Dita Ndërkombëtare e Gruas festohet për çdo vit me 8 mars. Në vende të ndryshme të botës, fokusi i celebrimit të kësaj dite i jepet respektit, vlerësimit dhe dashurisë ndaj grave, e po ashtu në disa vende festa e ka fokusin në pozitën ekonomike, politike dhe sociale të grave.
Si ngjarje ka nisur nga lëvizjet socialiste të fillimit të shekullit XX. Në Gusht të vitit 1910, në një Konferencë Ndërkombëtare të Grave, të mbajtur në Kopenhagë në Danimarkë ishte propozuar që të ketë një ditë ndërkombëtare të gruas.
Ideja e konferencës ndërkombëtare të grave, që vazhdoi edhe më pas, ishte që gratë në mbarë botën të kishin strategjitë e tyre në të drejta të barabarta me burrat dhe paga të barabarta, përfshirë edhe të drejtën e votës e po ashtu edhe e drejta për të mbajtur postet publike.
Clara Zetkin udhëheqësja e forumit të gruas në Partinë Socialiste të Gjermanisë, ishte ajo që e propozoi “Ditën Ndërkombëtare të Gruas”, apo “8-të marsin”.
Me kalimin e kohës, Dita Ndërkombëtare e Gruas që në parim kishte mbrojtjen e pozitës politike dhe ekonomike të gruas, është shndërruar në festën e nënës në shumë vende, në një festë që më pas është komercializuar.
Arsyeja se pse data 8 Mars ka mbetur si dita e gruas, është krejtësisht e rastësishme (në vitin 1914 dita ndërkombëtare e gruas ishte festuar me 8 mars vetëm për shkak se i kishte rënë e diel) derisa në vitin 1975, Kombet e Bashkuara i dhanë epitetin si “Dita Ndërkombëtare e Gruas”. /klankosova/