Site icon Telegrafi

Çfarë mendonin për seksin, gratë e antikitetit?

Nga: Daisy Dunn / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Sipas Semonidit së Amorgosit, poetit i cili jetonte në Greqi në shekullin VII para Krishtit, ekzistojnë 10 lloje kryesore të grave. Ka gra të cilat janë si derrat, sepse më shumë preferojnë të hanë sesa të pastrojnë; gra që ngjajnë me dhelprat, meqë janë shumë të vëmendshme; gra si gomaricat të cilat janë seksualisht të shthurura; gra si qentë të cilat njihen për mosbindje. Ka gra të stuhishme detare, gra lakmitare si toka, gra hajdute nuselale, gra dembele si kuajt, gra jo tërheqëse si majmunët dhe – lloji i vetëm i mirë – gra punëtore si bleta.

Nga të gjitha gratë e përshkruara në këtë listë që vlon nga mizogjinia e kohës, më misteriozet ndoshta janë ato të ashtuquajturat “gra gomarica” të cilat janë seksualisht të shthurura.

Poetja e lashtë greke Safo i dha shprehje të fuqishme epshit femëror

Rrëfimet historike nga bota e lashtë priren të zbulojnë natyrën e mbyllur të jetës së grave. Në Greqi, gratë zakonisht ishin të mbuluara në publik, ndërsa në Romë ato kishin “kujdestare” (zakonisht të babait ose të burrit) për të mbikëqyrur lëvizjet e tyre dhe mënyrën e qasjes ndaj pasurisë. A ishte koncepti i gruas epshore fantazi e pastër mashkullore? Apo gratë e botës së lashtë ishin më të interesuara për seksin sesa besohet në përgjithësi?

Siç kuptova gjatë kërkimit për librin tim të ri Fija e munguar [The Missing Thread], duhet kërkuar shumë për historinë e parë të botës së lashtë të shkruar përmes grave, nëse duam të zbulojmë se çfarë mendonin me të vërtetë gratë për seksin.

Shumica dërrmuese e burimeve të mbijetuara janë shkruar nga burrat që ishin të prirë të ekzagjeronin zakonet seksuale të grave – në njërin ose në drejtimin tjetër. Disa shkuan aq larg për të theksuar virtytin e gruas, saqë e bënë të dukej pothuajse e shenjtë dhe jo njerëzore. Të tjerët qëllimisht i paraqitnin gratë si seksualisht të pangopura, si mjet që ndot karakteret e tyre. Nëse do t’i merrnim si të vërteta këto përshkrime, do të arrinim në përfundimin se gratë në botën e lashtë ishin ose që të gjitha të dëlira, ose të çmendura pas seksit. Për fat të mirë, është e mundur të shikosh në zemrat e disa grave të antikitetit të cilat ofrojnë një pamje shumë më të thellë të seksualitetit femëror.

Duke analizuar të njëjtën kohë të poetit të cituar më lart, ne ndeshemi me Safon e cila krijoi poezi lirike në ishullin grek të Lesbosit në shekullin VII para Krishtit. Duke parë një grua që ulet e flet me një burrë, Safo dokumentoi ndjesitë e forta fizike të cilat i përjetoi – rrahje zemre, të folur me lajka, zjarr nëpër vena, verbëri të përkohshme, zhurmë në veshë, djersë të ftohta, dridhje, zbehje – të gjitha këto të njohura për këdo që ka rënë ndonjëherë në epsh. Në një poezi tjetër, Safo përshkroi kurorëzonin e një gruaje me lule dhe kujtoi me mallëngjim se si, në një shtrat të butë, ajo do ta “shuante dëshirën”. Këto janë rrëfimet e një gruaje që e kupton papërmbajtshmërinë e pasionit.

Poezitë e Safos sot janë aq fragmentare saqë është e vështirë t’i lexosh me saktësi, por studiuesit në njërin prej papiruseve kanë zbuluar referencën për “dildo”, të njohur në greqisht si olisboi. Ato u përdorën në ritualet e fertilitetit në Greqi, si dhe për kënaqësi, dhe u shfaqën si të tilla në një numër të pikturave të vazove. Më vonë në Romë, objektet e falusit kishin gjithashtu cilësi të ngjashme me hajmalitë. Nuk do të kishte kuptim që gratë t’i shmangeshin simboleve të cilat besohej se sillnin fat.

