Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli të pavlefshëm mandatin e Fredi Belerit. Në mbledhjen ku ishte i pranishëm edhe vetë Beleri, u diskutua nëse mandati i i tij duhej zgjidhur përmes ligjit të dekriminalizimit apo përmes ligjit të organeve të qeverisjes vendore.
Avokatja e Fredi Belerit tha se mungon shkaku juridik për t’u vënë në lëvizje dhe për të diskutuar mbi mandatin e Belerit.
Eridian Salianji, përfaqësuesi i Partisë Socialiste në KQZ, tha se përsa kohë kemi një vendim të Apelit të formës së prerë, bazuar edhe te ligji i dekriminalizimit, Fredi Beleri nuk mund të ushtrojë funksionet publike.
Ndërsa Ivi Kaso përfaqësues i Partisë Demokratike në mbledhjen e KQZ, tha se ka një konfuzion lidhur me ligjin për dekriminalizimin dhe atij të organeve të qeverisjes vendore: “Fredi Beleri është subjekt i ligjit për dekriminalizimin. Fredi Beleri ka një mandat të dhënë nga KQZ, ka një mandat që njihet nga Gjykata, por nuk ka mundur ta ushtrojë për shkak të kokëfortësisë së institucioneve të tjera, përfshi edhe Kryeministrit. Beleri është një person i zgjedhur, nuk ka ushtruar mandatin, është i dënuar, por nuk aplikohet ligji për dekriminalizimin, por ai për qeverisjen vendore. Pra, në rastin konkret duhet që Qeveria ta shkarkojë Fredi Belerin dhe mos e trajtojë si “patate të nxehtë” çështjen. Edi Rama të marrë përgjegjësinë, të thotë se Fredi Beleri është dënuar me vendim të formës së prerë dhe ta shkarkojë”.
Ilirjan Celibashi, kryetar i KQZ, tha në fund: “Nuk kemi pse të fshehim gjithë ngarkesën që mban kjo çështje, është një çështje që ka atë rëndësi që ka, në fund ngelet ajo që sa në përputhje me ligjin është kjo vendimmarrje. KQZ është plotësisht kompetente për ta zhvilluar këtë proces administrativ, kjo na imponohet nga ligji”.