Kryetari i Komunë së Junikut, Agron Kuçi është i ftuari i radhës në serinë e emisioneve “Jeta në Komunë” me gazetaren, Jeta Xharra.
Të ftuar në këtë emision ishin edhe asamblistët Blerim Gacaferri nga Partia Demokratike e Kosovës, Flurim Shala nga Lëvizja Vetëvendosje, Behare Qestaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Tahir Isufaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Zenel Maloku, kanditat i pavarur.
Temë diskutimi në mes kryetarit dhe asamblistëve ishte impanti i ujërave të zeza.
“Impianti i ujërave të zeza është funksionalizu, kemi edhe kolektorin, të dy funksionojnë. Impianti është në vitin e parë të provimit. Projekt ka qenë i Komisionit Evropian. Hidro – Drini e menaxhon. Ka energjinë elektrike. Funksinon edhe ka punëtorë aty”, ka thënë kryetari i Junikut.
Por, Flurim Shala nga VV-ja ka reaguar duke shtuar se impianti i ujërave të zeza nuk punon dhe asnjëherë nuk ka punuar.
“Para 11 vitesh e ke nis, sot nuk është i kryer, impiant që po e quan ky, gropën septike. Unë e kam larg prej shtëpisë 10 metra. Nuk është kryer e ka dorëzu firma që e ka ndreq, por jo. Janë investu mbi një milion euro as sot nuk punon as kurrë asnjë minutë. Kurrë nuk ka funksionu. Ka thanë që ujin me e pi vet”, ka thënë ai.
Edhe Tahir Isufaj nga LDK-ja ka thënë se impianti i ujërave të zeza nuk funksionon.
“Nuk punon, nuk e di si ka mundësi Hidro – Drini me menaxhu kur nuk ka kontratë”, tha ai./kallxo.com