Site icon Telegrafi

Chelsea fiton Superkupën e Evropës, mposht pas penalltive Villarrealin

Superkupa e Evropës e zhvilluar në Belfast, mes Chelseat dhe Villarrealit, u mbyll baras 1-1 pas kohës së rregullt dhe vazhdimeve, ndërsa fitues nga penalltitë dolën anglezët.

Fituesi i Ligës së Kampionëve ishte më i mirë nën çdo aspekt në pjesën e parë duke dominuar tërësisht.

Goli për Chelsean erdhi në minutën e 27-të pas një aksioni shumë të bukur. Kai Havertz gjeti në zonë Hakim Ziyechin i cili nga afër shënoi për 1-0.

Chelsea kishte edhe disa raste pas golit, por fati nuk ishte me ta.

Deri në fund të pjesës së parë nuk kishte më gola dhe Chelsea shkoi në pushim me epërsi prej një goli.

Në pjesën e dytë Villarreali u këndell dhe rrezikoi që në start, duke iu afruar golit me Gerard Morenon në minutën e 52-të.

Në minutën e 68-të, sërish një rast i mirë për ‘Nëndetësen e verdhë’, ku Pervis Stupinan gjuajti, por Mendy ishte në vend.

Goli i barazimit erdhi në minutën e 73-të, kur Boulaye gjeti Gerard Moreno, i cili me një gjuajtje të bukur shënoi për 1-1.

https://www.youtube.com/watch?v=0owM0cdHYPA&ab_channel=RufaelGebrehiwet

Pas golit të barazimit, skuadrat nuk rrezikuan dhe koha e rregullt u mbyll baras, duke e dërguar ndeshjen në vazhdime.

Në vazhdime Chelsea kishte dy raste të mira me Christian Pulisic në minutën e 100-të dhe Mason Mount në minutën e 108, por pa sukses.

Në fund ndeshja shkoi në penallti, ku më të saktë dolën të jenë anglezët që fituan me rezultat 6-5.

/Telegrafi/

Exit mobile version