Këshilltari i Lartë në Departamentin e Shtetit në SHBA, Derek Chollet, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin Albin Kurti.
Chollet në një postim në llogarinë e tij në Twitter, bëri të ditur se është biseduar për themelimin e Asociacionit dhe partneriteti i fortë mes SHBA-së dhe Kosovës.
Po ashtu të dy kanë diskutuar edhe për takimin e 2 majit në Bruksel.
“Kam pasur një bisedë shumë të mirë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për takimin e 2 majit të liderëve lidhur me normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë përmes Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja, dhe shpreha rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm të Asociacionit për Komunat me shumicë Serbe dhe partneritetin e fortë SHBA-Kosovë”, shkroi Chollet.
Ndërsa Kurti theksoi rëndësinë që Marrëveshja themelore dhe Aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi dhe në mirëbesim.
“Pata një telefonatë të mirë me Derek Chollet sot, ku diskutuam axhendën e takimit të nesërm. Theksova rëndësinë që Marrëveshja Themelore dhe Aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi dhe në mirëbesim. E falënderova edhe për mbështetjen e SHBA-së”, u shpreh Kurti.
Më herët, të premten, më 28 prill, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, konfirmoi se në takimin e ri të nivelit të lartë të dialogut mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, më 2 maj, në rend dite do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit dhe do të paraqitet drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Stano nuk i ka komentuar kritikat e bëra nga krerët shtetërorë serbë për zgjedhjet lokale që u mbajtën më 23 prill në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Ai po ashtu nuk komentoi as ankesat e paraqitura nga Beogradi lidhur me nisjen e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ai ka theksuar se BE-ja pret që palët të zbatojnë obligimet që kanë marrë.
Liderët e të dy vendeve, Kurti dhe Vuçiq, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin e 2 majit.
Takimi do të zhvillohet në kohën kur Kosova ka akuzuar Serbinë se ka shkelur Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, të arritur më herët gjatë këtij muaji.
Serbia ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, pavarësisht se me Marrëveshjen drejt normalizimit është zotuar se nuk do ta pengojë Prishtinën që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare./Telegrafi/
Very good conversation with PM @albinkurti about the May 2 leaders’ meeting on normalizing relations w/ Serbia through the EU-Facilitated Dialogue, the importance of implementing the Association for Serb-majority Municipalities immediately, and strong U.S.-Kosovo partnership.
— Derek Chollet (@CounselorDOS) May 1, 2023
Had a good phone call with @CounselorDOS Derek Chollet today, where we discussed the agenda for tomorrow’s meeting. I emphasized the importance that the Basic Agreement & its Annex must be implemented in its entirety and in good faith. I also thanked him for the U.S. support.
— Albin Kurti (@albinkurti) May 1, 2023