Arben Lagreta, që e cilëson veten si gazetar hulumtues, kohëve të fundit ka nxitur debate në lidhje me vdekjen dhe varrimin e trupit të pajetë të Gjergj Fishtës. “Hulumtimi” i tij bazohet në një bisedë me një shkodran, profesorin e shkencave bujqësore Ahmet Osja (1939-202) i cili ishte një vjeç kur ka vdekur Fishta, dhe konkludon se Fishta është helmuar me urdhër të Bennito Mussolinit, se është varrosur në kishën e Shirqit dhe se trupi i tij zhvarroset nga italianët dhe se zhduket në Romë. “Hulumtimin” e vet Lagreta po ashtu e bazon në bindjet dhe interpretimet personal për françeskanët, jezuitët dhe Vatikanin në përgjithësi. Mirëpo, përkitazi me vdekjen dhe varrimin e Fishtës, dëshmitë janë të shumta dhe ato i risjellin në kujtesë studiuesit e jetës dhe veprës së Fishtës, Frano Kulli dhe Ernest Marku. Pos kësaj, ekzistojnë edhe dëshmitë përmes fotografive të realizuara nga Gegë Marubi. Debatin e botuar në gazetën “Panorama”, mund ta lexoni si më poshtë.
***
GJERGJ FISHTËN E HELMOI MUSOLINI, DY USHTARAKË ITALIANË E ZHVARROSËN NGA KISHA E SHIRQIT DHE TRUPIN E ÇUAN NË ROMË?!
Nga: Arben Lagreta
Që Atë Gjergj Fishta ishte helmuar nga Musolini këtë ka rreth një dekadë që e dija nga bisedat me qytetarë të moshuar shkodranë të cilëve u kishin folur për këtë fakt ende të panjohur priftat franceskanë që kanë jetuar deri në vitet 2000.
Por, jo vetëm ata. Po kështu dhe nga të njëjtët burime dija edhe faktin tjetër akoma më të rëndë se trupin e Fishtës e kishin zhvarrosur italianët vetëm pak kohë pas vdekjes dhe e kishin zhdukur. Një ngjarje e tillë mund të anashkalohej apo edhe të fshihej nëse do t’i kishte ndodhur një njeriu të zakonshëm, por jo në rastin e një personaliteti si Atë Gjergj Fishta me kontribute të shquara patriotike, si shkrimtar dhe si prelat i lartë fetar në Shkodër. Për fat të keq në vazhdën e një tradite jo të mirë në kryeqendrën e Veriut, Shkodër, sipas së cilës “ca po më duhet mua që të flas për këto gjana, le të merren të tjerët se janë gjana me zarar” etj. si këto, ky fakt i çmueshëm historik nuk shkoi përtej bisedave nën zë në Kafen e Madhe, në kafeteritë e Piacës, Gjuhadolit e Parrucës si dhe në bisedat konfidenciale në përgjithësi të qytetarëve shkodranë që e përcillnin këtë kuriozitet te njëri-tjetri.
Ndërkohë, këtë informacion e verifikova në vitin 2017 gjatë një bisede të lirë me prof. Ahmet Osja ku nuk isha përgatitur për ta intervistuar. Për këtë i duhej gjetur rasti i përshtatshëm edhe për një fakt.
Prof. Ahmet Osja
Profesori dhe akademiku i njohur i Institutit te Misrit dhe Orizit ne Shkodër, Prof. Dr.Ahmet Osja ka ndërruar jetë para afro katër vjetësh, në shkurt të vitit 2020. I nderuar edhe me titullin prof. Honoris Causa në disa universiteteve perëndimore në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ai ka qenë një ndër specialistët më të mirë të bujqësisë në Shqipëri, por në të njëjtën kohë një mendje e ndritur me një bagazh shumë të gjerë kulturor që tejkalonte njohuritë në fushën e tij. Periudhën më të gjatë të karrierës së tij ai ka punuar si specialist dhe drejtues në Institutin e Misrit dhe Orizit në Shkodër deri në fillim të viteve 2000 kohë në të cilën edhe doli në pension. Në vitet ’80 ka qenë deputet i Kuvendit Popullor në një legjislaturë, ndërsa në vitin 1991 Ahmet Osja ka qenë ministër i Bujqësisë në qeverinë e parë postkomuniste Nano 1. Qytetarët shkodranë e mbajnë mend mirë ndershmërinë dhe idealizmin që ai demonstroi në ato pak muaj kur ishte në detyrën e ministrit. Mjafton të përmend një detaj: Gjatë asaj periudhe, vajtje-ardhjet për fundjavë në Shkodër nga Tirana dhe në kthim prof. Ahmet Osja nuk i bënte me makinën e ministrit që i takonte me ligj, por me tren.
Nga viti 2000 dhe derisa ndërroi jetë kisha miqësi personale me të sepse çdo herë që takoheshim, bisedoja dhe mësoja prej tij gjëra që nuk i dinte askush. Ahmet Osja shumë rrallë pranonte që të ulej për kafe apo çaj me të gjithë, sepse i pëlqente që të fliste në këmbë dhe në lëvizje aq më tepër që ndalohej në rrugë nga 20 deri në 30 persona në ditë të cilët, kush më shumë e kush më pak, donin që të përfitonin sado pak nga bagazhi i tij duke e respektuar dhe biseduar me të. Osja ishte erudit dhe me kulturë të gjerë njëlloj si një enciklopedi e gjallë dhe kishte një memorie kompjuterike sidomos përsa i takon datave të ngjarjeve të ndryshme historike. Me të takohesha më shpesh në parkun e madh të gjelbëruar pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës që është shumë pranë pallatit ku banonte dhe ka mbetur i paprekur që prej shumë dekadash. Nuk mbaj mend që ai të mos më ketë dhënë shpjegime qoftë edhe për një nga pyetjet që i bëja, nisur edhe nga natyra ime kurioze.
Deri pak ditë para se të ndërronte jetë, prof. Osja vijonte regjimin e tij të përditshëm duke studiuar çdo ditë deri rreth orës dy pas mesit të natës në bibliotekën e tij, e cila radhitet si një ndër bibliotekat familjare më të pasurat e profesorëve dhe akademikëve që ka nxjerrë Shkodra.
Kur prof. Osja po i mbushi të tetëdhjetat i sugjerova që disa prej fakteve historike ende të panjohura që ai donte t’i botoja në shtypin e shkruar, duke iu referuar atij, por ai nuk ishte dakord. Ia kërkova këtë edhe për faktin se gjatë gjithë kohës së gjatë të njohjes dhe miqësisë sonë ai kishte pranuar që të më jepte vetëm një intervistë për turizmin në Shkodër që u pat botuar në një gazetë të përditshme (“Sivjet do të duhej që të festonim 70-vjetorin e turizmit”, gazeta “Tema”, 2006). Por, kjo ishte shumë pak në raport me dëshmitë dhe faktet e panjohura nga askush në këtë vend që dilnin nga goja e tij gjatë këtyre bisedave me të që shkonin edhe me orë të tëra.
Sidoqoftë, kur në vjeshtën e vitit 2018, duke qenë edhe më i paduruar në kërkesën time të përhershme i thashë shkurt dhe prerë se “unë nuk mund të jem vetëm dëgjues i këtyre dëshmive por do t’ju regjistroj për pjesën e përgjigjeve të pyetjeve të mia”. Kësaj here, mbase edhe i lodhur nga këmbëngulja ime prof. Osja nuk kundërshtoi. Mesazhi i tij i koduar ishte i qartë. Unë nuk kisha pse të insistoja më në kërkesën time sepse tashmë e kisha lejen nga ai që t’ia publikoja prononcimet. Por, vetëm pas vdekjes së tij. Për arsye që i di vetëm ai dhe që i mori me vete. Ose thjesht sepse ashtu donte …
Teksa sot dëgjoj dhe ridëgjoj zërin e tij në diktafon, më ka mbetur në kujtesë edhe një thënie që Ahmet Osja ma përsëriste shpesh, edhe në prani të ndonjë kolegu të cilën atij ia kishte thënë një koleg dhe shkencëtar i huaj në një ndër udhëtimet e tij të shumta të profesionit jashtë shteti qysh para viteve ’90: “Çdo personalitet i çdo fushe, akademik apo profesor qoftë, do të ketë një mangësi në veprimtarinë dhe angazhimet e tij nëse nuk ka miqësi me një gazetar”.
