Kosova ka filluar përgatitjet për ndeshjen miqësore që do ta zhvillojë më 5 qershor në Oslo kundër Norvegjisë.
FFK shkruan se në një atmosferë plot entuziazëm dhe energji pozitive, përzgjedhësi Franco Foda ka drejtuar stërvitjen e parë në përgatitje për këtë përballje të rëndësishme.
Stërvitja e parë u mbajt në Kampin Nacional në Hajvali, ku përveç Arijanet Muric, të gjithë lojtarët e tjerë të ftuar ishin prezent.
Seancat stërvitore do të vazhdojnë në dy termine çdo ditë deri në nisjen për në Oslo, më 3 qershor.
Trajneri dhe stafi teknik kanë planifikuar një sërë seancash intensive që krahas punës në fushën e gjelbër do të përfshijnë edhe analiza taktike.
Atmosfera në kampin stërvitor ishte e ngrohtë dhe pozitive, me lojtarët që punonin ngushtë me njëri-tjetrin për të ndihmuar në krijimin e një uniteti të fortë skuadre. /Telegrafi/