“La Petite République” ka botuar të enjten e 17 qershorit 1920, në faqen e tretë, një shkrim në lidhje me deklaratën e kryeministrit serb për vrasjen e Esat Pashës.
“Duke iu përgjigjur në Parlament, pyetjes së z. Dragoviq në lidhje me vrasjen e Esat Pashës, i cili pyeti nëse ishte një hakmarrje apo një krim politik, presidenti i këshillit (kryeministri), z. Vesniq (Millenko), tha:
‘Esat Pasha u vra në një vend të civilizuar ku respektohet jeta njerëzore. Shpresoj që qeveria franceze, duke ditur ndihmën që Esat Pasha i dha çështjes së përbashkët të Aleatëve gjatë gjithë luftës, duke u rreshtuar me ne me një ushtri shqiptare në frontin e Selanikut, të bëjë gjithçka për të gjetur fajtorin e vërtetë dhe do ta dënojë atë.
Unë deklaroj, në emër të vendit, që ne vajtojmë thellë për vdekjen e Esat Pashës, sepse ai ishte një mik i sinqertë i popullit tonë. Ne i shprehim ngushëllimet tona familjes së tij dhe të gjithë shqiptarëve të vërtetë.
Esati ishte një ushtar i shkëlqyeshëm, shumë inteligjent, shumë energjik; ai ishte armiku ynë kur mbrojti Shkodrën gjatë Luftës së Parë Ballkanike në 1912; por luftoi me besnikëri, siç ndodhi në të gjitha takimet tona me turqit.
Duke e gjetur popullin shqiptar të braktisur në dorë të fatit, ai i gjeti vendin e duhur midis popujve të tjerë Ballkanikë dhe veçanërisht midis popullit serb, për arsye të situatës gjeografike dhe interesave jetike të vendit.
Prova më e mirë e miqësisë së tij erdhi gjatë tërheqjes nga Shqipëria gjatë së cilës ai u dha ndihmë dhe asistencë popullit serb që largohej nga zgjedha e armikut.’
Ky fjalim u nderua me duartrokitje të fuqishme nga asambleja”. /Darsiani/