Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka arrestuar Artur Sallakun në Tiranë, 52 vjeçar në kuadër të operacionit policor të koduar “Operacionalja 30”.
Policia njofton se i njëjti ishte pjesëtar i një organizate kriminale për trafikim të lëndëve narkotike, të dënuar në Itali, me 21 vjet burgim.
“Si rezultat i shkëmbimit të shpejtë të informacioneve, me homologët italianë, policinë e Casertës, Zyrën e Ekspertit për Sigurinë në Shqipëri dhe Drejtorinë Qendrore të Policisë Kriminale dhe Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar te Policisë për kapjen e një shtetasi shqiptar të kërkuar ndërkombëtarisht për llogari të Italisë, në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Operacionalja 30’, u kap në Tiranë dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi Artur Sallaku, 52 vjeç, i lindur në Tiranë”, thuhet në njoftin.
Gjykata e Santa Maria Capua Vetere, në vitin 2004, e ka dënuar këtë shtetas, me 21 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.
“Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Romën, për ta ekstraduar këtë shtetas, në Itali.
Kapja e këtij shtetasi tregoi edhe njëherë bashkëpunimin e shkëlqyer mes Policisë së Shtetit, Policisë Italiane dhe Zyrës së Ekspertit për Sigurinë në Shqipëri për të luftuar bashkërisht krimin e organizuar dhe për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/