Nga: Danilo Kish
Përktheu: Agron Tufa
Në kohën e kulmimit të ngjarjeve, lidhur me ndalimin e veprimtarisë së sindikatës polake “Solidarnost”, pata marrë një letër me shënimin E PACENSURUAR. Çfarë domethënieje të kishin këto fjalë? Ndoshta me to duan të thonë se në vendin prej nga është dërguar kjo letër nuk ka më censurë. Ose mund të nënkuptojë gjithashtu se letrat pa këtë shënim i janë nënshtruar censurës, çka do të dëshmonte për një përzgjedhje nga ana e organeve zyrtare, të cilat një pale i besojnë dhe një pale tjetër jo. Sigurisht, mund ta merrje edhe kështu: që pikërisht zarfi me shënimin E PACENSURUAR ka kaluar nëpër duart e censurës. Në një mënyrë a në një tjetër, kjo vulë emblematike shumëkuptimore dëshmon për frymën e censurës, e cila përpiqet të nënvizojë plotfuqinë e saj dhe njëkohësisht, të maskohet me alibi. Ajo hiqet sikur të ishte e përkohshme, por një e keqe e domosdoshme e sistemit në gjendje permanente lufte. Kështu, censura na del si i vetmi mjet i përkohshëm, i cili menjëherë do të hiqet, kur të gjithë, kush shkruan (pa dallim, letra ose libra), të kenë arritur pubertetin politik dhe pjekurinë, ndërsa tutela e shtetit dhe pushtetit mbi qytetarët nuk do të hyjë më në punë.
Si një vepër e domosdoshmërisë (dhe gjithë çfarë ajo shkakton) – mjeti i përkohshëm – censura e konsideron veten të konsumuar, të likuiduar. Prandaj ajo nuk e pranon ekzistencën e vet, duke u përpjekur të maskohet nën pamjen e instituteve demokratike, të cilat përmbushin gjithashtu edhe funksione të tjera (redaksitë, e po ashtu këshillat e shtëpive botuese apo të revistave), apo t’i gjejë vetes një pasardhës të denjë në figurat e drejtorëve të shtëpive botuese, redaktorëve të ndonjë serie apo kolane botimesh në shtëpi botuese apo në revista, e kështu deri tek recensenti, korrektori etj.
Te hipostaset më pak të njohura të censurës duhet përfshirë kategorikisht edhe dukuria e censurës shoqërore, e cila është një formë tranzitore nga censura në autocensurë – kur redaktori (duke qenë dhe vetë një njeri i penës) këshillon, që zoti N për të mirën e tij flaku nga libri i vet fragmente të caktuara apo strofa. Kur ai nuk ia del t’ju bindë se këtë e ka bërë nisur nga qëllime të mira, ai operon me shantazhin moral dhe frikën e tij ai e hedh mbi ndërgjegjen tuaj: pra, nga gjerësia e natyrës suaj – ju duhet t’i merrni mbi vete prerogativat e censurës dhe me këtë rast, ta fshihni atë para opinionit publik. Dhe mandej: ose zoti N do të bëhet censor i vetvetes, ose do të shkatërrojë ekzistencën apo karrierën e dikujt. Dhe, si këmbim, njeriu jo vetëm do ta botojë librin e zotit N, por gjithashtu do ta fshehë faktin se kishte në të vende të atilla të cilat, nëse do të kishin shpëtuar, do t’ju kishin shfarosur edhe ju edhe atë.
Pavarësisht se si e përfton formën e saj, censura është, megjithatë, vetëm një shfaqje e jashtme e gjendjes patologjike, një sinjal i sëmundjes kronike, sëmundje që zhvillohet paralelisht dhe lind autocensurën. Lufta është e padukshme, duke u projektuar larg syrit të opinionit shoqëror, e strukur në skutën më të errët të shpirtit, autocensura e përmbush punën e vet në mënyrë më të efektshme sesa çdo censurë. Megjithëse të dyja rendin tek të njëjtat mjete – kanosja, frika, shantazhi – autocensura i fsheh ose, tek e fundit, nuk e zbulon ekzistencën e shtrëngimit/ detyrimit. Lufta me censurën është e hapur dhe e rrezikshme, ndërsa lufta me autocensurën është heroike. Një luftë anonime, e braktisur nga dëshmitarët dhe e vetmuar.
Autocensura është leximi i tekstit tënd personal me sytë e huaj, kur ju vetë bëheni i vetëgjykuar, madje i vetëgjykuar më ashpër sesa ndonjë tjetër, përderisa e dini gjithashtu edhe atë të cilën censori asnjëherë nuk do ta zbulojë në tekstin tuaj, pra, atë për të cilën ju keni heshtur dhe të cilën ju kurrë nuk do ta hidhni në letër, por që juve ju duket se ka mbetur “ndërmjet rreshtave”. Prandaj censorit të përfytyruar ju i vishni edhe të atilla atribute, që vetë nuk i keni… Kështu sozia juaj ju përndjek mendimet deri në absurd, deri në ekstrem, atje ku gjithçka është e luhatshme, e pasigurt, ndërsa shtegdalje nuk ka: diçka e rrezikshme dhe ndëshkuese ju pret.
