Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka bërë publikimin e regjistrave të deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë publik për vitin 2024.
Në këta formularë zyrtarët kanë deklaruar shtëpi e vetura, troje e pasuri të gatshme monetare.
Por disa politikanë kanë deklaruar edhe pasuri në aksione dhe kriptovaluta.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka dhanë detaje për aksionet që ai posedon në disa brende të njohura ndërkombëtare.
Aksionet ministrit i kanë mbetur pothuajse të pandryshuara në kompaninë Tesla, Allianz, e Volkswagen, derisa në Netflix ai nga viti i kaluar ka një ndryshim të madh.
Nga 6 mijë euro, aksionet Muratit i kanë kaluar në mbi 12 mijë euro në kompaninë e njohur Netflix.
Si pasuri të paluajtshme, ministri i Financave ka deklaruar një banesë në vlerë prej 38 mijë euro dhe tokë në vlerë prej 23 mijë euro e blerë në vitin 2017 nga kursimet.
Para të gatshme, Murati ka deklaruar se ka mbi 21 mijë euro në dy banka në Kosovë.
Sa i përket posedimit të aksioneve në shoqëri komerciale, Murati ka deklaruar një Superprona Op, ku ka 50 për qind të aksioneve, dhe një biznes tjetër 99 Ngjyra OP, ku po ashtu ka 50 për qind të aksioneve.
Përveç këtyre, ai ka deklaruar 17 mijë euro pagë neto që merr nga Qeveria, 1050 euro mëditje si dhe devidentë vjetore më vlerë 576 euro./Telegrafi/