Site icon Telegrafi

“BE-DA Logistics” kompania e transportit nga Maqedonia e Veriut që vepron edhe në Kanada

“BE-DA Logistics” është kompania e dytë e cila ka qenë mysafir në emisionin më të ri të Telegrafi Maqedoni, i udhëhequr nga drejtori Venhar Ramadani, në bashkëpunim me OEMVP-në, i cili është dritare e re për promovimin e bizneseve dhe ndërmarrësve në vend.

Kemi biseduar me pronarin e “BE-DA Logistics” Besnik Isakun, i cili na tregoi se kompania e tij vepron në tre shtete të Evropës dhe në Kanada. Ai tha se kompaninë e parë e ka hapur në maj të vitit 2011 dhe ka filluar me një zyrë prej nëntë metra katrorë.

Lexo po ashtu Hamim Dauti: “Dauti Komerc” nisi brenda natës, ndërsa sot synojmë Evropën

“Fillimet tona kanë qenë me hapësira prej 9 metra katrorë në Shkup. Por kemi pasur dëshirë për të qenë më të mëdhenjtë në rajon dhe në botë. Jemi rritur hap pas hapi, duke hapur edhe zyrën tonë në shtator të vitit 2016 në Shqipëri. Kemi qenë risi në tregun e Shqipërisë, pasi ata nuk kishin se si funksionon një kompani logjistike apo ndërmjetësuese, duke qenë më konkurrent në treg dhe duke iu dhënë më shërbime më cilësore në transport”, tha Besnik Isaku.

Sa i përket numrit të punëtorëve, Isaku tha se në katër zyrat e tyre që i kanë, numërojnë mbi 40 punonjës.

“Sllogani ‘We move the world forward’ është se ne nuk jemi ndalur së zhvilluari si kompani. Në vitin 2021 hapëm zyrën në Toronto të Kanadasë. Kemi katër punonjës që janë atje, planifikojmë edhe atje të investojmë në flotën e kamionëve. Në vitin 2022 hapëm zyrën në Prishtinë. Jemi kompania e parë e rajonit që lidhëm trekëndëshin Shqipëri-Maqedoni-Kosovë”, theksoi Isaku.

Ai njoftoi se gjithashtu kanë krijuar aplikacion të kompanisë për t’ua lehtësuar punën punonjësve, me të cilin bëhet selektimi i mallrave që vijnë nga të gjitha vendet e botës.

“Pasi mallrat vijnë në kompaninë tonë, bëjmë selektimin dhe e dërgojmë tek klientët tonë derë më derë. Këtë vit do ta përfundojmë aplikacionin edhe për klientët, për të parë se ku e kanë mallin në kohë reale”, tha pronari i “BE-DA Logistics”.

Ai tha se “sfida më e madhe e tyre, është të tregojnë se janë më të mirët në veprimtarinë e tyre”, ndërsa theksoi se ka bashkëpunim me shumë prej tyre.

“Këtë vit do të jemi prezent në panairin më të madh botëror, bashkërisht me kompanitë më të mëdha të shërbimit të logjistikës. Një ndër planet tona është që të hapim zyrë në Turqi, ndërsa gjithashtu si qëllim kemi edhe zyrë në njërin prej vendeve të BE-së: Gjermani, Suedi ose Estoni”, theksoi Isaku.

Lexo po ashtu Vardar Dolomit, kompania nga Maqedonia që eksporton në të gjithë botën

Ai i këshilloi të rinjtë që ta kenë të qartë se çfarë duan në karrierë dhe të japin maksimumin kudo që janë. Ndërsa për udhëheqësit e bizneseve këshilloi që të jenë më komunikativ me punonjësit dhe t’u mundësojnë kushte më të mira të punës./Telegrafi/

Exit mobile version