Gjergj Fishta u helmua nga Benito Musolini
Po zbardh citimin e drejtpërdrejtë të prof. Ahmet Osja që e kam të ruajtur në diktafon në lidhje me këtë fakt historik ende të panjohur për publikun shqiptar diku rreth vjeshtës së vitit 2018, prof. Ahmet Osja u prononcuar në mënyrë të plotë për këtë fakt të panjohur historik që unë e dija vetëm me të dëgjuar në Shkodër që prej vitit 2013 nga persona të tjerë dhe që më kishte intriguar kaq shumë. Nuk kisha se ku të gjeja një burim më të sigurtë informacioni sesa te kjo enciklopedi e gjallë në Shkodër.
Osja: “Fishta ka lindur më datë 23 tetor të vitit 1871 dhe ka vdekur më 30 dhjetor 1940 pak pas mesit të natës në 00:46. E marrin dhe e varrosin në varrezat e kishës së Shirqit përtej fshatit Bërdicë. Vetëm pak muaj më pas, në vitin 1941 kanë ardhur dy oficerë italianë me makinë në këto varreza, ia kanë nxjerrë trupin ende të paprishur nga varri dhe ia kanë djegur në Romë. Varrezat e Shirqit ku u varros Fishta janë përmbytur nga Drini dhe unë nuk arrij që të kuptoj sot se ku e kanë gjetur atë varr të paqenë të Fishtës ndonjë shoqatë, e cila bën homazhe gjoja para varrit të tij”!
Gjithnjë sipas prof. Osja: “Kjo ndodhi për arsye se Atë Gjergj Fishta përgjatë vajtje-ardhjeve të tij në Vatikan kishte pasur rast që ta shihte nga afër në Romë, Benito Musolinin. Ndërkohë, gjatë bisedave të lira Fishta është shprehur me shpoti dhe tallje për paraqitjen fizike të Benito Musolinit duke thënë për të ndërmjet të tjerash se ‘Ai (Musolini – shënim) e ka kryet rrumbullak si kungull vrake’” (fshat pranë qytetit të Shkodrës – shënimi im A.L.).
Në kushtet e Shkodrës, të një qyteti të njohur edhe ndërkombëtarisht si një qendër e spiunazhit ku kryqëzoheshin e madje vijojnë që të kryqëzohen edhe sot shumë interesa të Lindjes dhe të Perëndimit, fjala mori dhenë menjëherë nga hafijet me pagesë dhe ata vullnetarë dhe i shkoi në vesh pikërisht vetë të sharit, liderit fashist italian Benito Musolinit.
Gjatë kësaj bisede, e cila ka disa ndërhyrje të miat për t’u përqendruar vetëm në këtë fakt, për eliminimin fizik të Fishtës, Musolini përdori një metodë dinake e cila vijon që të jetë e suksesshme edhe sot e kësaj dite sidomos nga politika dhe diplomacia nëpërmjet shërbimeve sekrete.
Musolini e ftoi Fishtën në Romë në verën e vitit 1940 për ta dekoruar dhe gjatë audiencës e qerasi sipas zakonit shqiptar me kafe dhe raki. Dhe, kjo rezultoi fatale për këtë të fundit.
Duke filluar nga shtatori i vitit 1940 Atë Gjergj Fishta u sëmur dhe shëndeti i tij mori teposhtë nga dita në ditë. Mjekët konstatuan përmbajtje arseniku në gjakun e tij …
Për fat të keq, Fishta nuk e parashikoi këtë veprim djallëzor të liderit fashis dhe t’i shmangej shkuarjes në Romë, duke nxjerrë ndonjë justifikim, p.sh. arsye shëndetësore që përdoret rëndom si justifikim kudo. Vetëm pas helmimit dhe kur i filluan problemet e para shëndetësore, Fishta ishte koshient se nuk do të jetonte gjatë pasi helmimi me veprim të ngadaltë filloi të jepte efektet e parashikuara. Diku rreth nëntor të vitit 1940, gjithnjë sipas Prof. Osja, Fishta u pat shprehur me rrethin e tij të miqve: “E di se nuk e kam të gjatë, unë nuk do të jetoj ma. E di edhe nga më erdhi kjo”, derisa edhe u shua në minutat e para pas mesit të natës së datës 30 dhjetorit 1940.
Ndërkohë, në Varrimin e Atë Gjergj Fishtës mori pjesë e gjithë qytetaria shkodrane së bashku me drejtuesit fetarë dhe vendorë te kohës në varrezat e Shirqit. Fjalën e lamtumirës e pat mbajtur Myftia i Shkodrës, çka dëshmon edhe njjë herë se Fishta ishte një figurë poliedrike përtej religjionit, e cila kishte tejçuar gjithmonë respekt te qytetarët e Shkodrës.
Përse hesht kisha katolike shqiptare?
Duke iu rikthyer kësaj ngjarjeje të panjohur vetvetiu lindin disa pyetje.
– Përse hesht kisha katolike shqiptare për këtë vrasje të pabesë?
Që nga hapja e vendit në vitin 1991 e deri më sot askush nuk ka folur apo shkruar për këtë krim përveç bisedave në kafene edhe ato me gjysmë zëri në Shkodër të atyre pak të moshuarve që kishin dijeni për këtë histori. Kjo për faktin e thjeshtë se me ardhjen e demokracisë e deri në fillim të viteve 2000 kanë qenë gjallë dhe të fortë sa të duash priftërinj françeskanë që prej vitit 1940 kur edhe ndodhi ky krim ishin të rinj. Po kështu, ka pasur dëshmitarë edhe në varrezat e kishës së Shirqit ditën kur dy oficerët italianë të policisë sekrete të Duçes hapën varrin dhe i nxorën trupin ende të patretur të prelatit të lartë fetar, shkrimtarit dhe patriotit të shquar Atë Gjergj Fishta. Pra, një ngjarje e tillë në raport me një personalitet të njohur si Fishta nuk mund të bëhej në fshehtësi dhe pa e marrë vesh njeri.
Por, duke e parë në kënvështrimin se Vatikani përveçse një qendër e centralizuar e Kishës Katolike është edhe shtet që bën politikën e saj, për mendimin tim ka një shpjegim. Fishta me patriotizmin e tij shkonte përtej qëndrimeve pro italiane, p.sh. kur i ndaluan pëqr disa kohë botimin e revistës “Hylli i dritës”. Por, ky i fundit kur ishte puna për çështjen shqiptare ishte në radhë të parë patriot edhe në raport me qëndrimin e shtetit të Vatikanit. Është i ditur fakti se kur u nis në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, Fishta kishte lënë një takim me Papën në Vatikan gjë që nuk u realizua për shkak të anulimit në momentin e fundit nga Papa. Gjë e cila të çon në arsyetimin se Vatikani nuk ishte në një linjë me Fishtën për çështjen shqiptare. Aq e vërtetë është kjo saqë edhe sot e kësaj dite Vatikani nuk e njeh shtetin e Kosovës. Me fjalë të tjera kemi një kontinuitet që prej mëse një shekulli të këtij qëndrimi të shtetit të Vatikanit në raport me çështjen shqiptare. Gjërat duhen thënë ashtu siç kanë qenë dhe akoma më shumë ashtu siç janë. Mjaft më me inferiororitet ndaj të huajve në përgjithësi qofshin këta edhe miqtë tanë historikë.
– Përse heshtin historianët shqiptarë për këtë vrasje të bujshme? Apo janë ende të zënë dhe të ndarë në dy kampe dhe po “hulumtojnë” ende që prej vitit 1992 për datën se kur iku gjermani i fundit nga Shkodra, më datë 28 apo 29 nëntor 1944?!
– Përse hesht diplomacia amatore dhe ende foshnjore shqiptare, për të mos thënë më tepër?
– A e dinë historianët dhe diplomatët shqiptarë se Armenia krenohet nëpërmjet diplomacisë së saj profesionale dhe asaj kulturore me vetëm me dy gjëra: Me gjenoicidin që Turqia ka bërë në këtë vend në vitin 1913 dhe me këngëtarin e famshëm francez me origjinë armene Charles Aznavur? Pra, vetëm me pak gjëra, por nëpërmjet të cilave armenët ia kanë dalë që të dëgjohen dhe të vlerësohen në kancelaritë e Perëndimit dhe bravo i qoftë për këtë.
Po sa dhjetëra gjenocide kemi pësuar ne si komb gjatë shekujve dhe sa qindra artistë, sportistë dhe dijetarë me famë botërore ka nxjerrë Shqipëria, historia dhe diplomacia e së cilës ose i kanë vënë në pah pjesërisht në bazë të interesave politike të momentit ose i kanë lënë në hije dhe të panjohur si për publikun shqiptar ashtu edhe për atë të huaj?!
