Chelsea po planifikon transferimin e të paktën edhe një sulmuesi pasi përfunduan blerjen e Pedro Netos nga Wolves për 54 milionë euro.
Neto, i cili kishte tërhequr interesimin edhe të Manchester Cityt dhe Newcastle United, ka nënshkruar kontratë gjashtë vjeçare me mundësinë e vazhdimit edhe për një vit tjetër në ‘Stamford Bridge’.
24-vjeçari i cili ka shkëlqyer për Wolvesin gjatë pesë viteve të fundit, ka shënuar 14 gola dhe ka dhuruar 24 asistime në 135 ndeshje të luajtura.
Në ndërkohë, Chelsea do të konfirmojë edhe transferimin e Samu Omorodion nga Atletico Madridi për 34.5 milionë euro pasi ai udhëtoi për në Londër të shtunën.
Megjithatë, këto nuk pritet të jenë lëvizjet e vetme të klubit londinez gjatë këtij afati kalimtar, pasi ata synojnë që ta transferojnë edhe Victor Osimhen në formë huazimi.
Napoli e kishte konfirmuar ditën e djeshme se Osimhen ka kërkuar largimin nga klubi pasi u la jashtë ndeshjes kundër Modenas në Kupën e Italisë.
‘Blutë e Londrës’ tashmë kanë tejkaluar shifrën e 200 milionë eurove të shpenzuara këtë verë, por ata do ta kompensojnë këtë duke larguar të paktën shtatë lojtarë qoftë në mënyrë të përhershme ose në formë huazimi.
Juventusi tashmë ka kërkuar informacion për Raheem Sterling por bisedimet nuk kanë avancuar, ndërsa Trevoh Chalobah, Armando Broja dhe Romelu Lukaku janë ende në pritje të ofertave.
Chelsea do ta nis sezonin e ri në Ligën Premier të dielën e ardhshme, ku do ta pres në ‘Stamford Bridge’ kampionin në fuqi Manchester Cityn./Telegrafi/