Site icon Telegrafi

Cilat ishin arritjet dhe ngecjet sipas GLPS që karakterizuan vitin e dytë të qeverisjes Kurti?

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka publikuar sot një raport lidhur me vitin e dytë të qeverisjes Kurti.

Në raportin e GLPS-së thuhet se në përgjithësi, viti i dytë i qeverisjes është karakterizuar me fenomenin e pozitave të ushtruesve të detyrës duke tejkaluar në të shumtën e rasteve edhe afatet ligjore.

“Ky fenomen ka dëmtuar seriozisht funksionimin e administratës publike në Kosovë. Vlen të përmendet, që ky vit ka gjet qeverinë me vetëm 4 sekretarë të përgjithshëm me mandat zyrtar, kurse të tjerat pozita kanë qenë të gjitha me ushtrues detyre.

Përtej pozitave të larta, që nga viti 2019 nuk kemi asnjë rekrutim të jashtëm për nivelin profesional për administratën shtetërore. Madje, ka raste kur edhe pse procedurat e rekrutimit kanë përfunduar, Qeveria ka dështuar në emërimin e tyre dhe shembulli konkret në këtë rast është pozita e Sekretarit të Përgjithshëm në Zyrës së Kryeministrit të Kosovës”, thuhet në raport.

Dukuri tjetër që e karakterizon qeverisjen Kurti, GLPS e thekson moskompletimin për një kohë të gjatë të pozitave të rëndësishme brenda dikastereve dhe institucioneve kyçe sikurse pozita e ministrit të Shëndetësisë, e drejtorit të Policisë, sekretarëve të ndryshëm dhe agjencive ekzekutive.

“Ngjashëm, nga analiza e GLPS-së del se për shkak të performancës jo të kënaqshme, ashtu siç edhe ishte paralajmëruar nga Kryeministri Kurti, do duhej të bëhej një riformatim i Qeverisë, gjë që nuk ka ndodhur. Se ka nevojë për riformatim, tanimë kjo është e padiskutueshme”, thuhet më tej.

Sipas kësaj organizate edhe edhe pas dy viteve, menaxhimi i burimeve njerëzore gjatë kësaj periudhe ka pasur probleme për shkak se bashkimi i ministrive ka ndodhur vetëm në letër por në praktikë një pjesë e tyre ende funksionojnë si ministri të ndara.

“Edhe me këtë Qeveri, edhe pse viti dytë, ka vazhduar praktika e mospublikimit të raporteve vjetore të punës, si për qeverinë në përgjithësi ashtu edhe për institucionet/ministritë në veçanti. Me fjalë të tjera, fenomeni i mungesës së transparencës dhe llogaridhënies është ende shumë i theksuar”.

Në raportin e GLPS thuhet se Kosova vlerësohet të jetë ende në një fazë të hershme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, megjithatë si shenja pozitive në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit shihen operacionet policore kundër kontrabandës në veri të Kosovës dhe rastet “Subvencionet” dhe “Brezovica”.

Pozitive po ashtu konsiderohet edhe miratimi i disa ligjeve si: Kodi i ri të Procedurës Penale, Ligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Ligji i ri për Deklarimin e Pasurisë, legjislacioni për financimin e partive politike dhe vendimi për krijimin e strukturave për hartimin e Strategjisë Shtetërore dhe Planit të Veprimit Kundër Korrupsionit.

GLPS thekson se Qeveria duhet të fokusohet më shumë në aspektin e politikbërjes për hartim të legjislacionit adekuat në trajtimin më efikas të rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit nga gjykatat dhe prokuroritë.

“Procesi i Vetingut dhe ai i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme kanë kaluar nëpër disa etapa vështruar kronologjikisht. Përveç tjerash, akterët vendor i janë drejtuar edhe Komisionit të Venecias për opinione këshillëdhënëse të cilat janë publikuar tashmë, gjë qe duhet konsideruar pozitivisht.

Mirëpo, momentalisht që të dy projektligjet janë ‘asete të ngrira’ për faktin se që të dyja gjenden në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës për vlerësim të kushtetutshmërisë. Prandaj, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria Kurti II duhet të përforcojë bashkëpunimin me partitë opozitare, partitë nga radhët e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë, shoqërinë civile dhe grupet e interesit, me qëllim të jetësimit të reformave në drejtësi”, thuhet më tej.

