Ministri i Jashtëm sirian ka vendosur kushte për çdo hetim të OKB-së në lidhje me vdekjen e dhjetëra njerëzve të martën nga ajo që dyshohet të jetë një sulm kimik.
Walid Muallem tha për BBC se hetimi duhet të jetë jo-politik, të përfshijë “shumë vende” dhe “të fillojë nga Damasku”, në mënyrë që qeveria siriane të lejojë diçka të tillë. Ai mohoi se Siria kishte hedhur armë kimike nga ajri.
Agjencia për fëmijë brenda OKB-së ka konfirmuar se të paktën 27 fëmijë janë vrarë.
Një grup monitorimi për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, ka raportuar më parë se 86 persona kanë vdekur në incidentin kimik në Sirinë veriore.
Rusia, një nga aleatët më të fuqishëm të presidentit sirian Bashar al-Asadit, u sfidua nga SHBA-të dhe Britania e Madhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të mërkurën, kur përfaqësuesi i saj u përpoq të argumentojë se helmimi masiv ishte shkaktuar nga armët kimike të vetë rebelëve.
Uashingtoni ka lënë të kuptohet se mund të ndryshojë politikën e saj ndaj Sirisë për shkak të vdekjeve.