Telegrafi

Çfarë po vjen nga BMW…

Edhe më parë është shkruar nëpër media për lajmin jozyrtar se BMW gjatë vitit 2016, me rastin e përvjetorit të 100-të, do të prezantojë versionin më të fortë të modelit hibrid i8.

Rreth këtij modeli tani ka rishkruar revista gjermane Auto Bild, e cila këtë veturë e përshkruan si BMW Super-i8, ndërsa më parë është përshkruar me emrin BMW i8S, transmeton Koha.net. Gjithashtu, janë publikuar edhe disa fotografi të këtij modeli.

Megjithatë, ky model do të jetë një veturë sportive (M100), e bazuar në modelin i8, edhe eksterierin do ta ketë sportiv, frenat më të forta, goma më të gjera dhe më shumë fuqi.

Sipas njoftimeve të mëhershme, kjo veturë nuk do të ketë ulëset e pasme, që do të thotë se do të ketë bagazhin më të madh, transmeton Koha.net. Për projektimin e këtij modeli përkujdeset ekipi projektues i BMW-së, nën komandën e drejtorit Roberto Fedeli, i cili më parë ka punuar për Ferrari.

Sipas informatave jozyrtare, BMW Super-i8 thuhet se posedon një motor Turbo të dyfishtë, 2.0 l me katër cilindra dhe tjetrin 3.0 l me gjashtë cilindra. Njëri nga këta dy motorë benzinë do të jetë përgjegjës për lëvizjet me rrotat e pasme, ndërsa motori elektrik do të fus në funksion pjesën e përparme, ndërkaq fuqia e kombinuar do të jetë më shumë se 500 KF.