Arsyeja e heshtjes për mendimin tim është shumë e thjeshtë. Sepse jemi mësuar historikisht si popull, por akoma më shumë në Shkodër me mentalitetin që të mërmërisim nëpër dhëmbë të vërtetat dhe të jemi inferiorë dhe frikacakë karshi të huajve, por edhe në raport me skandalet që ndodhin në përgjithësi në këtë vend. Por, në kushtet kur Benito Musolini u var për këmbësh me gjithë të dashurën nga vetë italianët ashtu, si edhe fashizmi dhe nazizmi u dënuan dhe u penalizuan në Gjyqin e Hagës dhe në tërë botën, kjo heshtje është e pafalshme. Nuk bëhet historia dukë folur me vedi dhe dukë bëlbëzuar me nëpër kafene dhe mejhane, “kështu dëgjova por mos i thuaj kujt”. Sepse fjalët i merr era, ndërkohë që fjala e shkruar mbetet fakt.
Gjergj Fishtës duhet t’i akordohet titulli i larte “hero i popullit”
Pasi mëson për këtë krim të mirëfilltë lufte të kryer me gjakftohtësi nga një prej tre krerëve të aleancës fashiste Romë-Berlin-Tokio, Benito Musolinit kundër një prej personaliteteve më të shquara të letrave shqipe dhe po ashtu një prej patriotëve më të shquar të historisë shqiptare si Atë Gjergj Fishta, mendoj pa më të voglin hezitim se historia e Shqipërisë duhet që të ridimensiohet në raport me vetë personalitetin e tij. Atë Gjergj Fishtës duhet që t’i akordohet menjëherë nga Presidenti i Republikës titulli “Hero i Popullit”, pasi përveç meritave të tij të padiskutueshme si shkrimtar dhe patriot i shquar ai është edhe një hero antifashist i vrarë me pabesi në vitin 1940 ose në fillim të Luftës së Dytë Botërore kur fitorja kundër fashizmit dhe nazizmit, të paktën në Europë, as që mund të mendohej dhe vetëm ëndërrohej. Fitorja mbi fashizmit nga shtete si Anglia e bombarduar dhe Franca që i ra në gjunjë zyrtarisht Gjermanisë dhe pa hyrë fare në luftë nëpërmjet qeverisë tradhtare dhe kolaboracioniste të asaj kohe aq që mund të mendohej derisa hynë në lojë Rusia dhe ShBA-ja. Me fjalë më të thjeshta, kjo vrasje e pabesë dhe makabër është një dekoratë më shumë për Atë Gjergj Fishtën.
Por, jo vetëm kaq. Unë gjykoj se emri i Atë Gjergj Fishtës i duhet vënë Aeroportit të Rinasit për faktin e thjeshtë se Nënë Tereza, thuajse të gjithë veprimtarinë e saj bamirëse nuk e ka zhvilluar në Shqipëri, por në Indi ku edhe vdiq në vitin 1997. Ndërsa me një krahasim të drejtpërdrejtë, Fishta qëndron shumë më lart se Gonxhe Bojaxhi.
Gjithsesi kjo mbetet për t’u parë nga ata institucione të shtetit shqiptar që e kanë për detyrë dhe kompetencë, por unë i mbetem sugjerimeve të mia sepse një figurë e shquar si Atë Gjergj Fishta është akoma më shumë e nderuar pasi vdekja e tij nuk erdhi nga shkaqe natyrore, por me urdhër dhe hjekësi të liderit fashist Benito Musolini. Pra, është një dekoratë e shtuar për të.
E di fare mirë se pasi të publikohet ky fakt i panjohur historik, shumë nga ata sehirxhinjtë e kafeneve të lagjeve, por edhe analistët gjithologë që na japin mend për gjithçka dhe për çdo gjë për çdo mbrëmje nëpër televizione do të nisin që të “komentojnë” … Ata do të jenë të lirë që të vijojnë misionin e tyre të gjithologut dhe të kontribuojnë me orë të tëra nëse kanë për të shtuar ndonjë informacion plotësues. Por, pas meje …
***
GJERGJ FISHTA ËSHTË VARROSUR NË KISHËN FRANÇESKANE NË SHKODËR, VEPRA E PLOTË QARKULLON LIRSHËM
Nga: Frano Kulli
Mbamendjet, përpos emocioneve që sjellin, sidomos kur ato tregohen bukur përbëjnë një lëndë të çmuar edhe për historinë. Por, kurrsesi ato nuk janë vetë historia. Rëndesa e vlerës së tyre ka një raport proporcional me rëndësinë ngjarjes a personit, i cili ka pasë çukitë në memorjet e bashkëkohësve.
Sa më me peshë publike të ketë qenë personi përreth të cilit vërtiten mbamendjet që tregohen, aq të shumta e të larmishme janë ato. Mirëpo, jo kurdoherë gjithëçka mbahet mend e thuhet si mbamendje është vetë e vërteta. Madje ato, varësisht prej mënyrës sesi rrëfehen e ngjyresës së përshkrimit bisedor, gjithmonë i largohen të vërtetës dhe dashtë e pa dashtë kthehen në legjenda e fillojnë e krijojnë mitet.
Kjo ka ngjarë edhe me At Gjergj Fishtën. Terratisja e figurës dhe emrit të tij e veprës gjithashtu, përreth 50 vjet e ka thelluar hendekun midis të vërtetave përreth tij e miteve të krijuara. Për do vite të mira në fillimvitet ’90 të shekullit që shkoi, flitej e përmendej, me rend e pa rend, i mvisheshin atij edhe lavde që s’kishin qenë të tijat e s’kishin pasë lidhje me të, e s’ishte nevoja për to, kurse ajo çka vetë Fishta ishte, vetë shkaku i përmendjes, ajo që e kishte pasë kthyer emrin e tij në një mit qysh në gjalljen e vet, pra vepra e tij letrare e të gjitha gjinive, që ai kishte lëvruar dhe veprimi i tij publik në dobi të Shqipërisë e shqiptarëve, vijonte të ishte prap e strukun në harresë e nuk e kishte kapërcyer ende pragun e dritës. Sikurse nuk ishin rikthyer ende kronikat e shkruara e të botuara në bashkëkohësinë e tij, ata që kishin zënë fill atë çast mbasi ai kishte mbyllë sytë.
Tani kjo është e shkuara, vepra e tij e plotë qarkullon lirshëm, sikurse edhe mbamendjet e bashkëkohësisë janë ribotuar rishmësi e janë në duart e kujtdo që dëshiron t’i ketë ato.
Por, po ndodh prapë rendja kurreshtare mbas thashethemeve edhe, mbasi kanë kaluar 34 vjet prej atëhere dhe, tani nuk më duket se ka arsye të ndodhë. Tani, rrëfimet si mbamendje, që, duke kaluar gojë m’ gojë, në formën e thashethemeve, patën ndërtuar dikur mitin, kanë rënë e nuk vlejnë përpara dëshmive autentike të risjella e publikuara si atëherë kur kanë ndodhë. Dhe këtë e dëshmojnë të shkruarat e françeskanëve bashkëkohës, të cilat, pa kurrfarë mëdyshje janë ku e ku më të pranueshme si të vërteta historike sesa “biseda me qytetarë të moshuar shkodranë të cilëve u kishin folur për këtë fakt ende të panjohur priftat franceskanë që kanë jetuar deri në vitet 2000”. Të cilët paskan pohuar se: “Vetëm pak muaj pas vdekjes së tij në varrezën e kishës së Shirqit në Shkodër, në pranverë të vitit 1941, kanë ardhur me një makinë dy ushtarakë italianë të SIM, e kanë zhvarrosur dhe i kanë marrë trupin ende të patretur me vete. Në vijim, këta të fundit e kanë transportuar në Romë, ku edhe e kanë djegur në bazë të urdhrit të dhënë nga Musolini, të cilit nuk i mjaftoi as eliminimi fizik i Gjergj Fishtës vetëm për një shpotitje, por egoja e tij prej diktatori duhej që të ngopej edhe me veprimin makabër të djegies së eshtrave të tij…”!
Domethënë, Fishta qenka varrosur në Shirq?!
