Freddy Adu dikur ishte sensacioni më i famshëm në botën e futbollit dhe më gjerë, por tani ai është në kërkim të një klubi të ri.
Amerikani ia doli të merrte krahasime me Pelen në moshën 14 vjeçare, pasi ai u transferua nga DC United në Draftin e MLS.
Duke shikuar pas, por tani si 33-vjeçar, Adu është i dëshpëruar për t’u rikthyer në lojë pasi u largua nga skuadra suedeze Osterlen FF në vitin 2021.
Adu po synon të jetë sa më në formë që mundet përpara provave të ardhshme këtë verë, ku ai shpreson të fitojë një kontratë.
Duke folur për NJ.Bet, Adu zbuloi planin e tij duke thënë: “Unë e di që duhet të jem në formë dhe nuk kam luajtur për një kohë, kështu që do të më duhej të bëja stërvitje, të cilat do të më ndihmojnë të jem super në formë”.
“Jam në pikën ku jam i përgatitur për ta bërë këtë dhe kështu do të jetë këtë verë, dhe shpresoj se do të shkojë sipas planit, që ka disa dyer që hapen dhe unë mund të kem mundësinë të rikthehem në lojë”.
“Nuk e di se çfarë mundësish do të vijnë, por duhet të jem gati për çdo mundësi që më vjen. Nuk do të them se jam shumë i mirë për askënd”.
“Unë thjesht dua të kthehem në lojën që më pëlqen dhe më mungon. Më mungon atmosfera, më mungon dhoma e zhveshjes, më mungojnë stërvitjet çdo ditë, të jem rreth djemve – më mungojnë të gjitha”, ka shtuar më tej ai.
Në vitin 2004, Adu u bë lojtari më i ri që u shfaq në një sport profesionist, duke bërë debutimin e tij për DC United në moshën vetëm 14 vjeç.
Dy javë më vonë ai shënoi golin e tij të parë profesional kundër Neë Jersey MetroStars.
Kjo e shtyu Nike të lidhte një marrëveshje sponzorizimi me Adun në vlerë mbi 1 milion euro, ndërsa ESPN raportonte se ai do të bëhej një yll edhe më i madh se LeBron James.
Ndërsa, legjenda braziliane Pele e krahasoi Adun me Mozartin, duke e quajtur atë si një artist që ka aftësi kaq të jashtëzakonshme në një moshë kaq të re.
Duke reflektuar për atë periudhë, Adu tha: “Unë pata shumë fat. Familja ime ishte e varfër dhe nuk mund të përballonte që unë të luaja për një ekip, por unë pata fat sepse më dhanë një bursë nga Potomac Cougars që më panë të luaja”.
“Trajneri më pa të luaja dhe mendoi se isha vërtet i talentuar dhe donte që të isha në ekip, kështu që më dha një bursë për të luajtur për ekipin. Çdo prind i vetëm në atë ekip pagoi pak më shumë nga xhepi i tij që unë të isha në gjendje të luajë në atë ekip. E pabesueshme”.
“Unë as nuk e dija për këtë, por e mësova kur tashmë po luaja si lojtar profesionist. Jam shumë mirënjohës që e bënë këtë, sepse ata nuk më detyroheshin asgjë”.
“Ata të gjithë panë diçka tek unë dhe menduan se mund të shkoja larg, kështu që e bënë këtë. Jo të gjithë e bëjnë një veprim të tillë, prandaj u jam shumë mirënjohës”, ka shtuar më tej ai.
Megjithatë, karriera e Adu shpejt u kthye në një zhgënjim – me presionin e të qenit shpresa e madhe e Amerikës dhe pritshmëria u bë një barrë, megjithëse ai zhvilloi 17 paraqitje për USMNT.
Pas një prove të dështuar në Manchester United, periudhave në Portugali me Benfican dhe me Monacon, Adu përfundoi përsëri në atdheun e tij duke u përpjekur të gjente një fije shprese, por që deri më sot nuk i ka shkuar mbarë. /Telegrafi/