Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për çështjen e teksteve shkollore, duke thënë se ka shkelje flagrante të ligjit.
Sipas saj, për herë të parë në më shumë se një dekadë këtë vit shkollor nxënësit nuk i kanë pasur librat në bankat shkollore.
Këto deklarata Hoxha i ka bërë në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të enjten.
“Këtë degradim e këtë prapakthim besoj që qytetarët nuk ia kanë borxh as kësaj qeverie as kryeministrit Albin Kurit. Qeveria për të mbuluar këtë dështim në momentin e fundit improvizoi një zgjidhje tjetër të dëmshme si për buxhetin e shtetit ashtu edhe për shkollat, mësimdhënësit, prindërit dhe fëmijët”.
“Ky është viti i tretë që nis mbrapsht, edhe pse s’ka as pandemi, as grevë. Si ka mundësi që një qeveri që gojën e ka plot barazi të sfidojë këtë parim kushtetues. Kemi të bëjmë me shkeljen e ligjit në fuqi për ndarjet buxhetore si dhe ligji që është në fuqi për arsimin parauniversitar. Të gjitha këto vendime paraqesin shkelje flagrante ligjore. Lista e shkeljeve dhe parregullsive është e gjatë. 3 milionë euro të digjitalizimit ka shkuar për subvencionimin derisa reforma e premtuar në arsim mbetet në sirtar”, ka thënë deputetja e PDK-së.
E Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se vendimi që të subvencionohen prindërit për blerjen e teksteve shkollore këtë vit ka qenë një nga vendimet që sipas saj, është marrë për të ngritur cilësinë në arsim dhe për të shmangur mundësinë për abuzime.
Sipas saj, në të kaluarën çështja e librave ka qenë më shumë proces që është përdorur për biznes e klientelizëm.
“Fillimisht kemi punuar intensivisht dhe kemi finalizuar ligjin për tekste shkollore që e keni në Kuvend. Që në marrjen e mandatit kemi krijuar hapësirën që këshillat në nivel të shkollave të vendosin për tekste. Kemi filluar për herë të parë rishikimin e teksteve shkollore. Pra, janë një varg vendimesh që kemi marrë dhe vendimi i fundit është vetëm një vendim nga pakoja e reformës për përmirësimin e cilësisë në arsim. Për çdo vit më shumë është dyfishuar buxheti për tekste se që është planifikuar. Ky subvencion i teksteve e përmbushë obligimin ligjor, por edhe ua pamundëson komunave që tekstet të mbesin në bodrumet e shkollave”, ka thënë Nagavci. /Telegrafi/