Në të vërtetë, françeskani i parafundit prej “françeskanëve të m’dhaj [mëdhenj]”, bashkvëlla në Urdhërin e Shën Françeskut i Fishtës, po dhe ndër bashkëpunëtorët më të afërt të tij, përkujdestari i vetëm gjuhësor i veprave të Poetit Kombëtar, të cilin ai e çmonte shumë: At’ Viktor Volaj, ka vdekë në 1995, me 5 nëntor. (I fundit është At Leon Kabashi, që ka vdekur me 11.11.1998.) Njëri ndër dëshmitarët e frymës së fundit e i varrimit të tij, po se po. Edhe kronikani i gjithë ngjarjes së përmortëshme, gjithashtu. Dhe kronika e tij, gjëndet e shkruar. E, ndoshta në një rast mëdyshjesh e për davaritjen e tyre, kur vjen fjala për saktësime të fakteve të së shkuarës, vlen ma shumë se kurrë sentenca latine: “Scripta manent, verba volant” (E shkruara mbetet, fjala fluturon).
Në “At Gjergj Fishta, 1871-1940 ” përgatitur nga At Benedikt Dema në 1941-shin ai na dëshmon: “N’oren 10 në mbrame shkova edhe njiherë me e pa …Mbas nji ore kthyem në Kuvend, tue lanë në rojë At Antonin Fishten e A. Sebastjan Deden. N’at gjendje të zhgrehunit, mâ fort fjetë se zgjuet kishte vijue deri n’orën 00:35, kur pa pritë e pa kujtue, mbas nji trandjeje nji çasi të vetem, u shkim prej nji sulmit kardjak, tue pasë përbri vllazent e siperpërmendun …. Dhe derisa ka mbyllë sytë, prej tij nuk kemi asnjë dëshmi tjetër të ndryshme nga kjo. As me gojë as me shkrim”.
Ndërsa, At Benedikt Dema, përkujdestari e përgatitësi i librit në fjalë shkruan: “Korteu i gjatë e i madhnueshëm, msa gjithnji kjáte qiell e tokë, u leviz për të mbramen herë kah Kisha e Françeskanëve me atë shumicë kunorash e me dekorata, qi dishmuen veprimtarín tanë meritime të Poetit Kombëtar, përpara qerrit të përmortshem të terhjekun prej gjashtë kualsh së pështjellun në pëlhurë të zezë; arken e dekës e mbëlote flamuri kombtar e aj i Italís, qi e bani pjestarin e Akademís së vet. U vendue rishtas në katafalkun e perparshem në mjedis të kishës deri qi mâ vonë Sivllazent e vet e vorruen në fund të Tempullit-n’anën e majtë prej të himit (hyrjes)…”.
***
SI U ZHDUK TRUPI I GJERGJ FISHTËS: NË CEREMONINË E VARRIMIT, ARKIVOLI ISHTE BOSH?!
Nga: Arben Lagreta
Kur të dielën e parë të janarit të këtij viti i dhashë “send” artikullit investigativ për helmimin e Gjergj Fishtës nga Musolini e mbylla menjëherë laptopin dhe u nisa drejt Rinasit në udhëtimin tim të dytë ndërkontinental. Shkrimi u botua pas tetë ditësh më datë 15 janar kur unë sapo isha kthyer. Megjithatë, kjo periudhë qëlloi dhe vijon të jetë shumë e ngarkuar për mua. Nuk jemi si në shtetet e tjera të Europës ku statuti i një reporteri investigativ është i rregulluar me ligj deri në titullin “grand reporter” nga edhe ku mund të kesh më e pakta dy javë kohë për t’u marrë vetëm me një investigim. Ishte Arben Cokaj që më njoftoi rastësisht në Piacë se prej mëse një jave gazetari dhe studiuesi i jetës dhe veprës së Fishtës, Frano Kulli, kishte botuar një artikull interesant për vendin e varrimit të Fishtës. Mirëpo, unë kisha investiguar jo për këtë, por për faktin se ai ishte helmuar nga Benito Musolini dhe se trupin e tij e kishin zhdukur Policia Sekrete e liderit fashist.
Posedoj sinkronin e zërit të prof. Ahmet Osja në intervistën që i mora në vjeshtën e vitit 2018 ose vetëm 18 muaj para se ai të ndërronte jetë. Unë thjesht kam publikuar ato që Osja më ka pohuar. Nëse nuk do të kisha paraqitur sinkronin e zërit të tij mua nuk do te ma botonin shkrimin e datë 15 janar 2024 te “Panorama”. Qysh në fund të dhjetorit kontaktova me Aleksandër Cipën, të cilit i shpjegova shkurt se për ca bëhej fjalë. “Ngjarja qenka shumë intriguese Ben, se jam me njerëz e nuk kam kohë që të flasim më gjatë. Nëse e posedon sinkronin e zërit të Ahmet Osja ma nis dhe shkrimin e ke të botuar. Fjalët e tepërta janë fukarallëk”, është kjo që më tha Cipa si profesionist i racës së hershme të gazetarisë së shkruar shqiptare, shkurt, saktë dhe qartë. Pra, megjithëse rrënjët i ka nga cepi tjetër i Shqipërisë, Sandri e di fort mirë se kush ishte enciklopedia lëvizëse jo vetëm e Shkodrës por e tërë vendit Ahmet Osja. Çka mjerisht edhe sot e kësaj dite nuk e dinë jo pak intelektualë me tituj shkencorë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ku Osjes në fakt nuk ia është dhënë nderimi që në të vërtetë meritonte.
Por, mua, në fakt, ajo që më intrigoi për t’i marrë këtë intervistë Ahmet Osjes nuk ishte vendi ku Fishta u varros, por fakti se ai nuk patì nje vdekje natyrale, por ngaqë u helmua me pabesi nga lideri fashist Benito Musolini ngaqë ishte shprehur në biseda të lira me njerëz për Duçen se e ka kryet si kungull Vrake. E këtë e kisha edhe nga dy burime të tjera ose 5-7 vjet para bisedave të para me këtë temë me prof.. Ahmet Osja, respektivisht në vitet 2009 dhe 2011. Por, këto ishin dëshmi, të cilave nuk donin tu dilnin për zot publikisht personat të cilëve ua mora. Pra, efektivisht ishin dëshmi të vdekura.
E, diskutimet, debatet apo dhe kundërshtitë duhen përqendruar këtu e jo anash.
Franon e njoh dhe e respektoj, por ai e shmangu debatin që do të duhej bërë në shkrimin e tij të datës 19 janar te “Panorama”. Unë nuk kam pretenduar për të gjetur vendin se ku është varrosur Fishta, sepse këtë e dija fort mirë para se ta pohonte aty Frano. Pra, se varrimi i tij u bë në Kishën Françeskane të Shkodrës. Pra, nuk është ky objekti i investigimit tim.
Frano qartësoi për publikun faktin se ku është varrosur Fishta, por kjo nuk e zhvendos as edhe një milimetër thelbin e asaj që unë kam publikuar i pari në shtypin shqiptar në datën 15 janar 2024 te “Panorama” dhe që është i saktë si një e një që bvjnë dy.
Atë që Gjergj Fishta u helmua me pabesi nga Musolini, pasi u spiunua nga fuksat e Shkodrës dhe në vijim edhe nga ata të Vatikanit të cilët ia çuan fjalët e tij shpotitëse në vesh vetë të tallurit, pra kreut fashist Benito Musolini i cili nga ana e tij si diktator nuk pyeste as për kishë e as për xhami, por e bënte ligjin si të donte vetë. Në fakt, ashtu siç kanë bërë historikisht të gjithë diktatorët. Ashtu si edhe e bëri si kriminel gjakftohtë në raport me klerikun e mirë, atdhetarin me kontribute historike dhe shkrimtarin e shquar shqiptar, Atë Gjergj Fishta. Por, jo në publik, por pas mesit të natës. Praktikë kjo e njohur në të gjitha vendet diktatoriale. Por, që nuk pati burrërinë e as këllqe që të mos binte i gjallë në duart e rezistencës italiane kur e kapën dhe e varën për këmbësh njësoj si ndonjë zog kurve së bashku me të dashurën.
Frano, si studiues i Fishtës, do të duhej që të merrej me thelbin e asaj që unë e publikova, nëse do të kishte gjë për të plotësuar apo edhe për kundërshtuar e jo të ndalej në gjëra për të cilat unë nuk kam pretenduar e as që pretendoj që t’i ndryshoj. Frano posedon edhe sinkronin e zërit të Ahmet Osjas që ia kam nisur me kohë …
Çfarë ndodhi në mesnatën ndërmjet 30 dhe 31 dhjetorit 1940?