Në raportin e GLPS-së analizohet edhe politika e jashtme, reforma në administratën publike, çështja e integrimit evropian e dialogu me Serbinë.

“Duhet vlerësuar pozitivisht aplikimi i Kosovës për anëtarësim në  Këshillin e Evropës në maj 2022 dhe në Bashkimin Evropian në dhjetor 2022.

Në vitin e dytë të qeverisjes së Kurtit, Kosova u përball me disa pengesa të rëndësishme në punët e jashtme. Pavarësisht përpjekjeve të saj, ajo nuk arriti të marrë ndonjë njohje të re shtetërore apo të sigurojë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Në vitin 2022, shërbimi i jashtëm i Kosovës u gjet para një skandali të madh financiar ku përfshihej Martin Berishaj, ambasadori i vendit në Kroaci. Sipas raportimeve, Berishaj dyshohet se ka qenë i përfshirë në një skandal pastrimi parash në Slloveni, ku ka transferuar rreth 600,000 euro.

Megjithatë, i njëjti ka vazhduar të ushtrojë detyrën e ambasadorit, ndonëse dorëheqja do ishte e dëshirueshme”, shkruan në raport.

Për GLPS-në Strategjia Kombëtare e Zhvillimit 2022-2030 përfaqëson një momentum të mire në zhvillimin e vendit, megjithatë Qeveria duhet të adresojë kufizimet e transparencës dhe llogaridhënies dhe të rrisë pjesëmarrjen e publikut në zhvillimin e politikave dhe vendimmarrjen.

Ndërkaq, lidhur me procesin e integrimit evropian, thuhet se procesi mbetet ende i limituar brenda mekanizmave të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe Agjendës Evropiane për Reforma – ERA II.

“Në aspiratën për integrim, Qeveria tashmë ka deponuar formalisht aplikacionin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më 15 dhjetor 2022. Ky është një hap i rëndësishëm për rikonfirmimin e orientimit drejt BE-së dhe për nxitje më të madhe të reformave në vend”, thuhet më tej.

Sa i përket dialogut me Serbinë, GLPS konsideron se ka mungesë të një dialogu të mirëfilltë dhe të rregullt me partitë opozitare sa i përket këtij procesi.

“Pak para se të bëhen dy vite qeverisje, në princip u arrit edhe një dakordim mes palëve ne Ohër për zbatimin e Planit Franko-Gjerman. GLPS konsideron që në parim nuk është plan i keq por është i pamjaftueshëm në kuptimin që nuk garanton njohje de-jure ndonëse në bazë asaj që kemi parë garanton të paktën një lloj njohje de facto sepse përfshin njohjen e simboleve, integritetin territorial, njohjen e diplomave, vulave, targave dhe parasheh hapjen e misioneve apo zyrave ndërlidhëse”, thuhet në raport.

Sa i përket pikës së 7-të që lidhet me Asociacionin, GLPS konsideron se ndonëse të drejtat e minoritet serb duhet të akomodohen sipas ligjeve dhe Kushtetutës së vendit, kjo nuk duhet të jetë pika kryesore e diskutimit, por ajo që duhet kërkuar fillimisht është garancia nga Serbia që do të respektoj planin meqë  në të kaluarën ka treguar të kundërtën. Dhe nuk ka kuptim t’i kërkohet Kosovës të implementojë një marrëveshje të tillë nëse Serbia nuk tregon seriozitet dhe përkushtim për implementim te saj.

Në anën tjetër, BE dhe SHBA duhet të ofrojnë një lloj sigurie apo mekanizmi që garanton se Kosova do të njihet nga 5 vendet mosnjohëse dhe do i hapet rruga për anëtarësim në organizata të rëndësishme ndërkombëtare. Sepse, në këtë fazë nuk është e qartë se çfarë po përfiton Kosova meqë realisht po hiqet dorë nga kërkesa për të pas në qendër të marrëveshjes njohjen reciproke”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version