Një sarkofag që përshkruan një çift të shtrirë së bashku – një nga shumë shembujt e veprave artistike etruske me prirje romantike

Deri këtu, gratë e lashta nuk dridheshin nga pamja e erotizmit, prandaj disa madje u varrosën me këtë. Në periudhën përpara se Roma të dilte në pah, etruskët e aftë e dominuan kontinentin italian dhe e mbushën atë me skena të natyrës romantike. Punimet e shumta të artit dhe pjesë të statujave së varrit përshkruajnë burra dhe gra të shtrirë së bashku. Një kemore me burra dhe gra që preknin organet gjenitale të njëri-tjetrit, u varros me një grua etruske në shekullin VIII para Krishtit.

Mjafton të vizitosh një bordello të lashtë, si ato të Pompeit, për të parë se seksi ishte shpeshherë i dukshëm. Muret e dhomave të zymta, të ngjashme me qelinë në të cilat punonjëset e seksit bënin tregtinë e vet, janë të mbuluara me mbishkrime, pjesa më e madhe e tyre e shkruar nga klientët meshkuj të cilëve u pëlqente të komentonin performancat e femrave të famshme.

Rrëfimet dhe fjalimet historike janë të mbushura me përshkrimet e vështirësive që këto punëtore duronin. Në rastin kundër Neaerës, një fjalim i prokurorisë i mbajtur nga politikani athinas Apolodori në shekullin IV para Krishtit, ofron një pasqyrë veçanërisht befasuese mbi pasigurinë e jetës së këtyre grave. Megjithatë, vetëm herë pas here dëgjojmë diçka nga një grua që ishte në kontakt me këtë botë – dhe fjalët e saj të befasojnë.

Në shekullin III para Krishtit, një poete e quajtur Nosida e cila jetonte në jug të Italisë, shkroi një lavdërim për një vepër arti dhe faktin se financohej nga një punëtore seksi. Një statujë e lavdishme e Afërditës, perëndeshës së seksit dhe dashurisë, kënduar nga Nosida, ishte ngritur në një tempull duke përdorur paratë e mbledhura nga poliarket.

Poliarkia nuk ishte anomali. Një hetera e mëparshme (kurtezane ose punëtore seksi me status të lartë) e quajtur Dorika, paratë që kishte fituar i përdori në mënyrë të ngjashme për të blerë diçka për shfaqje publike – në rastin e saj skarat për gatimin e dëmeve të tredhur që do të ekspozoheshin në Delf.

Nuk ishte seksi që përqafuan këto gra, por shansi i rrallë që u është thënë për t’u kujtuar pasi vdisnin. Shumica dërrmuese e grave që njihnin ishin të destinuara për të mbetur anonime.

Burrat shkrimtarë, me gjithë paragjykimet e tyre, mund të japin disa nga njohuritë më interesante për gratë dhe seksin. Në vitin 411 para Krishtit, komediani Aristofan inskenoi shfaqjen Lisistrata në të cilën gratë e Athinës organizojnë grevë seksuale në përpjekjen për të bindur burrat e tyre që të bien dakord për kushtet e paqes gjatë Luftës së Peloponezit. Ky ishte konflikt i vërtetë i zhvilluar për tri dekada midis Athinës dhe Spartës dhe aleatëve të tyre përkatës.

Përshkrimi i ilustruesit viktorian Aubrey Beardsley i Lisistratas, për një botim të shtypur të komedisë së Aristofanit rreth grave athinase që bëjnë grevë seksi

Shumë nga gratë në shfaqje janë më pak të kënaqura, meqë duhet të heqin dorë nga kënaqësia. Ato janë përshkruar në përputhje me stereotipin e gruas gomaricë – për efekt komik. Megjithatë, ka një moment kur shfaqja kthehet në drejtim serioz dhe Aristofani ofron një këndvështrim më bindës femëror.