Atë se çfarë ndodhi në mesnatën e paharruar ndërmjet 30 dhe 31 dhjetorit të vitit 1940 ma kishin thënë qysh në vitet 2009 dhe 2011 dy burime të ndryshme në Shkodër, por që nuk donin në asnjë mënyrë që të prononcoheshin publikisht. Që të dy këta burime kishin një të përbashkët edhe më dëshminë e prof. Ahmet Osjes. Atë se një makinë me dy oficerë italianë erdhën dhe e morën kufomën e Fishtës dhe u zhdukën në errësirë.
Kurse dy burimet e mia të para që duan të ngelen anonime kanë të përbashkët edhe një detaj tjetër: “Dy oficerë italianë me uniforma dhe spaleta të papame (uniforma e SIM-it, jo e njohur këtu – shënim) erdhën me makinë në ‘Rrugën e Gjuhadolit’ dhe u futën në rrugicën e Kishës së Murgeshave”. Pikërisht aty ky trupi pa jetë i Gjergj Fishtës ishte lënë pasditen e datës 30 dhjetor deri të nesërmen më datë 31 dhjetor 1940 kur do të bëhej edhe varrimi i tij madhështor. Trupi i Atë Gjergj Fishtës u grabit përdhunshëm nga dy oficerë të Shërbimit Sekret – SIM, alias të policisë sekrete private të Musolinit në Kishën e Murgeshave ose siç quhet sot në Kishën e Motrave Stigmatine, pak pas mesnatës ndërmjet 30 dhe 31 dhjetorit 1940.
Tashmë, në bazë edhe të burimeve të tjera plotësuese për të cilat kam pasur mëse mjaftueshëm kohë, një skuadrion civilësh prej rreth 10 vetësh i SIM-it kishte mbërritur me avion në Tiranë enkas për të kryer këtë operacion të arsyes shtetërore, në Shkodër. Makina me dy oficerë të SIM-it pasi ka përshkuar “Rrugën e Gjuhadolit” ka hyrë ne rrugicën qorre të Kishës së Motrave Stigmatine dhe është ndalur duke bllokuar hyrjen e çdo kalimtari të vonuar në atë orë të vonë. Civilët të parët dhe në vijim shefat e tyre me spaleta të SIM-it, dy oficerët kanë hyrë brenda në Kishën e Motrave Stigmatine dhe kanë terrorizuar murgeshat e kësaj kishe. Me ndihmën e skuadrionit të civilëve të mbërritur më parë në këtë kishë, në bazë të planit të këtij operacioni sekret duke u thënë atyre: “Këto që do të shihni e dëgjoni këtë natë do t’ia tregoni vetëm varrit. Përndryshe, ju dhe të gjithë pjesëtarët e familjeve tuaja do t’ju shuajmë deri në brezin e tretë si ndëshkim”.
Ata e kanë marrë dhe transportuar trupin pa jetë të Gjergj Fishtës me avionin me të cilin erdhën drejt Romës nga edhe ku edhe e kanë zhdukur atje pa lënë gjurmë.
Për pasojë, në ceremoninë e varrimit arkivoli i Atë Gjergj Fishtës ka qenë bosh. Për të kompensuar peshën trupore mund të kenë vendosur brenda ndonjë buratino apo objekt. Pra, po luhej edhe vijimi i zbatimit të urdhrit të SIM, që varrimi duhej të kryhej sikur të mos kishte ndodhur asgjë në sy e faqe të qytetarëve shkodranë. Të gjithë priftërinjtë e Arqipeshkëvnisë së Shkodrës kanë qenë të terrorizuar sepse ajo që kishte ndodhur kishte qarkulluar nën zë. Për pasojë, në orët e para të mëngjesit të datës 31 dhjetor 1940 askush nga drejtuesit e Arqipeshkëvnisë së Shkodrës nuk ka guxuar që të mbajë fjalën e lamtumirës së Atë Gjergj Fishtës. Në këto rrethana të papara fjalimi i lamtumirës së Fishtës i është kaluar me diplomaci Myftisë së Shkodrës. Nuk dihet e nuk është detyra ime që ta di nëse Myftiu i Shkodrës u vu në dijeni nga Arqipeshkvnia për atë që kishte ndodhur me trupin e Fishtës në kishën e murgeshave. Porse është fakt që fjalimin e mbajti Myftiu i Shkodrës e jo një përfaqësues i Arqipeshvnisë, të cilit i takonte në fakt. Sepse me këtë logjikë i bie që të mbahet fjala e lamtumirës për një person nga një kushëri i tretë, kur në fakt do të duhej nga një pjesëtar i familjes. Ndërkohë, masa e paparë e njerëzve të pranishëm në këtë varrim madhështor flet mëse qartë se ai gëzonte një influencë dhe respekt të padiskutueshëm në popull, i cili nga ana e tij nuk dinte asgjë çka kishte ndodhur ashtu si e gjithë Shkodra.
Prof. Mikel Prennushi: “fishta nuk i donte italianet”
Me apartamentin e profesorit të njohur të historisë, Mikel Prennushi, (1929- 2009) më ndan vetëm një mur në pallatin nr. 29 të lagjes “Manush Alimani” apo Xhabijej, i cili në vitet ’70-’80 konsiderohej nga banorët e kësaj lagjeje si “pallati i aristokratëve” meqë aty banonin funksionarë, intelektualë dhe sportistë të njohur të kohës, si Eljaz Lloja, Elez Lagreta, Rustem Gjata, dr. Agetina Prennushi, bashkëshortja e prof. Mikelit, mjeke e njohur gjinekologe, prof. Manoli, Sabah Bizi, Medin Zhega etj.
Në fillim të vitit 1995, prof. Mikel Prennushi u emërua drejtori i Bibliotekës “Marin Barleti” të Shkodrës. Në bazë të një thënieje që vetë Mikeli (ne thirreshim në emër – shënim) na e tregonte shpesh, menjëherë pak ditë pas emërimit, profesor i Gjuhësisë pranë Universitetit të Shkodrës Mina Gero i kishte thënë: “Urime Mikel! Ky është emërimi i vetëm i duhur që Partia Demokratike e Shkodrës ka bërë në këtë qytet tash tre vjet që është në pushtet. Dhe më beso se nuk ta them një fjalë për një tjetër”.
Prof. Mikel Prennushi është nipi i Atë Vincens Prennushit, i cili siç dihet vdiq në tortura pas arrestimit të tij nga regjimi komunist në vitin 1949. Kur binte fjala për Fishtën, Mikeli më thoshte se ai nuk i donte italianët si pushtues, por edhe në përgjithësi priftërinjtë françeskanë nuk i donin italianët e ardhur si pushtues. Gjithsesi nuk është se këtë temë e hapte shpesh porse unë kam qenë prezent kur është folur për të.
Ja perse hesht kisha katolike shqiptare
Duke iu rikthyer kësaj ngjarjeje të panjohur, vetvetiu lindin disa pyetje. Përse hesht kisha katolike shqiptare për këtë vrasje të pabesë?!
Pra, një ngjarje e tillë në raport me një personalitet të njohur si Fishta nuk mund të bëhej në fshehtësi dhe pa e marrë vesh njeri. E, në këtë pikë përgjegjësit kryesorë të moszbulimit me ose pa dashje të këtij krimi makabër e kanë studiuesit shkodranë të jetës së Fishtës. Frano sidoqoftë vjen nga Lezha dhe në komunikimet që ka pasur me priftat françeskanë të kohës unë mendoj se ai nuk mund të kishte konfidencën dhe afinitetin që kanë pasur studiuesit shkodranë. Sepse, vërtet Fishta lindi në një zonë të Lezhës, por ama që nga mosha kur mësohet ABC-ja e deri në fund të jetës së tij aktivitetin e kishte në Shkodër.
Duke iu rikthyer pyetjes që kam shtruar për këtë paragraf përgjigjen po ia jap vetë, shkurt, qartë dhe sa më saktë që të jetë e mundur: Gjergj Fishta siç dihet ka qenë prift françeskan. Franceskanët nuk i ka pyetur dhe nuk i pyet njeri në shtetin e centralizuar të Vatikanit. Përkundrazi ata që bëjnë ligjin në Vatikan janë jezuitët. Duke u rikthyer thellë në histori pa shfletuar asnjë faqe, por thjesht nga kultura e përgjithshme që buron nga serioziteti i shkollës shqiptare deri në vitin 1991 kur edhe mora maturën po shpjegoj.
