Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) është pajtuar me qëndrimin e Bashkimit Evropian se projektligji i Serbisë që pretendon juridiksion ligjor në Kosovë shkel detyrimet e dialogut Kosovë- Serbi.
Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, në një postim në rrjetin social “X”, transmeton Telegrafi.
“Ne pajtohemi me BE-në se projektligji i Serbisë që pretendon juridiksion ligjor në Kosovë shkel detyrimet e dialogut. Kosova dhe Serbia secila duhet të zbatojnë marrëveshjen e vitit 2023 duke përfshirë ASM-në dhe zgjidhjet e dialogut për të gjithë qytetarët, përfshirë serbët në Kosovë”, ka pohuar Miller.
We agree with the EU that Serbia’s draft legislation claiming legal jurisdiction in Kosovo violates Dialogue obligations. Kosovo and Serbia each should implement the 2023 agreement including ASM, and the Dialogue’s solutions for all citizens, including Serbs in Kosovo.
— Matthew Miller (@StateDeptSpox) October 31, 2024
Ndryshe, qeveria e Serbisë në seancën e saj të hënën miratoi Projektligjin për organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës.
Miratimi i këtij ligji ishte paralajmëruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në mesin e shtatorit, duke thënë se prokuroria speciale dhe trupi gjykues special “do të ndjekin penalisht të gjithë ata që marrin pjesë në persekutimin e popullatës serbe” në Kosovë.
Siç njoftoi Qeveria e Serbisë më 28 tetor, zgjidhjet e propozuara ligjore parashikojnë që juridiksionin në lëndët penale në shkallë të parë ta kenë Prokuroria e Lartë Publike dhe Gjykata e Lartë në Beograd, ndërsa për procedurën në shkallën e dytë publiku i Apelit. Prokuroria dhe Gjykata e Apelit në Beograd./Telegrafi/