Burimi: CNN
Përkthimi: Telegrafi.com
Sipërfaqësisht, sulmi i së shtunës me raketa dhe dronë i Iranit mbi Izraelin, ishte reagim ndaj sulmit ajror të para dy javëve të izraelitëve në një ndërtesë të konsullatës iraniane në Damask, gjatë të cilit sulm u vranë të paktën shtatë zyrtarë – përfshirë komandantët e Gardës Revolucionare.
Megjithatë, ishte gjithashtu rezultat i armiqësisë së pjekur me dekada midis Iranit dhe Izraelit – duke përfshirë aleatin e tij, Shtetet e Bashkuara – si rezultat i natyrës së regjimit iranian dhe i ndryshimit të politikave dhe gabimeve të ShBA-së qëkur aleati i Perëndimit dhe i Izraelit, Shahu i Iranit, u përmbys nga islamistët në Revolucionin iranian të vitit 1979.
“Irani modern, i fortë dhe paqësor mund të bëhet shtyllë stabiliteti dhe përparimi në rajon”, shkroi në vitin 2006, ish-sekretari i shtetit i ShBA-së, Henry Kissinger. “Kjo nuk mund të ndodhë derisa liderët e Iranit nuk vendosin nëse përfaqësojnë një kauzë apo një komb – nëse motivimi i tyre bazik është kryqëzata apo bashkëpunimi ndërkombëtar”.
Po si regjimet e tjera që nxiten nga ideologjia revolucionare, ajatollahët e Iranit zgjodhën të jenë kauzë, duke bartur ndikimin dhe idetë e veta në vende e tjera dhe te një sërë grupesh militante.
Sipas ekspertit iranian Karim Sadjadpour, të cilin kohët e fundit e intervistova për audio-podkastin Në dhomë me Peter Bergenin, qëllimet e ajatollahëve janë të trefishta: për të dëbuar Shtetet e Bashkuara nga Lindja e Mesme, për të zëvendësuar Izraelin me Palestinën dhe për të rrëzuar rendin botëror të udhëhequr nga ShBA-ja. Këto nuk janë qëllime modeste, por Sadjadpour tha se nuk mund të nënvlerësoni entuziazmin revolucionar të liderëve të Iranit.
Fushata iraniane për të dëbuar Shtetet e Bashkuara nga Lindja e Mesme, nisi në Liban në fillim të viteve 1980, kur Irani mbështeti një grup të militantëve që jetonin në zonat e dominuara nga shiitët në Bejrutin jugor dhe të cilët kishin themeluar Hezbollahun – “Partinë e Zotit”.
Duke e përdorur teknikën e atëhershme të re të sulmeve vetëvrasëse, e bombarduan Ambasadën e ShBA-së në Bejrut – duke vrarë 63 njerëz, përfshirë tetë oficerë të CIA-s në ditën më vdekjeprurëse në historinë e CIA-s. Hezbollahu gjithashtu bombardoi ndërtesën e kazermës së Marinës në Bejrut, duke vrarë 241 anëtarë të shërbimit amerikan.
Ato sulme të Hezbollahut ia arritën qëllimit. Administrata e Reaganit tërhoqi të gjitha forcat amerikane nga Libani. Një fundamentalist i ri i pasur saudit, i quajtur Osama bin Laden, vështronte nga afër: Ai arriti në përfundimin se nëse bëni presion të mjaftueshëm ushtarak mbi amerikanët, ata do tërhiqen nga Lindja e Mesme.
Pasi al-Kaida e bin Ladenit sulmoi ShBA-në më 11 shtator 2001, amerikanët në fakt ia dhanë iranianëve një dhuratë të madhe – gjë që ishte përmbysja e vitit 2003 e armikut të tyre të përbetuar, diktatorit irakian Saddam Hussein, kundër të cilit Irani kishte bërë luftë gati dhjetëvjeçare shkatërrimtare gjatë viteve 1980.
Pas rënies së Saddamit, Iraku u shkatërrua nga një luftë civile që vrau qindra-mijëra vetë. Në zonën e luftës së Irakut, Irani futi bomba shumë efektive rrugore të njohura si EFP – Depërtues në Formë Shpërthimi – të cilat plagosën dhe vranë qindra ushtarë amerikanë. Në vitin 2011, ShBA-ja u tërhoq nga Iraku.
