Apple pritet që ta debutojë linjën e saj të iPhone 15 të martën në eventin kryesor të kompanisë në shtator, dhe mund ta prezantojë edhe ndryshimin më të madh në dizajnin e telefonit në 11 vitet e fundit.
Eventi i shtypit, të cilin Apple e reklamoi me etiketimin “wonderlust”, do të mbahet në zyrat qendrore të kompanisë në Cupertino të Kalifornisë, dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë në ueb-sajtin e saj, duke filluar nga ora 10 e mëngjesit sipas kohës lokale.
Edhe pse eventi vjetor i iPhone është si formulë me kalimin e viteve, duke njoftuar ndryshime në rritje në jetëgjatësinë e baterisë, sistemin e kamerës dhe ekranet, këtë vit Apple pritet që të prezantojë karikimin me USB-C për telefonat e saj për herë të parë. Ndryshimi përfundimisht mund të thjeshtojë procesin e karikimit në pajisje dhe marka të ndryshme, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
Por kompania do duhet të prezantojë më tepër se vetëm një sistem të ri të karikimit për t’i bërë përdoruesit që të përditësojnë telefonat e tyre. Shitjet e Apple pësuan rënie për tremujorin e tretë radhazi, teksa fitimet e iPhone në ketë tremujor arritën shifrat prej 39.7 miliardë dollarë, duke shënuar një rënie prej rreth 2 për qind nga viti në vit.
Por çfarë mund të presim më shumë nga ky event?
Një ndryshim i madh në karikim
Apple më parë e kishte ndryshuar sistemin e karikimit në USB-C tek iPad-ët dhe MacBook-ët, por tani mund të jetë koha që më në fund ky ndryshim të bëhet edhe tek iPhone-ët. Kjo lëvizje vije më pak se 1 vit pasi Bashkimi Evropian kishte votuar për të aprovuar ligjin i cili kërkon që telefonat e mençur, tabletat, kamerat dixhitale, altoparlantët portativ dhe pajisje të tjera të vogla të mbështesin karikimin me USB-C që nga viti 2024.
Ligji i parë i këtij lloji synon që të ul numrin e karikuesve dhe kabllove me të cilat klientët duhet të “përballen” kur ata blejnë një pajisje të re, dhe t’u mundësojë përdoruesve që të përziejnë dhe përshtatin pajisjet dhe karikuesit edhe nëse ato janë prodhuar nga prodhues të ndryshëm.
Veçoritë e tjera të iPhone 15
E tërë linja e iPhone 15 thuhet se do ta marrë veçorinë “Dynamic Island” – një shtëpi interaktive për alarme, njoftime dhe kontrolle të ndryshme – e cila e zëvendëson notën në pjesën e sipërme të ekranit. Ky mjet ishte lansuar vitin e kaluar për modelet e iPhone 14 pro.
Edhe pse kishte disa thashetheme të tjera që qarkullonin në lidhje me modelet e thjeshta të iPhone 15, sipas raportit të Bloomberg, modelet Pro dhe Pro Max pritet që të marrin një numër të veçorive të reja. Kjo mund të përfshijë një lens periskop në pjesën e pasme, diçka që lejon për më tepër zmadhim optik, si dhe një kornizë titaniumi i cili do ta bëjë pajisjen deri në 15 për qind më të lehtë dhe të hollë.
Një përditësim Vision Pro
Në qershor, Apple e prezantoi Vizion Pro-në, një pajisje e realitetit të përzier për të cilën kompania thotë se do të sjellë një periudhë të re të “teknologjisë hapësinore”. Yoram Wurmser, një analist në Insider Intelligence, beson se kompania do të prezantojë shkurtimisht “disa veçori të reja dhe bashkëpunime më të thella” për të ngritur emocionet përpara lansimit të saj në vitin 2024, dhe se ka gjasa që kompania të njoftoi edhe datën e lansimit.
Kjo pajisje i përzien që të dy realitetet, si atë virtual po ashtu edhe atë të shuar, një teknologji e cila mbivendos imazhet virtuale në video të drejtpërdrejta të botës reale. Kufjet janë produkti më i madh dhe më i rrezikshëm i Apple në vitet e fundit.
AirPod-ët e rinj, orët e reja Apple Watch si dhe datat e lansimit të softuerit
Zakonisht gjiganti amerikan orët më të fundit Apple Watch i prezanton së bashku me iPhone-ët çdo vit, kështu që ka gjasa që ta shohim debutimin e Apple Watch Series 9 dhe ndoshta orën e saj të mençur të gjeneratës së ardhshme Ultra 2, e cila është një pajisje më e fortë për entuziastët serioz të sporteve. Sipas Bloomberg, Apple është duke punuar në një rinovim të tërësishëm për Apple Watch Series 10 të vitit të ardhshëm, kështu që përditësimet e këtij viti mund të jenë relativisht të vogla.
Për më tepër, Apple pritet të shfaq AirPods-et e tij të gjeneratës së ardhshme me një kuti të re karikimi e cila do të funksionojë me kabllo USB-C. Gjithashtu ka të ngjarë të publikojë edhe datat e lansimit për sistemet operative të gjeneratës së ardhshme për iPhone, iPad, kompjuterë Mac dhe Apple Watch.
Çfarë nuk duhet pritur?
Me iPhone-in e ri që pritet të marr qendrën e vëmendjes, shumë analist nuk presin që Apple të lansojë iPad-ët ose kompjuterët e rinj Mac deri në muajin tetor, dhe pavarësisht se rivalët Samsung dhe Google dyfishojnë pajisjet e tyre të palosshme, nuk pritet që Apple të prezantojë ndonjë version të njëjtë këtë vjeshtë. /Telegrafi/