Hansi Flick raportohet se e ka qortuar Lamine Yamalin për thyerjen e një rregulli duke i dhuruar atij një dënim të pazakontë.
Lamine Yamal e bëri debutimin e tij si profesionist për Barcelonën sezonin e kaluar, por ishte Euro 2024 ajo që e ngriti atë në piedestal.
Adoleshenti i cili mbushi 17 vite një ditë para se Spanja ta mposhtë në finale Anglinë, dhuroi disa paraqitje spektakolare, që në fund u shpërblyen me një gol dhe katër asistime.
Sidoqoftë, trajneri i ri i Barcelonës, Hansi Flick, nuk do të lejojë që fama të ndikojë shumë tek Yamal. Gjermani i cili zëvendësoi Xavi Hernandezin gjatë verës, është i njohur për qasjen e tij serioze ndaj lojtarëve.
Sipas gazetës katalanase Mundo Deportivo, Yamal e përjetoi zemërimin e Flickut pasi mbërriti vonë në një seancë stërvitore për shkak se e kishte zënë gjumi.
Flick raportohet se i ka rikujtuar Yamalit se çfarë pret nga ai pasi adoleshenti spanjoll mbërriti vonë në stërvitje. Çuditërisht, dënimi që iu dha Yamal ishte se ai duhej të kalonte në një tunel të lojtarëve të cilët e goditën atë pas kokës.
Flick ka pasur një impakt të madh në ekipin e Barcelonës, pasi këtë sezon lojtarët po duken më në formë.
Barcelona momentalisht është lider në La Liga pasi kanë fituar katër ndeshjet e para duke mposhtur klube si Athletic Bilbao, Valencia, Rayo Vallecano dhe Real Valladolid./Telegrafi/