Pak pas lansimit nëpër kinema të filmit të fundit të Quentin Tarantinos, “Once upon a Time in Hollywood”, temë e mediave sërish është premtimi i regjisorit të famshëm se do të pensionohet kur e përfundon filmin e tij të dhjetë! Nëse ky plan realizohet, cili do të jetë filmi i tij i radhës? Pjesë të shkrimit të gazetarit Zach Vasquez, të publikuar në Guardian, Telegrafi sjell më poshtë.
Që nga citi 2017, Tarantino ka folur për një film në kuadër të serisë “Star Trek”, që do të jetë në bashkëpunim me producentin JJ Abrams dhe shtëpinë kinematografike “Paramount Studios”. Në një intervistë dhënë së fundi, e shprehu sërish interesimin e tij për këtë projekt, si dhe përkushtimin për t’u larguar nga regjia.
Vet ideja për një film të tij në hapësirë, me anijen kozmike “Starship Enterprise”, po intrigon adhuruesit duke shtuar spekulimet se nuk do ta përmbush limitin e imponuar për filmin e dhjetë.
“Mendoj se e kam një shteg dhe ideja ishte të hedh një shteg në të. Kjo do të jetë… Uh, besoj që ‘Star Trek’ nuk llogaritet, por mund ta bëj… Do të ishte filmi i fundit. Por, nuk e di nëse do ta bëjë. Mund të ndodhë”, ka thënë ai.
Përkundër interpretimeve të ndryshme të fjalëve të tij, duket se filmi i fundit i tij si regjisor mund të jetë “Star Trek”. Por, këtu është një detaj akoma më i çuditshëm që e bën këtë ide të paimagjinueshme: askush nuk pret të shoh një “StarTrek” të vlerësuar me R (nuk lejohet për persona nën 17-vjeç, pa përcjelljen e të rriturve – v.j.) e aq më pak nga një prej regjisorëve më kontrovers! Çudia këtu është edhe fakti se Mark L. Smith, i cili ishte bashkë-skenarist i filmit “The Revenant”, është angazhuar për këtë punë. E, nëse gjërat vazhdojnë siç kanë nisur, kjo është hera e parë që Tarantino po e bën një film të fantashkencës e po ashtu të parin që nuk e ka shkruar.
Filmi i tij i fundit, “Once Upon a Time in Hollywood”, duket të jetë filmi i tij më personal deri sot, si dhe shprehja më e pastër e interesave dhe obsesioneve të tij: filmi dhe televizioni; vendlindja e tij, Los Anxhelesi; kryqëzimi i historisë së Amerikës dhe mitologjisë; dhe, zanati i aktrimit! Ndoshta Tarantino synon që ky film të jetë deklarata e tij e fundit personale si regjisor, për të dal pastaj në pension me film të buxhetit të madh.
Sigurisht, çdo spekulim duhet të marrë parasysh historinë e projekteve që Tarantino ka nisur e që nuk janë realizuar: vazhdimi i filmave “Reservoir Dogs” dhe “Pulp Fiction”; adaptimi i veprës ë Elmore Leonardit, “Forty Lashes Less One”; biopiku për John Brownin; vazhdimi i filmit “Inglourious Basterds” i quajtur “Killer Crow”; dhe, natyrisht, pjesa e fundit e trilogjisë “Kill Bill”. Po ashtu, “Star Trek” nuk është rasti i parë i një serie filmike ku përmendet emri i tij. Më herët është përmendur p.sh. adaptimi i romanit “Casino Royale” të Ian Flemingut, me Pierce Brosnanin në rolin e James Bondit. Ndërkaq, është përmendur një herë edhe bashkëpunimi me shtëpinë botuese “Marvel” për një version të superheroit “The Silver Surfer”.
Ajo që dihet tash është se… çfarëdo që zgjedh për filmin e dhjetë dhe të fundit, kjo nuk do të thotë se vendimi mund të jetë përfundimtar. P.sh. Steven Soderbergh u tërhoq nga regjia më 2013, për t’u rikthyer katër vjet më vonë. /Telegrafi/