Site icon Telegrafi

Çifti australian ‘detyrohen’ të ulen pranë trupit të pajetë për orë të tëra në fluturimin e Qatar Airways

Një çift kanë thënë se u detyruan të uleshin pranë një trupi të pajetë për katër orë në një fluturim të Qatar Airways.

Mitchell Ring dhe Jennifer Colin po udhëtonin nga Melburni në Doha, kur një grua doli nga tualeti dhe u rrëzua pranë rreshtit të tyre rreth 10 orë pas udhëtimit, transmeton Telegrafi.

“Fatkeqësisht, zonja nuk mundi të shpëtohej, gjë që ishte shumë e tmerrshme për t’u parë”, tha Ring për programin australian A Current Affair.

“Ata u përpoqën ta drejtonin atë drejt klasës së biznesit, por ajo ishte një zonjë mjaft e madhe dhe nuk mund ta kalonin atë në korridor”, shtoi ai.

Dyshja, të cilët ishin të vetmit në një rresht prej katër vetash, thanë se stjuardesat e vendosën gruan në një nga ulëset rezervë për katër orët e mbetura të fluturimit.

“Ata thanë, a mund të lëvizni, ju lutem dhe unë thjesht thashë, po nuk ka problem. Pastaj e vendosën zonjën në karrigen ku isha unë”, u tha Ring mediave australiane

Ai theksoi se kishte disa vende rezervë aty pranë, por pretendoi se ekuipazhi nuk ofroi t’i lëvizte ato.

Ring tha gjithashtu se atij iu tha të qëndronte në vend ndërsa ekipet mjekësore hoqën batanijet që mbulonin gruan kur ata zbarkuan, dhe se atyre nuk iu ofrua asnjë mbështetje.

Në një deklaratë për NBC News, Qatar Airways tha: “Mendimet tona në radhë të parë janë me familjen e pasagjerit që fatkeqësisht vdiq në bordin e fluturimit tonë”.

“Ne kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim që mund të ketë shkaktuar ky incident, dhe jemi në proces të kontaktimit të pasagjerëve në përputhje me politikat dhe procedurat tona”, shtuan nga Qatar Airways. /Telegrafi/

Exit mobile version