Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes politikave bujqësore dhe dokumenteve strategjike synon zhvillimin e bujqësisë organike dhe rritjen e kapaciteteve e cilësisë të kësaj prodhimtarie.
Kështu tha sot zëvendësministri i BPZhR-së, Imri Demelezi, gjatë fjalimit të tij në “Ditën Evropiane të Produkteve Organike”, e organizuar nga Shoqata Organika dhe e përkrahur nga projekti i GIZ-it në Kosovë “Entrepreneurship Promotion”.
“Si dokument strategjik, në prill të këtij viti kemi finalizuar Planin e Veprimit për Bujqësinë Organike 2023 – 2026. Përmes këtij Plani të Veprimit, kemi përcaktuar hapat konkret që do të mundësojnë zhvillimin e kapaciteteve ekzistuese organike dhe ngritjen e atyre të rejave, ngritje të cilësisë së prodhimeve organike, rritje të të hyrave e rrjedhimisht edhe ndikimit pozitiv në nutricion.
Ndërkaq, përmes Programit të Pagesave Direkte 2023, MBPZhR-ja, ka mbështetur fermerët me vlerë prej 100 Euro /ha për sipërfaqet e certifikuara për prodhimtari organike, ndërsa për sipërfaqet te cilat ndodhen ne periudhën e konvertimit me vlerë prej 50 Euro/ha”, tha zëvendësministri Demelezi. Sipas tij, ngjarjet e tilla si kjo janë një rast i mirë për të shpërndarë informacione mbi përfitimet e bujqësisë organike për mjedisin, shëndetin, dhe ekonominë.
Ndryshe, gjatë kësaj ngjarje është organizuar edhe panel diskutimi me temën “Bujqësia organike në Kosovë, e kaluara dhe e tashmja”. /Telegrafi/