Site icon Telegrafi

Dalin pamjet e golit të anuluar të Havertz – Arsenali duket se është dëmtuar rëndë

Pamjet nga xhirimi i ngadalësuar tek goli i anuluar i Kai Havertz ndaj Aston Villas kanë bërë që të ‘shpërthejë’ një debat në rrjetet sociale, teksa Arsenali lëshoi pikë në garën për titull. 

Ky moment ishte një ndër temat më të diskutuara nga ndeshja e së shtunës. Me pesë minuta lojë të mbetura, Havertz mendoi se e kishte bërë 3-2 pasi goditja e Mikel Merino u devijua nga ai dhe shkoi në rrjetë. 

Në fakt, gjermani menjëherë filloi festën teksa disa lojtarë të Aston Villës iu afruan gjyqtarit duke i rekomanduar se goli duhej të anulohej. 

Duke folur në një intervistë të shkurtër pas ndeshjes, sulmuesi i Villas, Ollie Watkins duket se sugjeroi që Arsenali u dëmtua për shkak të anulimit të atij goli. 

“Duke e parë sërish nuk jam i sigurt, mendoj se shkoi në favorin tonë, por nëse do të ishte ndaj nesh, mendoj se do të ndihesha i zhgënjyer”, ka thënë Watkins. 

Ky vendim që u mor nga dhoma e VAR-it ka marrë reagime nga më të ndryshmet, veçanërisht pas publikimit të pamjeve me xhirim të ngadalësuar. 

Nga këto pamje duket se topi fillimisht godet Havertzin në pjesën e barkut para se të ketë kontakt me dorën, që në këto raste pretendohet të jetë aksion i rregullt./Telegrafi/

Exit mobile version