Site icon Telegrafi

Deçani synon që lisin Molikë ta fusë në listën e trashëgimisë së mbrojtur

Lisi Molikë, besohet të jetë i vjetër mbi 500 vjet. E veçanta e këtij lisi është trashësia e tij mbi 5 metra, gjë që bjeshkatarët thonë se zor mund të gjendet në bjeshkë të tjera. Andaj, Komuna e Deçanit e ka për synim që këtë lis ta fusë në listën e trashëgimisë së mbrojtur natyrore.

5.30 metra është trashësia këtij lisi të llojit “molikë” i cili po i numëron shekujt në bjeshkën e bukur të Baballoqit.

Banorët e këtij lokaliteti thonë se së paku 4 gjenerata e mbajnë mend kështu siç është, po me këtë madhësi, prandaj së fundmi kanë filluar edhe ta mirëmbajnë si aset të trashëgimisë natyrore në këto bjeshkë.

Lisat e tjerë përreth nuk e kanë trashësinë as sa të një dege të tij thonë këta bjeshkatarë.

Zyrtarët komunal të Deçanit thonë se “Molika e Baballoqit” është një lis karakteristik, qoftë për nga madhësia dhe degëzimet e tij. Sipas tyre, lis i tillë nuk haset askund në bjeshkët e komunave te tjera si të Pejës, Gjakovës dhe Junikut, prandaj kanë menduar që t’u propozojnë institucioneve qendrore që ai të renditet në listën e monumenteve natyrore dhe si i tillë të mbrohet nga shteti.

“Që kjo pishë të jetë në listën e monumenteve natyrore të  mbrojtura nga shteti. Dhe njëherit kjo do të jetë një pikë reference për juristët e ardhshëm dhe në këtë formë edhe bjeshka e Baballoqit ta ketë një pikë një diçka që shihet që është diku rreth 500 vjeçare që u ka mbijetua të gjitha kushteve natyrore. kështu që ja vlen të ruhet dhe të konservohet”, tha për RTK, Bajram Çeku, zyrtar në DBZHR në Deçan.

Banorët por edhe zyrtarët komunalë janë të bindur se propozimi i tyre do të hasë në mirëkuptim të institucioneve shtetërore sepse siç thonë ata, Ministria e Mjedisit edhe ashtu ka kërkuar nga komunat që çdo lis, që ka karakteristika të veçanta siç janë madhësia dhe vjetërsia të futet në listën e monumenteve të mbrojtura.

Exit mobile version