Gjykata Speciale ka publikuar vendimin për konfirmimin e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për pengim të administrimit të drejtësisë.
Sipas dokumentit, Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se ish-presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar nga vizitorët e tij informacione mbi dëshmitarët dhe ecurinë e udhëzimeve të tyre.
Në vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë, thuhet se Thaçi e konsideroi dëshminë e ish-shefit të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi, si të rëndësishme dhe u dha vizitorëve udhëzime për mënyrën se si duhet të dëshmojnë dëshmitarët. Ai gjithashtu i porositi ata që t’i kthenin informata kthyese mbi këtë çështje.
Dokumenti thekson se Thaçi u kërkoi vizitorëve të riktheheshin pas një muaji për një takim tjetër. Më 7 tetor 2023, Bashkim Smakaj dhe një tjetër vizitor, Behrami, e takuan sërish Thaçin në institucionin e burgimit të Dhomave të Posaçme, ku sipas Prokurorisë, ai dha udhëzime shtesë mbi dëshminë e një dëshmitari të identifikuar si W04752.
Më tej, në dokument thuhet se gjatë një kontrolli më 30 tetor 2023, në makinën e Bashkim Smakajt u gjet një dokument që përmbante një narrativë të përputhshme me udhëzimet e Thaçit mbi dëshminë e dëshmitarit W04752.
Ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Fazliu, akuzohen për “Tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare” dhe “Mosbindje ndaj gjykatës”.
Ndërsa, ish-ministri Kuçi akuzohet për shpërfillje të gjykatës.
Kundër Thaçit janë ngritur tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj Gjykatës.