Site icon Telegrafi

Debati për programet zgjedhore, analistët flasin për ditën e dytë të fushatës

Me fillimin e fushatës zgjedhore në Kosovë, partitë politike kanë prezantuar programet e tyre, të cilat po nxisin debate të ashpra mes analistëve dhe përfaqësuesve politikë.

Në ditën e dytë të fushatës,Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është përballur me kritika për qasjen e saj në fushatën zgjedhore.

Analisti Astrit Gashi e cilësoi fushatën e LVV-së si të zbehtë dhe pa ide të reja, duke theksuar se përdor të njëjtën retorikë politike prej vitesh.

“Nuk ka asnjë puls të ri në fushatën e LVV-së. Sloganet e tyre janë të ricikluara dhe mungesa e konkretizimit të premtimeve e bën këtë fushatë pa efekt për elektoratin”, tha Gashi në “Debat Plus.

Analisti ka komplimentuar AAK-në pasi sipas tij tubimin kryesor sot e kanë pasur ata.

“Tubimin kryesor shumë të mirë e pati AAK, dhe mund ta shpallim sot fituese mbase pati një tubim mirë të organizuar. Por tubim shumë të mirë e pati edhe PDK në Ferizaj apo LDK në Kaçanik”, deklaroi Gashi.

Analisti Bekim Kabashi shtoi se LVV-ja po përpiqet të maskojë dështimet e periudhës së saj qeverisëse me slogane boshe dhe retorikë të paqëndrueshme.

“LVV-ja nuk ka prezantuar një program qeverisës të qartë dhe kërkon 500 mijë vota pa ofruar arsye konkrete për këtë kërkesë,” deklaroi Kabashi.

Kabashi thotë se opozita sot e fitoi “garën” me tubime elektorale.

“LVV pati tubime mesatare sikurse partitë tjera. LVV ka pasur tjetër frymë në tubimet tjera”.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka prezantuar programin e saj zgjedhor, me fokus në reformimin e sistemit të drejtësisë.

Analisti Ylli Hoxha e cilësoi këtë si një produkt serioz dhe të strukturuar, duke theksuar se është një qasje e rrallë në skenën politike të vendit.

Sipas Hoxhës, programi është mjaft ambicioz, duke parashikuar ndërhyrje në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe sistemin gjyqësor, si dhe një proces të theksuar të Vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët.

“Programi i LDK-së është për aplaudim sepse prezantohet diçka serioze dhe konkrete, që rrallë është parë në skenën politike. Ai adreson çështje kritike në drejtësi dhe ka përkushtim serioz,” deklaroi Hoxha.

Megjithatë Hoxha tha se ky program është pak agresiv.

Ndërkohë, avokati Tomë Gashi kritikoi programin e LDK-së, duke e quajtur një “kopje” të përpjekjeve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) gjatë qeverisjes së saj katërvjeçare.

Sipas Gashit, pavarësisht kësaj, programi përmban elemente të rëndësishme dhe është një hap pozitiv drejt reformës.

Analisti Sadri Ramabaja ka deklaruar se edhe profesorët më eminentë botërorë e konfirmojnë se çështja e sovranitetit në veri është e pamohueshme që është rikthyer nga Kurti.

“Mos u bëni qesharakë ta mohoni se është kthyer sovraniteti në veri”, ka deklaruar Ramabaja.

Përplasje mes liderëve politikë

Gjatë një tubimi në Mitrovicë, kryeministri Albin Kurti i quajti liderët opozitarë “zuzarë” dhe “hajna që e kanë shitur Kosovën.”

Këto deklarata u kritikuan nga analisti Lirim Mehmetaj, i cili i quajti hipokrite dhe të pandershme.

“Kurti pretendon të jetë padron i vlerave morale, por këto qëndrime janë të sëmura dhe hipokrite,” tha Mehmetaj.

Analisti thotë se është një domethënie që një parti arrin ta mbushë një sallë.

“Shembull AAK-ja e mbushi sallën e njëjtë si PDK-ja, sallën më të madhe në Kosovë. LVV nuk arriti ta mbushë sallën”, deklaroi ai.

Megjithatë Mehmetaj shtoi se kjo nuk është tregues i rezultatit të zgjedhjeve.

Programet zgjedhore të partive po hapin diskutime intensive për qasjet e tyre ndaj çështjeve kyçe, sidomos drejtësia dhe qeverisja./Telegrafi/

Exit mobile version