Nga: Aurel Plasari
U bënë tash sa vite që vijon të qarkullojë, duke u përhapur, një rrenë e thurur trashë për kinse zbulimin e një dokumenti i cili mund të hedhkësh dritë për “shkrimin më të hershëm të gjuhës shqipe të shek. XIV”, domethënë parabuzukian.
Rrena e parë: Profesorët Stefan Schumacher dhe Joachim Matzinger nga Akademia e Shkencave Austriake, që përmenden, nuk kanë zbuluar ndonjë dokument që të mendohet t’i përkasë shekullit të XIV dhe ku të shkruhet “një shqipe me germa latine”.
Rrena e dytë: Dy profesorët e përgojuar nuk kanë paraqitur ndonjë fletë – as dhe njëckë – të ndonjë libri “të Biblës”, siç thuhet, që të dokumentojë gjuhën shqipe të shkruar në fillim të shekullit të XIV.
Rrena e tretë: Njoftim për ndonjë dokument të tillë nuk është publikuar asnjëherë në ueb-in zyrtar të Akademisë së Shkencave të Austrisë, sikurse pretendohet.
Rrena e katërt: Ajo copë teksti e përmendur dhe e cituar si e shek. XIV (“Scala I. Ligierata VI. Si e krijoi Ʒotȣne Adamne et Evene. Të paretë tanë print” etj.) nuk është tjetër veçse një faqe nga libri i Pjetër Bogdanit, ‘Çeta e Profetëve të Krishtit’, i botuar në Padovë të Italisë më 1685 (M.DC.LXXXV), pra plot 130 vite mbas ‘Mesharit’ të Gjon Buzukut.
Rrena e pestë: Ilustrimi që përdorin mashtruesit nuk ka lidhje as me gjuhën shqipe dhe, sidomos, as me shek. XIV; është faqja e parë e një parathënieje anglisht, The Preface, të librit ‘The Bay Psalm Book’, i pari libër i shtypur në ato vende që më vonë do të quheshin “Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, më 1640, pra i shek. XVII. Njihet edhe si libri më i shtrenjtë në botë, ngaqë është shitur në ankand për shifrën rekord 14.2 milionë dollarë, prandaj edhe zhvatet me lehtësi në ueb. Përveç kësaj, dëshmon sheshit injorancë të mos dish që në shekullin e pretenduar (XIV) nuk kishte filluar ende shtypje librash në tipografi: në atë shekull tekstet qarkullonin si dorëshkrime.
Meqë jemi tek injoranca, e cila mundëson të shkruash për sende të cilave as ua ke haberin, po shtoj:
Është e pasaktë ta cilësosh Norbert Jokl-in si “themelues të shkencës së albanologjisë”, siç shkruajnë. Albanologjia, si grup dijesh që studiojnë botën shqiptare, nuk mbahet e themeluar në vitet ‘30-‘40 të shek. XX, por gati një shekull më herët. Në studimet shqiptare është rënë një mendjeje për të pranuar si “baba” të Albanologjisë Johann Georg von Hahn-in me veprën e tij madhore “Studime shqiptare” (1854). Në të bota shqiptare shqyrtohet me historinë e saj antike dhe atë mesjetare, me karakteristikat e saj gjuhësore, etnografike, dokesore etj., veçan duke trajtuar edhe çështjen e autoktonisë së shqiptarëve në viset ku ata jetojnë. Ndërsa, fakti që gjuhëtari Norbert Jokl “është vrarë nga nazistët në maj 1942” nuk ndryshon gjë në kronologjinë e fillimeve të albanologjisë.
Është e pasaktë të pohosh që Kryepeshkopi i Durrësit, Pal Ëngjëlli, e formuloi Formulën shqipe të Pagëzimit “gjatë një vizite në dioqezën e Matit”. Formulën në fjalë Pal Engjëlli e përfshiu në një letër baritore (pastorale) me rastin e një sinodi të mbajtur më 8 nëntor 1462 në kishën e Trinisë së Shenjtë në Mat.
Është e pasaktë të pohosh që “Fon Harvi [kështu është shkruar] udhëtoi në Durrës dhe në Ulqin”. Kalorësi Arnold von Harf, nga Këlni i tij, udhëtoi si pelegrin për në Tokën e Shenjtë. Gjatë udhëtimit me anije prej Venedikut në Aleksandri, u ndal edhe në disa nga portet e Dalmacisë, të Arbërisë, të Epirit etj., ndër to edhe në Durrës; aty mblodhi fjalë e shprehje që i regjistroi në njëfarë fjalori xhepi.
Ndërsa, duhet ta kesh përdorur tastierën me këmbë që, pasi e ke quajtur “Mesharin” e Gjon Buzukut “i pari libër në gjuhën shqipe”, të vijosh duke shkruar po për të: “Libri është kishtar dhe është shkruar në gjuhën latine [!!!], ka 154 000 fjalë. Është në dialekt verior dhe origjinali gjendet në Arkivat e Vatikanit”.
Pas këtij “Meshari” të Buzukut “në gjuhën latine”, a është e nevojshme të zgjatesh më?
Po, është e udhës të shtohet që, në raste si ky, nuk është fjala thjesht për rrena, por për atentate antikombëtare duke u fshehur pikërisht mbrapa “interesit kombëtar”. Nga albanologu mendjendritur Selman Riza, do të duhej të mësonin për kulturën e rrenës një tezë paralajmëruese, të cilën ai e formuloi si vijon: duke sajuar dhe trilluar “fakte të paqena” në historinë tonë kombëtare i bëjmë asaj dëm të madh, sepse të huajt skeptikë, që janë të mirinformuar e të vëmendshëm, i dallojnë sajimet dhe trillimet dhe atëherë rrezikojmë të mos na i besojnë as të vërtetat reale të historisë sonë.