Matthew Miller, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së, ka paralajmëruar se veprimet e fundit të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës mund të rrezikojnë mundësitë që vendi ka krijuar me ndihmën e ShBA-së.
Gjatë një konference për shtyp, Miller u pyet nga gazetarët nëse do të ndërmerren masa kundër kryeministrit Albin Kurti për “shkelje të vijave të kuqe.”
Ai refuzoi të spekulonte mbi veprimet e mundshme në të ardhmen, por theksoi shqetësimin e ShBA-së lidhur me vendimet e fundit të pakoordinuara nga lidershipi i Kosovës.
“Jemi të shqetësuar me vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara nga lidershipi i Kosovës. Ne besojmë se ato i rrezikojnë mundësitë të cilat e ndihmuam Kosovën që t’i krijojë”, tha Miller.
Zëdhënësi gjithashtu nënvizoi partneritetin e fortë që ShBA-ja ka pasur me Kosovën që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, dhe inkurajoi qeverinë e Kosovës të vazhdojë të punojë ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë.
“ShBA-ja e ka mbështetur fuqishëm integrimin e plotë të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar si një demokraci sovrane e multietnike,” shtoi ai.
Në përfundim, Miller përsëriti rëndësinë e angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv të Kosovës me ShBA-në, BE-në, NATO-n, dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, duke theksuar se ky mesazh është bërë i qartë qeverisë së Kosovës.
“Do ta inkurajonim qeverinë e Kosovës të kthehet në angazhim të afërt dhe konstruktiv me ShBA-në, BE-në, NATO-n dhe me partnerët tjerë të afërt ndërkombëtarë të Kosovës dhe e kemi bërë atë të qartë, siç po e bëj tani publikisht, ia kemi bërë të qartë qeverisë edhe privatisht”, u shpreh Miller./Telegrafi/