Site icon Telegrafi

Deklaratë e Bashkimit Evropian për takimin e 14 shtatorit dhe dialogun Kosovë-Serbi

Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka dalë me një deklaratë për media lidhur me takimin e 14 shtatorit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Në deklaratën e Borrellit shprehet shqetësim për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të marra me marrëveshjen për normalizimin e raporteve dhe aneksin e zbatimit, raporton Telegrafi.

Më tej thuhet BE-ja u kujton palëve përgjegjësinë e tyre për të respektuar parimin e konfidencialitetit në dialog, gjersa përmend edhe çështjen e pronësimit të tokave, masat ndaj Kosovës, zgjedhjet në veri, e çështje tjera.

Lexoni të plotë deklaratën:

Dialogu Beograd-Prishtinë: Deklaratë e Përfaqësuesit të Lartë në emër të Bashkimit Evropian për atë që pritet prej Serbisë dhe Kosovës

Pas takimit të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë më 14 shtator në Bruksel, BE-ja shpreh shqetësimin e vet për mungesën e zbatimit nga palët të zotimeve të tyre sipas Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj, për të cilat të dyja palët janë dakorduar në fillim të këtij viti, dhe të cilat janë të detyrueshme për to dhe luajnë rol në rrugën evropiane të palëve.

BE-ja u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe në mirëbesim. Kjo nënkupton fillimin e zbatimit pa vonesa të mëtejshme bazuar në Propozimin e BE-së, i cili gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për t’i zbatuar plotësisht të gjitha Marrëveshjet e kaluara të Dialogut. Puna për themelimin e Asociacionit/Komunitetit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa asnjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm.

BE-ja ua rikujton palëve përgjegjësinë e tyre për respektimin e parimit të konfidencialitetit në Dialog, i cili është komponent kyç i çdo procesi negocimi me ndjeshmëri politike.

BE-ja mbetet po aq e shqetësuar për mungesën e progresit nga të dyja palët për de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës, disa muaj pas shpërthimit të fundit të dhunës që solli lëndime të qytetarëve, trupave të KFOR-it, policisë dhe përfaqësuesve të mediave, disa me pasoja të rënda dhe të përhershme.

Përkundër thirrjeve të përsëritura nga BE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, hapat e ndërmarrë deri më tani mbeten të pamjaftueshëm dhe situata e sigurisë në veri mbetet e tensionuar.

Në këtë kontekst, lëvizjet e Kosovës – duke përfshirë shpronësimet e tokës në veri të Kosovës, urdhrat për lirim të banesës, telekomunikacionin dhe përdorimin e forcave speciale të policisë për detyrat e policimit në bashkësi – nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe rrezikojnë të kontribuojnë në rritjen e mëtejshme të tensioneve.

Janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë sulmet e vazhdueshme në shkallë të vogël nga grupe kriminale dhe frikësimi i kadetëve serbë të Policisë së Kosovës të rekrutuar rishtazi / popullatës lokale. Bllokimi nga Serbia i udhërrëfyesit për Energjinë, si dhe përpjekjet e tjera që nuk janë në përputhje me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e saj, bien ndesh me frymën e procesit të Dialogut.

Kërkesat e bëra në Deklaratën në emër të BE-së të datës 3 qershor mbeten plotësisht valide. Masat e kthyeshme që ka marrë BE-ja mbeten në fuqi, duke përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me Kosovën.

BE-ja është e gatshme t’i heqë këto masa në rast të përparimit në përmbushjen e kërkesave ekzistuese, ose të vlerësojë masa të mëtejshme ndaj të dyja palëve, nëse është e nevojshme.

BE-ja rikujton rëndësinë e mbajtjes së shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme lokale në veri të Kosovës për të ndihmuar në zbutjen e tensioneve. Është e nevojshme zgjidhja më e shpejtë për të mundësuar shpalljen e zgjedhjeve.

Ne i inkurajojmë serbët e Kosovës që të angazhohen plotësisht në procesin zgjedhor dhe ta deklarojnë publikisht pjesëmarrjen e tyre të pakushtëzuar.

BE-ja u bën thirrje të gjithë akterëve politikë, në të gjitha nivelet e qeverisjes, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, që të angazhohen në mënyrë konstruktive në procesin që çon në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri të Kosovës, të shmangin hapat e mëtejshëm përshkallëzues, si dhe të mbështesin përparimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

BE-ja shpreh mbështetjen e plotë për përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell në cilësinë e Lehtësuesit të Dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe të Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së Miroslav Lajçak  dhe ua rikujton palëve se rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë kalon nëpër Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve të tyre.

Të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësitë për përparim në rrugët e tyre evropiane. /Telegrafi/

Exit mobile version