Të hënën është mbajtur Darka e Lamës, ku në mesin e mysafirëve ishte edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Për Darkën e Lamës ka shkruar edhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ku ka theksuar se kjo darkë simbolizon mirënjohjen për begatinë e punës dhe të korrave.
“Me kënaqësi mora pjesë në Darkën e Lamës, një traditë që simbolizon mirënjohjen për begatinë e punës dhe të korrave, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci dhe Shefin e AKI-së Petrit Ajeti”, ka shkruar ai.
Tutje, ai ka pohuar se “kjo ngjarje është një moment i veçantë për të vlerësuar punën dhe përkushtimin e fermerëve tanë për angazhimin dhe kontributin e tyre në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit”.
“Darka e Lamës shtrohet tradicionalisht që nga koha e Presidentit Rugova i cili nisi këtë traditë në shenjë falënderimi e respekti për begatinë e tokës së Kosovës dhe djersës së fermerit. Nga toka jonë për sofrën tonë”. /Telegrafi/