Në Këshillin e Sigurimit po zhvillohet një debat i hapur mbi ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Ukrainë. Kjo seancë drejtohet nga Kryeministri Edi Rama pasi Shqipëria mban Presidencën e Këshillit të Sigurimit.
Rama ka replikuar fuqishëm me Përfaqësuesin e Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya.
Shkak është bërë prezenca e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Ambasadori rus kërkoi shpjegime se pse ai është i pranishëm në atë seancë dhe deklaroi se takimi i sotëm do të jetë një spektakël.
Ndërsa kreu i qeverisë, Edi Rama, u përgjigj që nëse ambasadori rus bie dakord që Rusia të ndalë luftën, atëherë Presidenti Zelensky nuk do ta mbajë fjalën. Pikërisht, nisja e luftës nga ana e Rusisë në Ukrainë, shtoi Rama, është arsyeja pse Zelensky është në atë mbledhje.
Por ambasadori rus ka vijuar ta kundërshtojë Ramën duke i kërkuar që të mos mbajë qëndrime politike. Ndërsa Rama u përgjigj se nëse nuk do që t’i përgjigjet në “cilësinë e kryeministrit shqiptar, atëherë të mos e provokojë si i tillë”.
Vasily Nebenzya: Ne nuk besojmë që argumentet që na paraqitët janë bindëse. Ka një sërë anëtarësh të KS që përfaqësojnë sot në nivel të krerëve të shteteve. Kështu që dua të na shpjegoni se pse i është dhënë përparësi Presidentit të Ukrainës? Kjo nuk ka të bëjë me procedurën e KS, ne mund ta kuptojmë logjikën. Kur diskutuam Somalinë, Presidenti i Somalisë këtu foli i pari, por ishte i vetmi president mes atyre që ishin të pranishëm. Ka praktika të tjera këtu? Do doja t’ju paralajmëroja që nëse sot ju miratoni vendime duke i rënë çekiçit atëherë presidenca shqiptare do përballet me një praktikë të shkeljes të dukshme të praktikave të KS dhe natyrisht i bie që tregoni që rregullat nuk vlejnë për ju.
Në fakt anëtarët e KS e kanë dëgjuar këto fjalë të Presidentit Zelensky nëpërmjet video mesazheve. Ndërkohë që këtu ka shkelje flagrante sepse udhëtimi i presidentit për të folur këtu në KS gjatë 75 vjetëve të ekzistencës së OKB shihet si një privilegj në vend të të cilit gjatë seancës së fundit, përfaqësuesi i Kievit vendosi të fliste nëpërmjet videos dhe kështu delegacioni rus u shpreh që Zelensky nuk mund të largohej nga vendi vitin e kaluar për shkak të rrethanave të posaçme. Kjo nuk e ka ndaluar atë që të vizitojë SHBA.
Presidenca shqiptare hapi debat, debat të pafund mes një grupi anëtarësh që janë edhe anëtarë NATO. Kjo e sotmja do të jetë jo më shumë, por një spektakël. Ne nuk kundërshtojmë pjesëmarrjen e Presidentit të Ukrainës, por duhet bërë sipas rregullave dhe procedurave dhe praktikave ekzistuese. Sa i përket pjesëmarrjes së kryetarit të OSBE-së që është shqiptar nga RMV, nuk ka të bëjë me nënshtetësinë e tij. Ne kundërshtuam përfaqësinë e tij në këtë nivel. Këtë ia bëmë me dije Presidencës shqiptare dhe dje. Nuk ka pasur diskutime apo diskutime të hapura për këtë gjë në këtë ndërtesë apo në selinë në Vjenë sipas parimeve të miratuara.
Çdo kryetar në detyrë i OSBE apo përfaqësues të autorizuar të tyre duhet të jenë në përputhje me mandatin e tyre. Nëse Kryesia shqiptare këmbëngul që zoti Osmani të flasë në takimin e sotëm, ne besojmë se ai mund t’i japë zë vetëm zërit konsensual të kësaj organizate. Pra për shkak të qasjes shkatërruese nga delegacionet perëndimore kjo nuk ka kontribuuar në asnjë moment për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, por ka shërbyer për të përkeqësuar situatën. Shohim përpjekje për të çuar më përpara praktika të tilla, pjesëmarrja e zotit Osmani shërben për të çuar përpara rregullat e njëanshme të lojës. Ju bëjmë thirrje që të mbajmë një qëndrim parimor. Presidenca shqiptare ka treguar në fakt mospërfillje flagrante ndaj këtyre praktikave dhe ka vendosur bindjet ideologjike dhe të NATO-s mbi të gjitha dhe mbi praktikat e KS që është rojtar i qëndrimeve objektive. Për fat të keq Shqipëria nuk ka mundur të menaxhojë një gjë të tillë sot.
Edi Rama: Më duhet të them se duke ardhur nga ju ky leksion i shkeljes së rregullave është një goditje mjaft mbresëlënëse. Por duke qenë se e përsëritët mjaft herë që shkelja këtu ka të bëjë me faktin që Presidenti Zelensky do të flasë përpara anëtarëve të KS ka një zgjidhje për këtë: Nëse bini dakord ju ndaloni luftën dhe Presidenti Zelensky nuk do të mbajë fjalën. Ajo që e bëri atë të rëndësishëm këtu, e çfarë e bën atë të rëndësishëm për të gjithë ne që ta dëgjojmë vjen nga diçka që e keni bërë ju dhe jo ne. Faleminderit ju, mbaj shënim dhe do të vijoj me seancën tonë.
Vasily Nebenzya: Zoti President duhet të tërheq vëmendjen tuaj se sot që po veproni si kryetar i Këshillit, jo në cilësinë kombëtare si përfaqësues i Shqipërisë. Objektivi juaj është të zhvilloni një takim në vend që të jepni vlerësime politike.
Edi Rama: Sapo ju përgjigja pasi m’u drejtuat si kryeministri shqiptar dhe pasi vazhduat të thoni gjëra të pasakta lidhur me atë çka është procedura këtu. Nëse nuk doni të përgjigjem në cilësinë e Kryeministrit shqiptar mos më provokoni si i tillë.
Vasily Nebenzya: Zoti kryetar ju drejtohem vetëm si kryetar i KS, në asnjë moment nuk ju drejtova si kryeministër i Shqipërisë. Jemi të angazhuar në një dialog proceduror me ju jo në një dialog thelbësor. Ju lutem përmbahuni nga vlerësimet politike në deklaratat tuaja vrastare për Këshillin.
Edi Rama: Ishit ju që folët për NATO-n, që folët për faktin që Shqipëria është në NATO. Kjo nuk ka të bëjë me rolin tim si kryetar i Këshillit. Megjithatë a mundemi tanimë me lejen tuaj të vijojmë normalisht seancën? Faleminderit shumë./TV Klan/