asnjë centë nga KEDS-i nuk është investuar në rrjet. Pra të gjitha investimet që janë bërë rrjet janë të qytetarëve sepse i janë faturuar në atyre e edhe sot vazhdojnë t’i faturohen”, ka thënë Thaçi.