Jezuitët janë ata që dogjën bibliotekën e Aleksandrisë në Egjiptin e lashtë, shtet në të cilin ashtu si edhe në Persi (Irani i sotëm – AL) qytetërimi ka hyrë me mijëra vjet para se të vinte në Europën mesjetare. Në kohën kur Egjipti apo Persi bëhej qytetërimi, europianët nuk dihet nëse ekzistonin dhe nëse ekzistonin ata ishin ende në majë të pemëve dhe nëpër shpella.
Janë ata që bënë kryqëzatat e fëmijëve, janë ata që krijuan inkuizicionin kryesisht në Spanjë dhe janë po ata që dogjën të gjallë Xhordano Brunon. Përfundimisht, për kishën katolike shqiptare “Fishta nuk është yni, por juaji”, pra i Shqipërisë. Pra, Fishta ishte aq patriot saqë para çështjes kombëtare nuk llogariste as Vatikanin, se Italinë fashiste të kohës jo e jo …
Është i ditur fakti se kur u nis në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, Fishta kishte lënë një takim me Papën në Vatikan. Në bazë të plotësimit që m’i bëri këtij fakti historik prof. Ksenofon Krisafi pas publikimit të shkrimit tim të parë në datën 15 janar 2024: “Fishta vetë në një intervistë të viteve ’30 ka thënë se u nis në Romë bashkë me dy anëtarë të tjerë të delegacionit shqiptar. Thotë se e takoi Papën, por la të kuptohet se kishte mbetur i zhgënjyer prej tij”, gjë e cila të çon në arsyetimin se Vatikani nuk ishte në një linjë me Fishtën për çështjen shqiptare …
Sepse jemi mësuar historikisht si popull me mentalitetin që të mërmërisim nëpër dhëmbë të vërtetat dhe të jemi inferiorë dhe frikacakë karshi të huajve, por edhe në raport me skandalet që ndodhin në përgjithësi në këtë vend. Por, në kushtet kur Benito Musolini u var për këmbësh me gjithë të dashurën nga vetë italianët ashtu si edhe fashizmi dhe nazizmi u dënuan dhe u penalizuan në Gjyqin e Nyrenbergut dhe në tërë botën, kjo heshtje është e pafalshme. Nuk bëhet historia dukë folur me vedi dhe dukë bëlbëzuar me nëpër kafene dhe mejhane “kështu dëgjova por mos i thuaj kujt”. Sepse fjalët i merr era, ndërkohë që fjala e shkruar mbetet fakt.
Kurse tani po marr me “copy-paste” një dëshmi që dha në faqen e Franos në “Facebook”, në lidhje me shkrimin e tij të datës 19 janar 2024, Luigj Shabani, të cilin unë nuk e njoh fare: “Për sqarim. Në kishën françeskane ka qenë varros Atë Fishta. Vorri i tij ka qenë në hymje te dera e dytë majtas derës kryesore. Kjo derë nuk asht çelë asnjiherë, sepse hapsina e derës dhe majtas ka qenë ndertue i ashtëqujtun si: dhomë e mbyllun me drasa dikund me sip. 3 me 3 metra katrorë. Me dijenin teme po aty janë rrivarrosë dhe eshnat e Dedë Gjo Lulit fill mbas ceremonisë mortore që ju pat ba në Shkodër dikund me 1922. Në Shkodër para shtëpisë së Ndrek Kaçulinit sot (Muzeu Mrubbi) asht ba edhe fotografia e kortezhit të Dedës. Kjo “dhomë” varr dhe dera ku gjindej kjo për aq sa unë mbaj në mend, kurrë nuk asht hap ndonjiherë kjo derë, deri me prishjen e kishës që u pat ba kinema “Puntori”.
Gabimi i Osjës për vendvarrimin e Fishtës, autogol i qëllimshëm
Prof. Ahmet Osja mbante mend me vit, datë dhe orë shumë e shumë ngjarje të cilat datoni me shekuj përpara e jo më të mos e dinte se Atë Gjergj Fishta u varros në kishën e françeskanëve në Shkodër. Për memorien e tij të jashtëzakonshme mund të dëshmojnë me dhjetëra dhe qindra qytetarë të Shkodrës se ky nuk është një zbulim i imi. Por, meqenëse ai ishte ftuar dhe ftohej ndërmjet të tjerash edhe nga Frano dhe shoqata me emrin e Fishtës, unë jam mëse i bindur se ai nuk ka dasht t’i binte ndesh. Prandaj, edhe nuk preferoi që këtë fakt ta publikonte përsa kohë që ishte gjallë. Me fjalë të tjera, Ahmet Osja – në bindjen time mëse të plotë – ka nisur ta tregojë enigmën e panjohur të vdekjes së Atë Gjergj Fishtës duke bërë qëllimisht një autogol me qëllim që në fund ndeshja të mbetej në barazim, pra rremi …
***
FISHTËN E NDERON VETËM E VËRTETA
Nga: Ernest Marku
Nisur nga dy shkrime të botueme në gazetën “Panorama”, të një gazetari që nuk e njoh, me emnin Arben dhe me një mbiemën që të intrigon aq shumë saqë mundesh me aludu se gazetari pretendon me “lagë retë” me investigimet e tija, u detyrova me ndërhy e me pru në kujtesën e lexuesit do të dhana historike. Këto shkrime kanë aq shumë pasaktësi, sa përballja me to kishte me kërku një libër prej qindra faqesh, për të cilin nuk po kam as dëshirë e as ngê. Prandaj, po ndalem vetëm me saktësu disa momente që kanë të bajnë me kalimin në amëshim të At Gjergj Fishtës dhe ngjarjet që pasuen.
Së pari, në lidhje më sëmundjen dhe ndarjen nga jeta të poetit kombëtar, po sjell kujtimet e At Viktor Volajt, atij që nuk iu ndâ deri sa dha shpirt më 14 tetor, në mbrëmje, e sjellin në Shkodër duke e shtruar drejtpërdrejt në spital, ku pas kurave të para, përmirësohet aq sa për t’iu dhënë shpresë fretërve e familjarëve se po fitonte ndaj sëmundjes. Gjatë muajit nëntor përmirësimet ishin më të dukshme. Më 22 dhjetor, Shkodra mbulohet me borë. Fishta e ka të pamundur që të mos dalë në dritare, që ta shohë atë bardhësi flokësh, e cila pa pushim zbret prej qiellit, si të ishin qenie të gjalla e po sillnin një mesazh për njerëzimin. Ai e harron sëmundjen dhe faktin se bora është e ftohtë, aq shumë e rrëmben fantazia gati-gati fëmijërore Fratin e Madh dhe Poetin Kombëtar. Të nesërmen e ndjen veten keq, kishte marrë një bronkopneumoni të lehtë, e cila vjen duke u përkeqësuar nga dita në ditë. “Frymëzimi poetik, qi kishte ushqye përherë jetën e tij”, shprehet Volaj [1], “do t’ishte edhe shkaku i nji smundjeje që do t’i a këputëte fijen e jetës”. Pas tri ditësh, kur vijnë mjekët ta vizitojnë, e gjejnë në një gjendje alarmante, me polmoni bilaterale dhe urdhërojnë transferimin në spital. Fillimisht u duk se po përmirësohej, por më 27 dhjetor mjekët humbin çdo shpresë për ta mbajtur në jetë. E kapin ethe të forta, sa fillon të flasë si në jerm …
Së dyti, po sjell në vëmendje atë që ndodhi në datat 30 e 31 dhjetor të vitit 1940. Përfshirja e kaq shumë personaliteteve të kohës në këto ngjarje nuk besoj se len vend për me abuzu askush, me kujtime të transmetueme gojarisht: Mëngjesi i 30 dhjetorit e shpërndau anekënd Shqipërisë lajmin e zi. “Në dekë të tij qielli u vra në shenj zie, Shqipnia u përlosh në shenj dhimbje, fretënt e kleri derdhen lot në shenj mjerimi. Ne të rinjve”, shprehet Gjeçaj [2], “na u dukte sikur kishim mbetë jetima”. Nga mesdita, kur ndërkohë nuk kishin mbërritur të gjitha lajmet, as kishin filluar të vinin delegacionet, njerëzit filluan të mblidheshin grupegrupe, para bashkisë së Shkodrës. Në mënyrë spontane, profesor Karl Gurakuqi doli dhe nisi të mbante një ligjëratë të përmotshme dhe askush nuk lëvizi nga sheshi pa e përfunduar, edhe pse fjalimi ishte mjaft i gjatë.
