Një deklaratë e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se veriu i Kosovës frymon ndryshe, një ditë para zgjedhjeve lokale, është kritikuar nga nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Ish-ambasadorja Çitaku e ka kritikuar ministrin Sveçla, duke thënë se ka dështuar në sigurimin e vendvotimeve të rregullta.
“Ministri i Punëve të Brendshme paska thënë për veriun e vendit ‘Kjo pjesë tashmë frymon ndryshe’. Po Ministër, frymon në kontejnerë. Qeveria e juaj ka dështuar t‘i sigurojë vendvotimet e rregullta. Mos u krekos. Mos na shit dushk për gogla”, ka shkruar Çitaku në Facebook, transmeton Telegrafi.
“Tashmë kjo pjesë frymon më ndryshe”, ka shkruar Sveçla në Facebook një ditë para zgjedhjeve në veri, si përshkrim të disa fotografive nga veriu i Kosovës, ku shoqërohej nga ministri Bujqësisë, Faton Peci dhe deputeti Armend Muja.
Zgjedhjet lokale në katër komunat verore mbahen më 23 prill pas dorëheqjeve të katër kryetarëve në vitin e kaluar. /Telegrafi/