Site icon Telegrafi

Deputeti i LVV-së i kërkon Çitakut të sqarojë për raportet me ish-agjentin e arrestuar të FBI-së

Deputeti i LVV-së Artan Abrashi ka kërkuar sqarime nga nënkryetarja e PDK-së Vlora Çitaku për raportet që kjo e fundit ka pasur me ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal.

Këto dyshime Abrashi i ngriti pasi Çitaku shihet në disa fotografi bashkë me ish-agjenti i lartë i FBI-së Charles McGonigal.

“Në debatin publik e televiziv në Shqipëri, sepse në Kosovë nuk ka pasur asnjë të tillë, kemi parë tek përmenden edhe politikanë nga Kosova. Rasti Mcgonigal nuk është çfarëdo teme por çështje që ndërthuren shumë zhvillime politike”.

Abrashi thotë se të gjithë shqiptarët tashmë janë të njohur për ‘rastin Mcgonigal’, ish shefin e kundërzbulimit të FBI-së, dhe lidhjen që kishte me politikanët shqiptarë, por edhe me oligarkë rusë.

‘’Një juri e madhe federale e SHBA po heton nëse ish-agjenti i lartë i FBI-së Charles McGonigal ka marrë pagesa ose dhurata nga zyrtarë qeveritarë në Mal të Zi, Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë apo Kosovë’’, citon ai artikullin e BallkanInsight.

Lexo po ashtu Për çfarë u takua McGonigal me Ramën? Ish- e dashura e zyrtarit të FBI-së jep detaje

“Ish-ambasadorja dhe tash nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku është mirë të na njoftojë për lidhjet dhe takimet me këtë person dhe temat e diskutuara”, ka shkruar Abrashi.

Charles McGonigal ka punuar për sektorin e kundërzbulimit të FBI-së, derisa u largua nga FBI-ja në shtator të vitit 2018 dhe ndër të tjera mbulonte edhe Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.

Ai akuzohet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, por pa i raportuar ato sipas rregullave.

Sipas aktapadisë, lidhjet e tij kryesore me Shqipërinë janë mbajtur përmes ish zyrtarit shqiptar të shërbimeve sekrete, që në akt-akuzë identifikohet si Personi A. Ky person ka paguar edhe për shpenzimet e tij të udhëtimit në Shqipëri.

Megjithatë, fotografitë e publikuara nga deputeti i LVV-së, Artan Abrashi ku shihet Vlora Çitaku dhe Charles McGonigal janë bërë në një ngjarje publike në FBI, gjatë kohës kur nënkryetarja e PDK-së shërbente si ambasadore e Kosovës në SHBA./Telegrafi/

Exit mobile version