Site icon Telegrafi

Çitaku i reagon Gërvalles për ambasadorin Berishaj: Ai duhet të kthehet në Kosovë dhe të përballet me drejtësinë

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar pas deklaratës së ministres së Jashtme, Donika Gërvalla lidhur me çështjen e ambasadorit Martin Berishaj.

Ministrja Gërvalla tha se një ambasador nuk mund të shkarkohet vetëm shkaku i spekulimeve në media, pa pasur fakte.

E për këtë deklaratë ka reaguar Çitaku përmes një postimi në Facebook.

“Shkarkimi nuk mjafton, Ministre! Miliona euro në kesh nuk janë fjalë. Martin Berishaj duhet të kthehet në Kosovë dhe të përballet me drejtësinë. Menjëherë”, ka shkruar Çitaku.

Mediumi slloven “Planet TV” më 21 prill 2022, raportoi për aferën financiare të kryetarit të partisë Lëvizja për Liri, Robert Golob, e të cilën e ka titulluar si skandal të madh financiar.

Sipas këtij mediumi, ai është nën hetim financiar ndërkombëtar për shkak të dërgesave nga dega serbe e GEN-I (furnizuesi energjetik slloven), të cilat i kanë shkuar kompanisë private MB Consulting në Mal të Zi. Kompania MB Consulting e Berishajt supozohet se ka marrë 600 mijë euro, të cilat janë tërhequr vazhdimisht në para të gatshme.

Berishaj supozohet t’ia kthejë këto para Golobit, dhe ky i fundit duhet t’i investojë këto para në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet. /Telegrafi/

Exit mobile version