Historia zyrtare e Ushtrisë amerikane në Luftën e Irakut, arriti në përfundimin se Irani ishte i vetmi fitues i asaj lufte. Ky nuk ishte përfundimi i kritikut të zëshëm të luftës, Noam Chomsky, por i një grupi të historianëve të matur të Ushtrisë amerikane.
Norman Roule ishte zyrtari më i lartë i inteligjencës amerikane për Iranin, nga viti 2008 deri në vitin 2017. Në podkastin Në dhomë … Roule vuri re se “Irani përdor qasjen e prerëses së biskotave në të gjithë rajonin, por brumi në secilin vend është i ndryshëm e koha e gatimit është ndryshe-ndryshe”.
Në Siri, lufta civile nisi në vitin 2011 dhe Irani e vërejti një mundësi tjetër për këtë qasje të prerjes së biskotave, duke mbështetur me miliarda dollarë ndihma regjimin e liderit sirian Bashar al-Assad, si dhe këshilltarët iranianë dhe forcat e Hezbollahut në terren të cilat luftonin për regjimin e Assadit.
Kjo e shpjegon praninë e vazhdueshme të sotme në Damask të liderëve dhe të këshilltarëve të lartë ushtarakë iranianë, si ata që u vranë nga sulmi ajror izraelit më 1 prill, gjë që të shtunën e shkaktoi breshërinë e raketave dhe dronëve të Iranit kundër Izraelit.
Në Jemen, Lëvizja Huti nisi duke luftuar qeverinë qendrore dhe – veçanërisht pasi rivali i Iranit për dominimin rajonal, Arabia Saudit, ndërhyri në luftën e Jemenit në vitin 2015 – Irani i trajnoi hutët dhe i furnizoi ata me raketa dhe me dronë. Këto janë të njëjtat armë të cilat hutët i kanë përdorur kundër anijeve në Detin e Kuq, duke mbyllur në mënyrë efektive rrugën e anijeve drejt dhe nga Kanali i Suezit, duke ndërprerë kështu një rrugë kritike për tregtinë globale.
Dhe, pastaj është Hamasi. Derisa Irani, sipas Christine Abizaidit – drejtoreshës së Qendrës Kombëtare të Kundër-Terrorizmit të ShBA-së – nuk e kishte asnjë njohuri paraprake për sulmin e Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor, Irani, sipas Departamentit të Thesarit të ShBA-së, e ka furnizuar Hamasin me qindra miliona dollarë për armët dhe për trajnimet.
Përfaqësuesit e Iranit në Lindjen e Mesme, në një nivel ose tjetër, tani ushtrojnë ndikim të rëndësishëm në Gazë, Irak, Liban, Siri dhe Jemen. Këta përfaqësues njihen në mënyrë madhështore si “boshti i rezistencës” kundër Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa e ushtrojnë ndikimin e vet në një rajon që shtrihet në 2 414 kilometra nga veriu në Liban e deri në bregun e Detit të Kuq të Jemenit në jug. Dhe, iranianët tani janë më afër se kurrë për të pasur armët bërthamore.
Gabimi më i rëndësishëm i politikës së jashtme të Administratës Trump, ishte tërheqja nga marrëveshja bërthamore iraniane, e nënshkruar nga Administrata Obama, e cila i pengonte iranianët që të pasuronin uranium në mbi rreth katër përqind; për pajisjet bërthamore, keni nevojë për pasurim me 90 përqind të uraniumit. Përpara se ish-presidenti Donald Trump të refuzonte marrëveshjen, Irani i respektonte kushtet e marrëveshjes bërthamore – sipas shefave të inteligjencës së Trumpit. Iranianët sot thuhet se kanë mjaft uranium, shumë të pasuruar për tri armë, dhe vlerësohen se më afër se kurrë janë për të pasur armë të zbatueshme bërthamore.
Sulmet e së shtunës me dronë dhe raketa kundër Izraelit, u bënë për t’i treguar Izraelit dhe rajonit se regjimi iranian nuk mund të mashtrohet, dhe se do të ketë hakmarrje për sulmin izraelit ndaj udhëheqësve të tij ushtarakë në Damask. Megjithatë, mund të mos shkaktojë luftë të madhe pasi – sipas ushtrisë izraelite – 99 përqind e 300 dronëve dhe raketave të lëshuara nga Irani u shkatërruan. Ka të ngjarë që regjimi teokratik i Iranit, i cili është përballur me protesta të mëdha të brendshme dhe i cili po i afrohet një tranzicioni të brezave, donte të përgjigjej ndaj thirrjeve për hakmarrje për sulmin në Damask, pa shkaktuar një luftë të madhe me dy ushtritë superiore – atë të ShBA-së dhe Izraelit.