Personazhi i titullit të shfaqjes, Lisistrata e cila e organizon grevën, përshkruan se si është gjendja e gruas në kohë lufte. Ato jo vetëm që ndalohen të hyjnë në Kuvend, ku diskutohet për luftën, por janë vazhdimisht në zi. Dhe, teksa një konflikt i tillë i zgjatur është ferr për gratë e martuara, është akoma më keq për gratë e pamartuara të cilave u mohohet shansi për t’u martuar.

Teksa burrat, thekson Lisistrata, mund të kthehen në shtëpi nga lufta me flokë të thinjura dhe të martohen, e njëjta gjë nuk vlen për virgjëreshat shumica e të cilave konsiderohen të moshuara për t’u martuar dhe për të lindur. Këta rreshta përcjellin aq saktë ndryshimin midis përvojës mashkullore dhe femërore në luftë, saqë është joshëse të besosh se pasqyrojnë atë që vërtet thoshin gratë e asaj kohe.

Mund ta gjejmë frikën e vërtetë të grave, përkitazi me seksin, edhe në tragjedinë greke. Sofokliu, dramaturgu i cili më shumë njihet për Mbretin Edip, kishte një personazhe në dramën e tij të humbur Tereo ku përshkruan se si ishte të kalosh nga e virgjëra në grua. “Dhe, kështu, sapo një natë na fut në zgjedhë”, thotë Prokna, një mbretëreshë mitike, “duhet ta lavdërojmë dhe ta konsiderojmë si gjë mjaft të bukur”.

Ishte e zakonshme midis shtresave të larta që martesat të aranzhoheshin paraprakisht. Përvoja e parë e seksit të një gruaje mund të jetë po aq çorientuese siç e përshkroi edhe Prokna.

Gratë ndonjëherë i shkruanin mendimet e tilla në papirus. Në një letër që i atribuohet Theanos, gruas filozofe greke të rrethit të Pitagorës (disa thonë se ishte gruaja e tij), ajo ia ofron shoqes së saj Euridika disa këshilla të përjetshme. Një grua, shkruan ajo, duhet të heq turpin bashkë me rrobat kur futet në shtratin e burrit. Ajo mund t’i bashkojë të dy ato sapo të jetë ngritur përsëri në këmbë.

Letra e Theanos është debatuar dhe mund të mos jetë autentike. Megjithatë, i bën jehonë asaj që shumë gra ia kanë thënë njëra-tjetrës në kohët më moderne dhe këshillat e saj duket se janë ndjekur edhe nga gratë në botën e lashtë.

Një vazo e lashtë greke që përshkruan një grua duke spërkatur fara mbi falusë të cilët përdoreshin në ritualet e fertilitetit

Poetja greke, Elefanta, thuhet se ishte aq e etshme për t’u dhënë grave këshilla për seksin, saqë shkroi librat e saj të shkurtër mbi këtë temë. Mjerisht, nuk ka asnjë shenjë të punës së saj sot, por përmendet si nga poeti romak Martiali, ashtu edhe nga biografi dhe arkivisti romak Suetoni i cili pretendonte se perandori Tiber (i njohur për orekset e tij seksuale) e zotëronte një kopje.

Aty ku gratë e tjera citohen në shkrimet e burrave të tjerë, ata priren që t’i paraqesin në terma të dashurisë, për dallim nga seksi eksplicit, gjë që i veçon ata nga disa prej bashkëkohësve të tjerë meshkuj, përfshirë Martialin dhe Katulin.

Lesbia, pseudonimi i të dashurës së Katulit, thotë se “ajo çfarë i thotë një zonjë të dashurit të saj në këtë moment / Duhet të shkruhet në erë dhe në ujë të rrjedhshëm”. Shprehja “mos të të dëgjojnë” të vjen në mendje.

Sulpisia, një nga të paktat poete romake vargjet e së cilës kanë mbijetuar, e përshkruan mjerimin e saj për të qenë në fshat, në ditëlindjen e saj, larg të dashurit të saj Kerinti – dhe më pas lehtësimin e saj kur më në fund ia doli të jetë në Romë.

Këto gra nuk kishin nevojë të përshkruanin seksin me të dashurin, në detaje të ashpra, për të zbuluar se çfarë në të vërtetë mendonin. Burrat mund të dominojnë burimet, por gratë, siç e dinte mirë Afërdita, mund të ishin po aq të pasionuara kur perdet mbylleshin. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version