Subjekti i autocensurës është sozia e shkrimtarit, një sozi e cila e ndjek, duke e vështruar prapa zverkut në tekst, in statu nascendi, duke e paralajmëruar që ai të mos bëjë ndonjë gabim ideologjik. Dhe me këtë sozi-censor është e pamundur të lash hesapet. Ai është mu si një Zot gjithëvrojtues e i gjithëdijshëm, sepse është i lindur prej vetë trurit tonë, prej vetë frikërave tona, prej vetë iluzioneve tona. Duke rivalizuar me sozinë tonë, përqendrimi ynë intelektual dhe moral duhet të lërë në letër-gjurmë të dukshme, përderisa të gjitha tendosjet tona nuk reduktohen në një gjest të vetëm moral – deri në shfarosjen e dorëshkrimit dhe heqjen dorë nga planet. Mirëpo, edhe refuzimi nga lufta, edhe fitorja, na shpien tek i njëjti rezultat: ndjenja e turpit dhe e disfatës. Sepse sado që ju të përpiqeni, prapëseprapë sozia juaj do të ngadhënjejë gjithmonë: sa herë që ju e tejkaloni, ajo qesh me ankthin tuaj, sa herë ju i nënshtroheni, ajo gajaset me frikën tuaj.
Nëse shkrimtari arrin ta kapërcejë gjestin radikal të vetëposhtërimit dhe me forcën e talentit, përqendrimin, burrërinë, zhdërvjelltësinë e mashtron sozinë tunduese, gjurma e kësaj lufte mbetet e fiksuar në dorëshkrim – në trajtën e metaforës. Kemi të bëjmë me një fitore të dyfishtë: teksti, përkundër tundimeve, ka merituar lëvdata, ndërsa falë dinakërive mashtrimtare e ka rritur idenë deri në metaforë (në kuptimin etimologjik, zhvendosja e një kuptimi të caktuar në atë stad sa ai të bëhet figurativ) – autocensura e ka shpërngulur figurën stilistike në sferën e poetikës.
Nisur nga këto që thamë, ne mund të nxjerrim disa pohime që na çojnë larg në sferat historike dhe teoriko-letrare, sikundërse edhe për një fenomen tjetër – me nënshtrimin e metaforës, të shpjegojmë ekzistencën e shumë veprave letrare, së paku nga përvoja e letërsisë ruse të avangardës. Proza e Boris Pilnjakut dhe Isak Babelit, poezitë e Osip Mandelshtamit dhe Marina Cvjetajevës, që përmes luftës me censurën përftuan një efekt letrar maksimal. Një fitore tragjike, e hidhur.
Autocensura është një kategori krijuese me energji negative, e cila kufizon, përqesh, ndërsa konfrontimi me kategorinë pozitive mund të ndezë shkëndijën. Atëherë kur shkrimtari i cili, i poshtëruar prej frikës së vet, arrin ta vrasë sozinë e tij, ndërsa si rezultat i këtij shpërthimi të fuqishëm që është akumuluar gjatë prej kujdesit vigjilent, turpit dhe poshtërimit metaforat bien, perifrazat shkërmoqen dhe mbetet e vetme gjuha e zhveshur e fakteve – pamfleti. Censori juaj-sozi s’ka më asgjë për të fshehur ndërmjet rreshtash, sepse gjithçka tanimë është e shkruar e zezë mbi të bardhë – deri në atomin e fundit të pakënaqësisë suaj. (Në një minutë të tillë Osip Mandelshtami shkroi poezinë kundër Stalinit – atë, të dytën, që donte të thoshte çlirim nga autocensura dhe poshtërimi. Atë poezi, të cilën ai e pagoi me kokën e tij.) Ngadhënjimi i parimit moral vret ose shkrimtarin ose veprën.
“Uni” i censuruar, i cili ka pësuar shumë nga frika dhe tirania, rend menjëherë te pamfleti, si te shpata e hakmarrjes. Dhe pikërisht një fitore e tillë mbi sozinë personale ka “kastruar” jo vetëm një shkrimtar në emigrim. Si viktima të një autocensure me vite e vite, ata e kaluan shpejt atë kufi hapësinor, i cili e ndan artin nga propaganda; dhe ka ngjarë ajo që Çesllav Milloshi e quan “kufizim”.
Prej sa thamë mund të nxjerrim një konkluzion të tillë: ndikimi i gjatë i autocensurës shpie pashmangshëm te katastrofat njerëzore apo krijuese, jo më pak se ato të cilat i shkakton censura; autocensura është një operacion i rrezikshëm mendor me pasoja shumë të rënda për letërsinë dhe shpirtin njerëzor.