Pasi bëri një historik të shkurtër, të asaj që ishte dhe asaj që përfaqësonte At Gjergj Fishta, oratori ndër të tjera tha:
“Ky hyll i shkëlqyeshëm u kput prej qiellës shqyptare, ky nier i madh u nda prej mesit t’onë, porse Aj nuk do t’harrohet kurr prej shqyptarvet, Shqypnija do ta kujtojë me mirnjohtuni, vorri i tij do t’bahet vend peligrinazhi, rinija do ta ket si shembull atdhedashunije, si udhëhjekës n’idealet kombtare; ftyrën e Tij do ta thadroje (skalisë – shënim i EM) n’mermër dhe emnin e Tij do ta përjetsojë n’sheshet e qytetevet me përmendore, për t’ua lanë kujtim brezave t’ardhshëm. Kto ia ka për detyrë Shqipnija, t’cillën Aj e deshti aq fort sa kje gjallë, e per t’cillën e shkrini krejt jetën e vet …”.
Ndërkohë, trupi i At Gjergj Fishtës prehej i shtrirë në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit, veshur me të zeza, ngritur mbi një “katafalk” të stolisur me kurora të panumërta. Njerëz të shumtë shkonin e vinin, që të pikëlluar në zemër, shikonin për herë të fundit fytyrën e Poetit Kombëtar. Disa kishin hedhur rrënjë aty, në këmbë, me mendjen që u kishte humbur në kujtime të largëta, teksa vështronin fytyrën e ngrirë të Fratit të Madh. Disa të tjerë uleshin në gjunj, duke u lutur për shpirtin e të vdekurit, ndërsa dikush tjetër pëshpëriste: “Asht si gjallë … s’duket se ka dekë! … Dam, me dekë ky farë nieri”! Një grup dilte dhe dy-tri grupe të tjera futeshin në kishë, a thue se e gjithë Shqipëria, kishte ardhur për t’i dhënë lamtumirën. Nga spitali, ku kishte dhënë shpirt, pas bekimit të Provincialit të Françeskanëve, At Çiprian Nikës, trupi i Fishtës ishte nisur për te Kisha e Gjuhadolit, nga rruga e ngushtë “At Shtjefen Gjeçovi”, në sheshin para bashkisë dhe më tej; gjithkund i shoqëruar prej shkodranëve dhe nxënësve të shkollave, që mbushnin dy anët e rrugës ku kalonte kortezhi.
Fill pas arkivolit që mbarte trupin e pajetë të Patër Gjergjit – shprehet Benedikt Dema [3] – vinin ato pak të njohur apo familjarë të tij, që kishin mundur të vinin në kohë. Pas tyre e pas mijëra të tjerëve, vinin me radhë: Senator Gjon Markagjoni, Këshilltari i Shtetit Riza Dani, Nënsekretar i P. F. Sh. Kolë Bib Mirakaj, Dr. Rocco i Zyrës Krahinore të Mëkëmbësisë Mbretërore në përfaqësim të S. Melonit, Komandanti i PRESID-it, Prefekti i Shkodrës, Sekretari Federal, Sekretari Krahinuer i Mbaspunës në përfaqësim të Inspektorit Federal të P. N. F.-së, Kolonel Bonfiglio Komandant i Grupit të K. K. Mbretërore, Kuestori, Kryetari i Bashkisë, Nënfederalët, Organizatori i S. P.-së, Dr. Battaglia, oficerët e Ushtrisë Mbretërore e të Milicisë Shtetërore dhe plot pernalitete të tjera të qytetit të Shkodrës. Nga ora nëntë, të gjitha autoritete vendore dhe fetare, dolën para bashkisë për të pritur Mëkëmbësin e Përgjithshëm të Mbretit-Perandor, Shkëlqesinë e Tij, Françesko Jacomoni; si dhe Kryeministrin shqiptar, Shefqet Verlaci, të cilët vinin nga Tirana për të nderuar Poetin Kombëtar dhe Akademikun e Italisë.
2Bashkë me ta ishte dhe ministri i Arsimit, z. Ernest Koliqi; Inspektori i Përgjithshëm e Mëkëmbësisë Mbretërore, Kom. S. Meloni; shefi i Kabinetit Ushtarak dhe Drejtori i Përgjithshëm i Shtypit, Propagandës dhe Turizmit. Të gjithë këta u pritën rreth orës dhjetë, në hollin e Bashkisë Shkodër; prej ministrit të Punëve të Brendshme, z. Maliq Bushati; dy senatorëve, Gjon Markagjoni dhe Mustafa Kruja; prej përfaqësuesve të Akademisë Italiane dhe autoriteteve të tjera vendore, civile dhe fetare. Pa shumë vonesë, u drejtuan të gjithë për në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, ku përveç përfaqësuesve të institucione civile e fetare, ishte dyndur pothuajse i gjithë populli i Shkodrës”, shprehet At Benedikt Dema [4].
“Meshën e përmortshme dhe absolucionin te katafalku, i drejtoi vetë Arqipeshkvi Mitropolit i Shkodrës, Imzot Gasper Thaçi; në prani të Delegatit Apostulik, Imzot L.B. Nigris dhe Arqipeshkvit të Durrësit, Imzot Vinçenc Prendushi. Imzot Gasper Thaçi mbajti edhe fjalimin e përmortshëm, në cilin ngriti lart figurën poliedrike të Fishtës, si në pikëpamjen letrare, ashtu edhe në pikëpamjet kombëtare dhe politike. Kjo ligjëratë mbyllej me fjalët: ‘At Gjergj Fishta, si rregulltar e si meshtar, si shkrimtar e si Poet Kombëtar, si nieri politik e si Akademik i Italisë, ka me mbetë në përkujtim të përhershëm të Kishës e të Urdhnit Françeskan, të kombit t’onë shqyptar dhe të vetë Italisë’”.
Pak më sipër, sipas kujtimeve të At Zef Pllumit [5], ai kishte sjellë kujtimet e fundit nga takimi me Fishtën në spital, ku i kishte thënë: “Nuk po më vjen keq qi po des, mbasi te tanë atje do shkojmë nji ditë, po më vjen randë se tanë jetën e kam shkri, për me pa nji Shqypni t’lirë e m’vedi, ndersa sod, po e la t’shkelun prej ushtrive t’hueja”. Këtij fjalimi iu bë jehonë në shtypin e vendit, duke tronditur thellë shpirtrat e lexuesve, ashtu siç i kishte tronditur ato të pjesëmarrësve në ceremoni. Pas bekimit të kufomës, Jacomoni dhe të tjerët me radhë bënë homazhe para trupit të poetit, u përshëndetën me të për herë të fundit. Sikurse ishte lajmëruar më parë, në orë tre pasdite, nisi rrugëtimin e tij kortezhi i përmortshëm, me këtë itinerar: Rruga “Viktor Emanueli III”, rruga “At Shtjefën K. Gjeçovi”, nëpër lagjen “Serreq” duke u ndalur te Kisha Katedrale, ku nga ana e “Schola Canturum”, u këndua aria “Libera” e Perosit. Prej aty kortezhi u kthye sërish në rrugën “Viktor Emanueli III”, u ndal para Postë-Telegrafës; ku mbajtën fjalimet e tyre, Kryetari i Bashkisë, z. Mark Kakarriqi; Prefekti, z. Javer Rushiti; si përfaqësues i komunitetit mysliman, Hafiz Ali Kraja; Sekretari i Përgjithshëm i Arsimit, z. Aleksander Xhuvani; si dhe Nënfederali, z. Nush Topalli, në emër të rinisë shkodrane.
Në fjalën e tij, Hafiz Aliu ndër të tjera tha: “Sod djelmnija intelektuale me Lahutën Tande në dorë, të nep besën shqiptare, tue t’u betue se idealin Tand të naltë, qi shprehe për kombsin shqiptare, do ta ruejnë e do ta mbajnë, si gja të shejtë morale”. Ndërsa miku i tij, Aleksandër Xhuvani, do të shprehej: “Nuk jam un, o burra, i premë sod, që të mund të thuri imne për veprën lavdimadhe të At Fishtës. Asht historija, ajo që ka për të zbukurue faqet e saj, me emnin zamath të tij; asht letërsija e jonë, që do të mburret për veprat e tij grat-plota e të pavdekshme; janë Zanat e malevet t’ona, që aj ua përcillte vallet me ‘Lahutën’ e tij, ato që kanë me kndue me katrime kumbim-randa deri te froni i Empirit, veprën e kangatorit za-ambël të tyne; asht djelmënija shqiptare, që ka për t’u ushqye e për t’u vaditë, me manën hyjnore të tij; së mbrami, asht Shqipnija mbarë, Toskë e Gegë, malsi e qyteta, që do ta kujtojnë, deri sa t’ndrise e diellit rrota, emnin e njenit prej bijvet të mdhej të saj, që e deshti, e lavdoi dhe e nderoi për tanë jetën”.
