Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të vizitojë sot Tiranën. Gjatë kësaj vizite, Kurti do të zhvillojë takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe me kryeparlamentaren Lindita Nikolla.
Me këtë të fundit, Kurti pritet të takohet në Kuvendin e Shqipërisë, duke filluar nga ora 11:30.
Sipas informacioneve, në takimin Rama-Kurti, në fokus do të jetë marrëveshja e pafirmosur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë.
Në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër të Maqedonisë së Veriut, palët kanë rënë dakord të zbatojnë marrëveshjet e arritura mes tyre, si dhe Kosova të nisë përgatitjet për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb, një nen që shihet si referencë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Një tjetër dakordësi është arritur edhe për personat e zhdukur gjatë luftës, ndërsa për monitorimin e të gjitha pikave të aneksit të marrëveshjes do të ngrihet një Komitet i Përbashkët Monitorues që do të kryesohet nga BE-ja.
Edhe pse nuk është firmosur një marrëveshje, palët pas 12 orësh bisedime në Ohër, kanë arritur marrëveshje për të zbatuar propozimin e BE për normalizimin e marrëdhënieve. /KP/