Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e nenit 5 të Ligjit për Tatimin në Pronë që parasheh faljen e 100 eurove.
Basha këtë vendim të Kushtetueses e vlerëson si masë absurde dhe jo të drejtë.
“Ligji vetëm e ofron si mundësi që Kuvendet Komunale me ia mundëson qytetarëve faljen e tatimit në pronë, por në asnjë moment nuk e cenon pavarësinë e pushtetit lokal! Prandaj masa është absurde dhe çfarëdo vonese e këtij ligji është e padrejtë”, shkruan Basha në Facebook.
Sot, Gjykata Kushtetuese ka miratuar kërkesën e Komunës së Prizrenit për masën e përkohshme lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit për Tatimin në Pronë, i cili ka hyrë në fuqi më 16 gusht 2023.
Sipas vendimit të Kushtetueses, zbatimi i këtij neni është shtyrë deri më 30 nëntor 2023.
“Gjykata, njëzëri, ka vendosur që (i) kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me aktin e lartcekur të miratohet në kohëzgjatje deri më 30 nëntor 2023; dhe për pasojë (ii) të pezullohet menjëherë zbatimi i nenit 5 të Ligjit 08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe zbatimi i vendimeve të nxjerra në bazë të këtij neni deri në afatin e lartcekur”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses. /Telegrafi/