Qindra telegrame ngushëllimi [6], për humbjen e Fratit të Madh, i dorëzoheshin Provincialit Françeskan; në mes të të cilëve mund të përmendim: Kardinal Maglione, në emër të Papës; Ministri i Shtëpisë Mbretërore, Acquarone, në emër të Mbretit-Perandor; Gjenerali Françeskan, Padre Bello; Nënmbreti Jacomoni, në emër të B. Musolinit; Ministri i Jashtëm i Italisë, Konti Çiano; Presidenti i Akademisë Mbretërore të Italisë, Luigi Federzoni; Kryepeshkopi i Kishës Autoqefale Shqiptare, Kryepiskop Kristofori; Ish-kryepeshkopi, Arqiepiskop Vissarioni; Ipeshkvi i Lezhës, Imzot Bumçi; Abati i Mirditës, Imzot Frano Gjini; Piero Parini, Romë; Ministri i Arsimit i Shqipërisë, z. Ernest Koliqi; Ministri i Edukatës Kombëtare Italiane, Bottai; Qemal Vrioni; Tefik Mborja; Andon Beça; Torenc Toçi; Mustafa Kruja; Kolonel S. Bartiromo, në emër të Komandantit Suprem; Gjeneral Agostinuçi; Meloni; Kryekonsullata e Gjermanisë në Bolonja; At Gemelli; Drejtoria Qendrore e Bankës Kombëtare të Shqipërisë; Profesor-Doktor, E. Çabej; Doktor, A.D. Franze; Zejnel Prodani; Dom Shtjefen Kurti; Dom A. Zogaj; Dom Lazer Shantoja; Doktor Morandi; Spiro Vinjau; Muharrem Bajraktari; Sejfi Vllamasi; Kolë Tromara; Rexhep Mitrovica; Bahri Omari; Profesor Ndue Paluca; Profesor Filip Llupi; Profesor Gasper Shoshi; Profesor Pashko Brahimaj; Profesor Filip Fishta; Zef Kovaçi; Gjon Kovaçi; Kolonel Prek Previzi; Gasper Ljarja; Profesor Karl Gurakuqi; Profe sor Frano Alkaj; Profesor Kol Shiroka; Ismet Canco me të vëllezërit; Doktor Rrok Kolaj; Skulptori Franco Tanaça; Inxhinier Zojzi; Doktor Antonio, Drejtor i Don Bosco-s; Santi Salzo; Zef Kadarja; Pjeter Marlekaj; Motrat Stigmatine; Gjon Kamsi; Lec Bushati; Mihal Ballkameni; Pandeli Papalilo; Nush Kiri; Major Gjinaj; Xhaferr Krosta; C. Galassi Paluzzi; Cipo Tensi & Figli; Shqiptarët e Romës; Dhimosten Malo; Gjeneral Sereggi; Definitori Gjeneral i Françeskanëve, Mandiç; Zef Boriçi, Shaqir Isa; Ndoc Vuksani; Patër Lorenc Mitroviç; Muharrem Hoxha; Kolë Radovani; Doktor Jak Vuksani; Hafiz Muratit etj.. Telegrame ngushëllimi mori edhe Liceu “Iliricum” dhe Ministri i Arsimit të Shqipërisë. Siç shihet, nuk ka vetëm një fjalim të mbajtun prej Imzot Gasper Thaçi, si autoriteti ma i lartë kishtar në Shkodër; por edhe me dhjetëra të tjera, të mbajtuna nga autoritetet e Shkodrës dhe Shtetit Shqiptar të asaj kohe.
Së treti, po sjell kujtimet e At Zef Pllumit, për atë ndodhi ma pas At Zef Pllumi, kujton se kur vdiq Fishta, françekanët kishin thirrur një skulptor-jezuit italianin, Fr. A. Sala; i cili nxori maskën mortore, të cilën e solli në dy kopje prej allçie. Nga këto dy kopje, një ish-nxënës i liceut “Iliricum”, Tom Leci, nxori kallëpin nga ku përgatiti edhe gjashtë kopje të tjera, të cilat u shpërndanë në miq e dashamirës të françeskanëve, për t’i ruajtur nga babëzia e të zbriturve nga mali, që kërkonin të zhduknin çdo gjurmë të Fishtës. Në vitin 1991, tregon Patër Zefi [7], “u vura në kërkim të tyre dhe gjeta vetëm një, të cilin e dorëzova në Kuvendi Françeskan të Gjuhadolit. Tomë Leci, i cili kishte ruajtur kallëpin e vjetër, prodhoi edhe katër kopje të tjera. Të paktën fytyra e Fishtës ka shpëtuar; natyrisht përveç veprës së tij, e cila është monumenti i gjallë, që nuk do të të mund ta shembë askush e asnjë kohë. Kortezhi i përmortshëm kthehet për të fundit herë te Kisha e Françeskanëve, ku trupi i pajetë i poetit u vendos sërish mbi katafalk”. At Zef Pllumbi [8] kujton se, pas Meshës Përkujtimore, populli u largua dhe në kishë mbetën vetëm françeskanët, me trupin e pajetë të Fishtës.
Varrimi do të bëhej brenda kishës, në një nga kapelat e saj, por, ngaqë të gjithë ishin të lodhur nga funeral i gjatë dhe në një mot aq të ftohtë e me shi, prandaj vendosën të pushonin paksa, të ndërronin rrobat e lagura e të ngroheshim. Varrimi u la që të bëhej pasdarke; por ngaqë dhomat nuk kishin ngrohje, shumicën e fretërve i zuri gjumi. Superiori i Kuvendit Françeskan të Gjuhadolit, që në atë kohë ishte At Frano Kiri, mori disa nga fretërit më të rinj dhe disa studentë, në mes të të cilëve edhe vetë Zef Pllumi, për të hapur varrin. Kapela e Kishës Françeskane ku do të varrosej trupi i Fishtës, ishte përcaktuar që më përpara: ajo në të majtë, porsa futeshe në kishë. Thuhej që varrin monumental do ta përgatiste Akademia Italiane. Sa u mblodhën veglat e punës, kazma e lopata, u bë edhe një diskutim se ku duhej hapur gropa, për vendosjen provizore të trupit të poetit. U vendos që për të mos penguar punimet për varrin monumental, gropa të mos hapej në mes, por në anën e djathtë, në hyrje të kapelës. Aty u vendos trupi pajetë i Fishtës, në prani të rreth dhjetë pjesëmarrësve, nga të cilët, viti 1990 zuri gjallë, vetëm At Zef Pllumin dhe At Leon Kabashin. Pllakën përkujtimore, për arsye estetike, nuk e vendosën mbi varr, por në mes të kapelës; kurse varrin e vërtetë e mbuluan me pllakat e zakonshme të dyshemesë. Ishin këto rrethana dhe kjo mospërputhje, që mbanin Patër Zefin me shpresë, se eshtrat e Poetit Kombëtar dhe Fratit të Madh, do t’i kishin shpëtuar makrabitetit të të zbriturve nga mali në kohën e diktaturës. Por siç e dimë të gjithë, kjo nuk kje e thanë.
Kaq, për sa u tha, me theme e thasha.
_____________
[1] Dema, Benedikt; “At Gjergj Fishta OFM, 1871-1940”, faqe 343.
[2] Gjeçaj, Daniel :”Gjergj Fishta, jeta dhe vepra”, faqe 162-163.
[3] Dema, Benedikt; “At Gjergj Fishta OFM, 1871-1940”, faqe 376.
[4] Dema, Benedikt; “At Gjergj Fishta OFM, 1871-1940”, faqe 377-378.
[5]Pllumi, Zef; “Françeskajt e Mëdhaj”, Si u njoha me Fishtën, faqe 18.
[6] Dema, Benedikt; “At Gjergj Fishta OFM, 1871-1940”, faqe 383-390.
[7]Pllumi, Zef; “Françeskajt e Mëdhaj”, faqe 31.
[8] Po aty, faqe 18-19
/Gazeta “Panorama”/