Site icon Telegrafi

Cristiano Ronaldo telefonon dy ish-bashkëlojtarët e tij tek Real Madridi – i dëshiron tek Al Nassr

Cristiano Ronaldo raportohet se ka marrë përsipër rolin e “drejtorit sportiv” tek Al Nassr, teksa ka telefonuar dy ish-bashkëlojtarë të tij tek Real Madridi për t’iu bashkuar në Arabi.

Kjo besohet se ka ndodhur pasi Al Nassr ka humbur në finalen e Superkupës së Arabisë ndaj Al Hilalit, gjë që ka detyruar portugezin të telefonojë Nacho Fernandez dhe Casemiron, në përpjekje për t’i bindur ata që të transferohen në Lindjen e Mesme.

E ardhmja e të dy lojtarëve në klubet respektive mbetet e pasigurt dhe Marca ka raportuar se Ronaldo personalisht po përpiqet që t’i bind ata që të transferohen në Superligën e Arabisë.

Ronaldo tregoi shumë emocione kur shpërtheu në lot pasi ekipi i tij u mposht nga Al Hilali gjatë kësaj jave, pasi humbja në finale të Kupës, bëri që ata ta përfundojnë sezonin pa trofe të fituar.

Lexo po ashtu Humbi finalen dhe mbeti pa trofe, Ronaldo qau si kurrë më parë në karrierën e tij

39-vjeçari beson se e vetmja rrugë për t’u rikthyer tek trofetë sezonin e ardhshëm është që të nënshkruhen lojtarë me përvojë dhe që e dinë se si fitohen trofetë.

Nacho e udhëhoqi Real Madridin si kapiten drejt fitimit të titullit të 15-të të Ligës së Kampionëve, që ishte trofeu i gjashtë i tij personal.

Teksa Nacho po i afrohet fundit të kontratës së tij në ‘Santiago Bernabeu’, duket se largimi i tij nga Madridi është i pashmangshëm, por ai është lidhur fortë me një kalim në MLS, diçka që mund të prishë planet e Ronaldos për ta transferuar atë në Riad.

Casemiro mund të jetë lojtari i cili mund të pranojë kalimin në Arabi, duke marrë parasysh formën e tij të dobët për Manchester United këtë sezon./Telegrafi/

Exit mobile version