Misioni iranian në Kombet e Bashkuara në Nju-Jork, lëshoi një deklaratë derisa sulmet e Iranit ishin në progres, duke thënë se i ishin përgjigjur sulmit kundër “objekteve tona diplomatike në Damask” dhe se “çështja mund të konsiderohet e përfunduar”.
Kjo, natyrisht, nuk do të thotë se Izraeli do ta konsiderojë çështjen si të përfunduar. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu – i cili nuk i ka arritur objektivat e veta strategjike në Gazë për zhdukjen ushtarake të Hamasit dhe për kthimin e rreth 100 pengjeve të mbajtura nga Hamasi, dhe i cili gjithashtu nuk është i pëlqyer nga shumica e izraelitëve – me siguri mund të përfitojë nga momenti duke e paraqitur veten si lider këmbëngulës i kohës së luftës. Sigurisht, publiku izraelit mund të kërkojë gjithashtu veprime për të rivendosur frenimin kundër Iranit, pasi sapo ka përjetuar një breshëri të sulmeve me raketat dhe dronët iranianë.
Pra, pavarësisht që presidenti Joe Biden e telefonoi Netanyahun të shtunën mbrëma, për t’i thënë se sulmi i Iranit nuk kishte sukses dhe se ShBA-ja nuk do ta mbështesë asnjë kundërsulm, vështirë se do të ishte në karakterin e Netanyahut që të mos reagojë disi kundër Iranit.
Dhe, këtu gjërat mund të përkeqësohen edhe më shumë meqë konflikti i shtuar rajonal – të cilin administrata Biden prej kohësh është përpjekur për ta shmangur – tani ka marrë vrull dhe është e paqartë se ku janë vijat e kuqe të të gjithëve dhe se çfarë mund të shkaktojë lufta e madhe me Iranin.
Siç vuri në dukje Abizaid në një intervistë për podkastin tim, përpara sulmit të së shtunës nga Irani, çështja është se “të gjithë kanë një lloj njohurie se cilat mund të jenë këto vija të kuqe, ndërsa ngjarjet mund të ndryshojnë perceptimin nëse njëra prej tyre është kapërcyer në një kohë të caktuar”.
Të hënën, kryeministri irakian Mohammed Shia al-Sudani, do të takohet me Bidenin në Shtëpinë e Bardhë. Takimi vjen në një kohë kur ka presion të konsiderueshëm në Irak për të tërhequr 2 500 trupat amerikane të cilat mbeten atje në një mision anti-ISIS.
Tërheqja e trupave amerikane nga Iraku fqinj është qëllimi kryesor i Iranit, i cili ushtron ndikim të konsiderueshëm mbi disa politikanë irakianë.
Kjo përbën dilemë si për qeverinë irakiane ashtu edhe për administratën e Bidenit, pasi trupat amerikane me bazë në Irak kanë qenë objektiv i shpeshtë i milicive të mbështetura nga Irani – që nga fillimi i luftës në Gazë. Teksa këto sulme u ndalën pas vrasjes në janar të tre ushtarëve amerikanë nga një milici e mbështetur nga Irani në Jordani, nëse konflikti nis të vlojë me Iranin, mund të rifillojnë ato sulme kundër bazave amerikane në Irak.
Kundërpesha e kësaj është fakti se pasi herën e fundit ShBA-ja tërhoqi të gjitha forcat e veta nga Iraku, në vitin 2011, brenda tri viteve ISIS-i kishte pushtuar pjesën më të madhe të vendit, një histori të cilën shumica dërrmuese e irakianëve nuk duan ta përsërisin.
Do të jetë interesante të shihet nëse, duke pasur parasysh qëndrimin gjithnjë e më luftarak të iranianëve, administrata Biden do të ushtrojë presion të konsiderueshëm mbi kryeministrin irakian për t’i mbajtur ata ushtarë amerikanë në terren në Irak. /Telegrafi/